Ja pse komunat shqiptare kanë zero denarë në bllok dotacionet kulturore (Infogram)

propozim- buxhetin 2018, përjashtuar Komunën e Kërçovës dhe Vrapçishtit, të gjitha komunat tjera shqiptare kanë 0 denarë në bllok dotacionet në sferën kulturore. Kjo sipas ekspertit ekonomik Izet Zeqiri dhe këshilltarit në Ministrinë e Kulturës, Petrit Saraçini që sqaruan për Portalb.mk vjen për shkak se komunat nuk menaxhojnë me institucionet kulturore por ata i mbeten Ministrisë së Kulturës.

Që komuna të menaxhojë me institucione kulturore ajo do të arrihej nëse të njëjtat bëjnë kërkesë në Ministrinë e Kulturës. Deri më sot kërkesë për të marrë në kontroll institucionet shtetërore nuk është bërë nga asnjë komunë shqiptare.

Sipas të dhënave që janë në propozim-buxhetin 2018, Komuna e Kërçovës nga buxheti shtetëror, nëpërmjet bllok dotacioneve në sferën e kulturës ka siguruar 1,42 milionë denarë ndërkohë që Komuna e Vrapçishtit ka siguruar 1,54 milionë denarë. Se pse Komuna e Vrapçishtit arriti të sigurojë 1,54 milionë denarë kur e dijmë se ka rreth 25 mijë banorë ndërkohë që Komuna e Çairit me rreth 67 mijë banorë nuk arrin të sigurojë as edhe një denarë nëpërmjet bllok dotacioneve në sferën e kulturës, qëndron “arsyeja se Komuna e Vrapçishtit ka nën menaxhim të saj Pallatin e Kulturës”, njoftuan nga Komuna e Vrapçishtit.

Izet Zeqiri
Profesori universitar, Izet Zeqiri

 

Duke u përgjigjur pyetjes së Portalb.mk, se pse komunat shqiptare kanë 0 denarë të bllok dotacioneve, eksperti i ekonomisë Izet Zeqiri sqaroi: “Me planifikimin e buxhetit komunat japin propozimet e tyre dhe pas miratimit të buxhetit që e bënë pushteti qendror ndahen mjetet. Mirëpo, kur jemi te bllok dotacionet që të mund të sigurohen ato nga komunat shqiptare, fillimisht këto komuna duhet të bëjnë kërkesë te Ministria e Kulturës që një objekt të një institucioni duan ta marrin nën mbikëqyrje. Vetëm në rast se komunat kanë nën menaxhim institucione kulturore, atëherë do të kenë mundësi të fitojnë bllok dotacione”, tha Zeqiri.

Sipas profesorit Zeqiri “se pse deri më sot nuk janë dhënë asnjë denarë nëpërmjet dotacioneve kulturore, faji mund të jetë edhe i komunës por edhe i pushtetit qendror, varësish se kush nuk ka lejuar decentralizim të institucioneve të caktuara në bazë të së cilave do të siguroheshin milionë denarët”, tha ai.

Këshilltari i Ministrisë së Kulturës, Petrit Saraçini sqaroi po të njëjtën sikurse profesori Izet Zeqiri.

Petrit Saraçini
Këshilltari i ministrit të Kulturës, Petrit Saraçini

Mirëpo se a kanë parashtruar kërkesë komunat shqiptare që të decentralizohen institucionet kulturore që janë në kuadër të territorit të tyre, ai u përgjigj:

“Asnjë komunë shqiptare deri në këtë moment nuk ka parashtruar kërkesë për decentralizim të institucioneve kulturore që gjenden në territorin e tyre, këtë ndoshta edhe frikësohen ta bëjnë sepse nuk do të kenë mundësi të menaxhojnë më pas me to si duhet dhe si rrjedhojë do të lindnin problemet tjera si vonesa në rrogat, mungesa e projekteve dhe probleme me mirëmbajtjen hapësinore të tyre”.

Këshilltari kulturor, Petrit Saraçini sqaroi se “nëse komunat do të bënin kërkesë për decentralizim të institucioneve kulturore me këtë edhe të kenë mundësi të fitojnë bllok dotacionet në sferën e kulturës, në aspekt logjik do të rritet edhe mundësia e rritjes së buxhetit komunal, gjithnjë varësish aktiviteteve që do të realizohen”.

Çfarë thonë komunat?

Nga Komuna e Dibrës thonë se “nuk kanë informata se me buxhetin 2018 në sferën e bllok dotacioneve kanë zero denarë. Ne si komunë do të shqyrtojmë të gjitha mundësitë që të marrim nën kontroll Pallatin e Kulturës”, u shprehën për Portalb.mk nga sektori i financave të Komunës së Dibrës.

Ngjashëm u tha edhe nga sektori i financave të Komunës së Strugës: “Ne si Komunë nuk e kemi parë ende propozim-buxhetin, por meqë bllok dotacionet fitohen nëpërmjet institucioneve kulturore, ne do të punojmë në këtë drejtim, që institucionet kulturore t’i marrim nën kontroll”.

“Për Komunën e Çairit nuk janë paraparë bllok dotacione nga buxheti 2018 i Maqedonisë pasi që institucioni kulturor i vetëm që funksionon në kuadër të Komunës së Çairit financat i merr drejtpërdrejt nga Ministria e Kulturës”, tha zëdhënësi i Komunës së Çairit, Kushtrim Alla, megjithëse Teatri i Fëmijëve në Çarshinë e Shkupit nuk ka siguruar të holla në buxhetin 2018 as si subjekt juridik.

“Komuna e Gostivarit nuk ka siguruar bllok dotacionet pasi që institucionet kulturore që janë në Gostivar menaxhohen drejtpërdrejtë nga Ministria e Kulturës”, thanë nga sektori për financa e Komunës së Gostivarit.

Nga sektori i arsimit dhe kulturës në Gostivar njoftuan “se deri në këto momente nga Komuna nuk është bërë kërkesë për decentralizim të institucioneve kulturore, me shumë gjasë kjo është bërë për shkak të drojës së nuk do të arrijnë të menaxhojnë si duhet me pagat dhe mirëmbajtjen e tyre”.

Për zero denarët e bllok dotacioneve të sferës së kulturës Portalb.mk kërkoi qëndrim edhe nga Komuna e Tetovës, Sarajit dhe Bogovinës, nga ku nuk kishim reagim.

Përndryshe, decentralizimi i kompetencave të komunave dhe përmirësimi i kapacitetit të tyre është njëri nga prioritet të cilat dalin nga praneriteti i Maqedonisë me Bashkimin Evropian dhe parashihet me realizimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Të gjitha komunat në përjashtim të Komunës së Pllasnicës, që nga viti 2012, për përgjegjësitë të tyre financohen me bllok dotacione me çka mbaroi faza e marrjes së përgjegjësisë për menaxhim me resurset financiare dhe materiale në sferën e arsimit, kulturës dhe mbrojtjes sociale. Marrja e përgjegjësi për më shumë sfera nga ana a komunave rrisin kapacitetin administrativ dhe fiskal për menaxhim me shuma më të larta të mjeteve financiare.

Me buxhetin 2018 të Maqedonisë janë paraparë 893 milionë denarë për dotacione, nga ku 140 milionë denarë janë në formën e dotacioneve TVSH, ndërsa 753 milionë denarë për bllok dotacione në sferën e arsimit, kulturës dhe mbrojtjes së fëmijëve dhe personave të moshuar. Në këtë mënyrë do të sigurohet financim më i sigurt të decentralizimit të veprimtarive dhe realizim të tyre.

Më poshtë mund të shihni edhe inforgramin se secila komunë sa denarë ka marrë nëpërmjet bllok dotacioneve për vitin 2018.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. mire e kane,popull i vrare ne tru,ska cu duhet kultura se tere diten shohin seriale turke dhe degjojne perallat e Ali Ahmetit…kultura ka pune..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button