Kushtëzimi i Bashkimit Evropian për Maqedoninë do të hiqet, por ende nuk ka datë bisedimesh

Sekretariati për Çështje Evropiane (SÇE) pret të hiqet rekomandimi i kushtëzuar për fillimin e negociatave aderuese të Maqedonisë me Bashkimin Evropian, njofton Portalb.mk. Në raportin e ri për progresin e Maqedonisë i cili ndryshe nga herat tjera, nuk do të publikohet më në tetor por në pranverë 2018, SÇE pret kthesë pozitive për vendin pasi që, siç theksojnë “jemi dëshmitarë se gjatë periudhës së fundit u krijua një klimë shumë pozitive, kur bëhet fjalë për integrimin evropian, si në vend ashtu edhe tek vendet anëtare të BE-së. Gjithsesi ky entuziazëm i rriti edhe pritjet si te ne si Qeveri por edhe tek qytetarët”.
Megjithatë, edhe pse ka entuziazëm nga SÇE nuk përmendin marrje të datës konkrete për fillim të bisedimeve me Bashkimin Evropian.

“Respektivisht të gjitha hapat të cilat i ndërmori kjo Qeveri, nga dita e parë e mandatit të saj, lidhur me zbatimin e reformave janë në drejtim të heqjes së rekomandimit të kushtëzuar” shprehen për Portalb.mk nga SÇE.

Më së voni deri më 3 nëntor do të dërgohet kontributi standard i Qeverisë i dedikuar Raportit të Komisionit Evropian (KE) ndërsa burime nga përfaqësia e Bashkimit Evropian në Shkup, për Portalb.mk thonë që KE-ja shfrytëzon të dhëna dhe informacione edhe nga burime të tjera si që janë organizatat joqeveritare dhe grupe të tjera të interesit.

Qeveria thotë që është e kënaqur me punën e bërë pasi që ka implementuar Planin 3-6-9, që siç thonë, duhet të mundësojë rezultate konkrete dhe të dukshme nga ndërhyrjet reformuese deri në publikimin e Raportit të ardhshëm të Komisionit Evropian.

Pas zgjedhjeve lokale, dinamikë e re

Në qoftë se zgjedhjet do të kalojnë në mënyrë të rregullt edhe në rrethin e dytë, dhe në qoftë se mbahet dinamika e reformave si dhe japim rezultate konkrete, është shumë e natyrshme të presim që edhe BE-ja të reflektojë nga ana e tyre, shprehen nga Sekretariati.

“Aktualisht, në mënyrë intensive dhe inkluzive punohet në përcaktimin e masave të cilat duhet të realizohen deri në dhjetor, para mbajtjes së Këshillit Evropian, dhe të cilat duhet të jenë më thelbësore, duke pasur parasysh se nuk i kemi faktorët kufizues, respektivisht, zgjedhjet më do të jenë pas nesh. Në periudhën që vjen, të gjitha institucionet do të duhet plotësisht të përkushtohen në këto reforma, me qëllim që t’ju përgjigjemi pritjeve të Brukselit. Brukseli si sinonim për institucionet e BE-së dhe të gjitha vendet anëtare, nga Maqedonia pret të tregojë kurs evropian pa hamendje, vendime të qarta për reforma përmbajtjesore dhe rezultate të dukshme të cilat do ta relaksojnë ambientin demokratik në vend. ” shprehen për Portalb.mk nga SÇE.

Ndryshe, ky do të ishte rekomandimi i nëntë i Komisionit Evropian për fillimin e bisedimeve inkuadruese të Maqedonisë me BE-në. Në 2015 dhe 2016, për shkak të skandalit të përgjimeve, krizës dyvjeçare politike, regjimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevski, rekomandimi ishte i kushtëzuar.

Rekomandimi i kushtëzuar me:

“Kriza politike në Maqedoni nuk ka mbaruar. Me anë të Marrëveshjes së Përzhinës u caktuan zgjedhjet të cilat mund të shihen si mundësi për zgjidhje të krizës, gjë që e kërkojnë edhe qytetarët. Rekomandimi për hapjen e negociatave mbetet, por do të vlejë në rast se Maqedonia i plotëson kushtet duke mbajtur zgjedhje kredibile, të plotësohen plotësisht  reformat prioritare dhe të vazhdojë puna e pandalshme e Prokurorisë Speciale Publike” tha komisari për zgjërim, Johanes Han gjatë prezantimit të raportit të vitit 2016.

Maqedonia që nga viti 2005 është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, deri më tani nuk ka marrë datë për hapje të bisedimeve por vetëm rekomandim, edhe përkundër premtimeve të shumta të qeverisë BDI-VMRO DPMNE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button