Ja çfarë thotë Bujar Osmani për koalicionin Aleanca për Shqiptarët – Lëvizja BESA (VIDEO)

“Koalicioni jonë në nivel lokal me LSDM-në ishte i hapur dhe transparent dhe i bërë publik përpara se të fillonin zgjedhjet dhe votuesit e kanë ditur për kë votojnë dhe për cilat vlera, ndërkaq nga ana tjetër pamë koalicione të fshehta të partive që publikisht janë sharë”, ky ishte vlerësimi i kryetarit të Shtabit Zgjedhor të BDI-së në Çair, Bujar Osmani në lidhje me koalicionin për zgjedhjet lokale në rrethin e dytë mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes BESA, raporton Portalb.mk.

Në pyetjen e Portalb.mk, se a ndjehen të kërcënuar nga ky koalicion, Osmani tha shkurt se nuk ndjehen të rrezikuar.

“Ne bëjmë koalicion për ta realizuar programin, ata bëjnë koalicione për të shpëtuar vota. Koalicionet bëhen mbi bazë programeve dhe jo marrëveshjeve prapa skenave për mbrojtjen e votuesve. Në terren ndodhin koalicione të fshehta pamë se publikisht shahen ndërmjet vete, ndërkaq më pas japin kontingjente të votuesve mes vete. Ne kemi më shumë këshilltarë në Këshillin e Komunës së Çairit, por edhe në Qytetin e Shkupit, Çairit nuk i duhet një kryetar komunë që vendimet e tij nuk mund t’i kalojë në këshillin komunal, por edhe në Këshillin e Shkupit. Çairit nuk i duhet stagnim”, tha Osmani.

Osmani tha se zgjedhjet e rrethit të parë për BDI-në kanë qenë të suksesshme, ndërkaq pret që në rrethin e dytë kandidati i BDI-së për Komunën e Çairit, Visar Ganiu, të fitojë.

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga radhët e BDI-së, Visar Ganiu gjithashtu vlerësoi se 15 tetori ka qenë ditë e suksesshme për to, ndërkaq presin që edhe më mirë të jetë në rrethin e dytë.

“Gjatë fushatës me forumin rinor dhe të gruas kemi vizituar mbi 5000 familje Kështu që mendoj se ky ishte një rezultat ku arritëm t’i promovojmë të gjitha projektet me programin tonë të quajtur kontrata. Me bashkëqeverisjen që e kemi me partnerin e koalicionit LSDM do t’i realizojmë të gjitha projektet. Në rrethin e dytë unë do të sfidoj dhe do të dal fitues”, tha Ganiu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button