ANALIZË: A do të ketë ndryshim të modelit tatimor dhe pse?

Është e vërtetë se Maqedonia është vend me pabarazi të madhe ekonomike dhe sociale ndërmjet qytetarëve, mirëpo, megjithatë, që të bëhen korrigjime të modelit tatimor, gjegjësisht që të futet tatimimi progresiv nevojiten analiza të thella për efektet finale të këtij koncepti të ri, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk. Një pjesë e ekonomistëve konsiderojnë se opsioni për futjen e tatimit progresiv, me qëllim që të zvogëlohet dallimi ndërmjet të pasurve dhe të varfërve, duhet të shqyrtohet si mundësi, mirëpo krijuesit e politikave ekonomike duhet të marrin parasysh se ka mundësi të ketë edhe pasoja negative në ambientin aktual ekonomik, veçanërisht në pjesën e investimeve.

Si të zvogëlohet pabarazia sociale…

Ministria për Financa “e mat” pulsin e disponimit për ndryshimin e mundshëm të konceptit tatimor, ndërsa një pjesë e ekonomistëve paralajmërojnë se duhet pasur kujdes të madh për këtë. Me analizën e publikuar “Pabarazia e të ardhurave në Maqedoni”, krijuesi i politikave vërtetoi se në vend ka pabarazi të thellë ekonomike, mirëpo, megjithatë, nevojiten matje plotësuese nëse me të vërtetë insistohet në qëllimin për ta futur tatimin progresiv, konsiderojnë një pjesë e ekonomistëve. Nga Instituti për hulumtime ekonomike dhe politika, “Finance think” dyshojnë se tatimi progresiv, me të cilin duhet të ngarkohen më të pasurit, do t’i japë efektet e pritura buxhetore.

“Efektet buxhetore nga tatimi potencial progresiv do të ishin relativisht të vogla dhe në nivel vjetor do të silleshin ndërmjet 30 dhe 37 milionë euro të ardhura plotësuese nga të ardhurat nga tatimi personal, që është ndërmjet 10,8% dhe 13,1% nga të ardhurat e mbledhura nga ardhurat nga tatimi personal. Me këtë rast, këto llogaritje nuk e marrin parasysh efektin nga rritja potenciale e evazionit tatimor. Sa për krahasim, shuma që ndahet nga buxheti për të gjitha llojet e ndihmës sociale, në nivel vjetor është rreth 100 milionë euro. Shuma që do të ndahet buxheti për subvencionimin e rritjes së rrogës minimale është rreth 90 milionë euro” – vlerësojnë ekonomistët nga “Finance think”.

Sipas analizës së publikuar nga Ministria për Financa, Maqedonia udhëheq në Evropë sipas pabarazisë së të ardhurave. Qytetarët më të pasur, që janë 1% e popullatës, fitojnë mesatarisht nga 4.180 еuro në muaj, kundrejt 99% për qind të të tjerëve që fitojnë nga 262 еuro në muaj. Sipas hulumtimit, kjo tregon se 14 për qind e të ardhurave të përgjithshme përfundon te një për qind e qytetarëve, e me këtë rast më të pasurit paguajnë më pak tatim si përqindje e të ardhurave të tyre.

“Pesëdhjetë për qind e njerëzve që kanë të ardhura, kanë të ardhura që janë nën 212 euro në muaj. Shembulli i ardhshëm që është edhe më interesant dhe ka të bëjë me një fabrikë tekstili, e cila ka 377 të punësuar, me ç’rast 366 prej tyre kanë të ardhura mesatare mujore prej 140 еurosh, gjegjësisht 8.500 denarë, ndërsa të ardhurat e personit me të ardhura më të larta në këtë fabrikë janë 73.000 еuro në muaj” – deklaroi për Portalb.mk ekonomisti nga Ministria për Financa, Branimir Jovanoviq.

“Nga perspektiva e mëparshme, kur si biznes kërkonim ndërrim të pushtetit, ishim të hapur për ndryshime. Nga perspektiva aktuale, mendoj se ka mëdyshje në mesin e afaristëve sa i përket asaj se a duhet të ndryshohet modeli tatimor, gjegjësisht pyetja është se a do të mund ata t’i bëjnë ballë modelit të ri. Qëndrimi im personal është ai që është prezantuar, mirëpo mendoj se ai nuk është prezantuar aq qartë. Nuk jam i sigurt se i gjithë operacioni është menduar mirë deri në fund, mirëpo, gjithsesi se duhet hapur debat për këtë. E di se shumica e afaristëve me vetë faktin që me vite ishin të nënshtruar formave të ndryshme të presionit, tani do të mund të jepnin më shumë për ekonominë, mirëpo është me rëndësi që kjo temë të diskutohet mirë dhe të arsyetohet se pse ka nevojë të ndryshohet politika tatimore” – thotë për Portalb.mk analisti ekonomik, Fatmir Bytyqi.

Për njohësit e rrethanave, me rëndësi janë disa çështje, për të cilat publiku pret përgjigje.

“Dizajni i reformës potenciale për tatimim progresiv duhet të bëhet me kujdes, në aspekt të këtyre çështjeve: Sa do të jetë përqindja e tatimit progresiv? Cilët do të jenë kufijtë e përqindjeve të caktuara? Cilët janë personat që do të tatimohen me përqindje më të lartë të tatimit, gjegjësisht a do të jenë ndërmarrësit, menaxherët, profesionistët e industrive me rritje të shpejtë (TI) etj.? Si do të reflektohet ngarkesa e re tatimore mbi ndërmarrjet e vogla, firmat e posa hapura, dhe çdo aktivitet tjetër afarist?” – thonë nga “Finance Think”.

Ekonomistët i përmendin edhe efektet e mundshme negative, veçanërisht në pjesën e investimeve të huaja, dhe një pjesë e tyre i kanë komentet e mëposhtme.

“Konsideroj se me të ardhurat aktuale në vend, së bashku me kontekstin e gjithmbarshëm ekonomik nuk ka kushte për ndryshim të modelit tatimor, gjegjësisht për futjen e tatimimit progresiv. Sa për përkujtim, rajoni tenton të fusë tatim të sheshtë, kjo gjë u bë edhe në Shqipërinë fqinje. Tatimimi progresiv së bashku me rritjen edhe të tatimit në fitim, në kushte të këtilla ekonomike, mund të ndikojë në zvogëlimin e rrogave më të larta, mirëpo edhe në vendimet për investime”.

Përndryshe, të ardhurat më të larta që janë realizuar në vitin 2016 kanë qenë 2,6 milionë euro, 15 persona kanë realizuar të ardhura prej mbi një milionë eurosh, ndërsa të ardhura prej mbi 500 mijë euro vitin e kaluar kanë pasur 66 persona. Për pabarazinë aktuale të të ardhurave flet edhe informata se 775 personat që kanë pasur të ardhura prej mbi 100 mijë eurosh, së bashku kanë realizuar të ardhura prej 190 milionë eurosh, që është e barabartë me të ardhurat e përgjithshme të realizuara të 210 mijë personave që kanë pasur të ardhura më të ulëta në vend. / Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button