Çfarë fshihet pas “Kopshtit Bleta” që bëri bujë në opinion me ligjeratat fetare?

Në rrjetet sociale kanë qarkulluar disa fotografi të një të ashtuquajturi Kopshti “Bleta”, privat, në lagjen Gazi Babë të Shkupit ku shihen fëmijë duke kryer rituale fetare. Reagimet ishin të ndryshme duke u nisur nga ajo se e njëjta nuk ka leje për punë, shpërndan ekstremizëm fetar, i shkel të drejtat e fëmijëve etj. Nga ana tjetër kishte edhe reagime islamofobike dhe paragjykuese, shkruan Portalb.mk.

Për të sqaruar rastin, Portalb.mk kontaktoi të gjithë palët e përfshira në këtë çështje dhe të  njëjtëve ua parashtroi pyetjet si:

Çfarë është “Kopshti Bleta”?
A figuron “Kopshti Bleta” në listën e çerdheve pranë Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale?
Kush ia dha lejen të njëjtës që të edukojë fëmijët e mitur?
A ekziston një program edukativo-arsimor i unifikuar për të gjitha çerdhet në Maqedoni pavarësisht asaj se a janë private apo shtetërore? dhe se
A po shkelen të drejtat dhe ligjet me mënyrën e funksionimit të saj?

Bekir Halimi
Bekir Halimi

Bekir Halimi: “Kopshti Bleta” nuk është çerdhe por organizatë joqeveritare

“’Kopshti Bleta’ nuk figuron si kopsht apo çerdhe por si organizatë joqeveritare. Në Maqedoni nuk mund të punojë në mënyrë ilegale askush andaj edhe kjo shoqatë është e paraqitur. Mirëpo në opinion ka tendenca që veprimtarinë e kësaj shoqate ta drejtojnë në kahja tjetër. Qëllimi i kësaj shoqata është edukimi i fëmijëve dhe gruas”, tha për Portalb Bekir Halim, përfaqësuesi i a.q. kopshtit “Bleta” i cili është bashkëshorti i pronares së a.q. kopshtit në fjalë.

I pyetur nga Portalb.mk se derisa është marrë leje për funksionim a është përcaktuar edhe kryerja e ritualeve fetare për këtë moshë të fëmijëve të cilët e frekuentojnë këtë çerdhe, Halimi tha se “kur paraqitet shoqata veprimtaria e tij parashihet më pas me ligj”, mirëpo, ai sërish thotë “se avancimi i çështjeve fetare nuk kontestohet me asnjë ligj dhe se kryerja e ritualeve fetare bëhet në mënyrë të improvizuar e jo të obliguar”.

Siç thotë Halimi kryerja e ritualeve fetare bëhet me qëllim të improvizimit të mësimit teorik.

MPPS: Kemi kryer kontrolle në tre lokacione, në Komunën e Çairit gjetëm shtëpi me improvizim të shkollës

Të nxitur nga Portalb Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka kryer kontroll në tre objekte mirëpo vetëm në të tretin, i cili ngjan në shtëpi private, shihen klasa të improvizuara dhe dy mësimdhënëse të cilat janë parë duke kryer veprimtarinë e tyre e mesimdhënies.

“Lokacioni i tretë në Komunën Çair është gjetur duke pyetur qytetarët. Është parë se në shtëpi private janë adaptuar hapësira shkollore me mjete adekuate, gjithsej 20 fëmijë, nga mosha 6-11 vjeçare nën mbikëqyrje të dy mësimdhënësve. Edhe fëmijët edhe mësueset kanë verifikuar se këtu zhvillohet mësim fetar, lutje, falje dhe mësim të librave fetar në periudhë kohore prej ora 11 deri në ora 16.  Pas kërkesës së Inspektoratit Shtetëror për Punë dhe Politikë Sociale për punë në objektin iu është thënë se dokumentacionin e plotë të atij objekti e mban pronari i shoqatës humanitare “Mustafa Pasha”, i cili është shtetas i Turqisë. Gjithashtu, nga deklaratat e mësimdhënëses së pranishme kjo organizatë humanitare ka më shumë objekte me karakter edukativo-arsimor, por që e njëjta nuk e di se ku ndodhen”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e MPPS-së.

Nga atje thonë: “Në interes të sigurisë së fëmijëve të cilët në kundërshtim me ligjin edukohen në të a.q. organizata humanitare Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për çështjen në fjalë e informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Arsimit dhe Shkencës me kërkesë që të kontrollojë në kuadër të ingerencave të tyre të vlerësohet arsyetimi, karakteri, qëllimet dhe synimeve organizatës humanitare”.

Kush e posedon objektin?

Edhe pse Bekir Halimi thotë se kopshti “Bleta” është organizatë joqeveritare e cila gjendet edhe regjistrin qendror nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në terren nuk e gjetën të njëjtën. Sipas kumtesës së tyre, “dokumentacionin e plotë të atij objekti e mban pronari i shoqatës humanitare “Mustafa Pasha”, i cili është shtetas i Turqisë”.

Portalb kontrolloi regjistrin qendror. Me emrin “Bleta” funksionojnë dy regjistrime, njëri që është aktiv dhe tjetri joaktiv.

Ajo që është aktive është e regjistruar si shoqatë për edukimin e fëmijës dhe gruas “Bleta dhe Nektari”-Shkup.

Kurse ai pasiv është regjistruar si qendër për edukim të fëmijëve “Nektari dhe Bleta”-Shkup.

Megjithatë, siç shprehen nga MPPS hapat e mëtutjeshëm ndaj të a.q. kopshti “Bleta” do t’i ndërmerr MPB-ja.

Avokati i Popullit: Do të hulumtojmë rastin dhe do të publikojmë raport për “Bletën”

Avokati i Popullit Ixhet Memeti për Portalb.mk bëri të ditur se do të mbledh të gjitha të dhënat dhe materialet dhe më pas do të del me raport të veçantë se a është bërë shkelje e të drejtave të fëmijut.

“Nëse vërtetojmë se kemi shkelje atëherë ne do të marrim hapa adekuate. Nuk përjashtohen as dënime”, tha Memeti.

BFI: Nuk do të lejojmë që fëmijët të helmohen

“Pa pëlqimin tonë atë veprim nuk mundet ta bëj askush dhe as të mos i ik mendja për diçka të tillë. Neve nuk lejojmë që fëmijët tanë të pavetëdijshëm të na infektojë ndokush. Sa është informim dhe edukim aq mund të jetë edhe helmim. Unë ju garantojë dhe i them atyre që me të gjitha organet e mija i kundërvihemi njëzëri”,tha Sulejman Rexhepi, kryetar i BFI-së.

Komuna e Çairit: Kompetente Ministria e Punës dhe Politikës Sociale

“Vlerësoj se nuk duhet të shpejtohet në këtë rast dhe të flitet për situata hipotetike, por çështja duhet të verifikohet dhe t’i kalohet ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale e cila ka kompetencën e plotë “deklaroi për Alsat Kushtrim Alla, zëdhënës i Komunës së Çairit.

Ministria e Arsimit: Nuk kemi kompetenca ndaj çerdheve e as ndaj “Bletës”

Përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit, Safet Nezirin, duke sqaruar mënyrën e funksionimit të çerdheve në Maqedoni bëri të ditur se edhe nëse janë private apo shtetërore ndaj tyre MASH nuk ka kompetenca. Sipas Nezirit kompetenca ndaj çerdheve i ka MPPS-ja.

“Jozyrtarisht si kopsht “Bleta” nuk ka leje për punë mirëpo kopshtet në përgjithësi nuk janë nën kompetencën tonë si Ministri por në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. Sido që të jenë ato, private apo shtetërore, duhet të funksionojnë në kuadër të ligjit. Ne me çerdhet shkëmbejmë programe të veçanta por që nuk mbajmë përgjegjësi për mënyrën e funksionimit të tyre”, tha Neziri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button