Lista të hapura për zgjedhjet lokale

Robert Nesimi

Nëse partitë vërtetë duan model me lista të hapura, tani kanë shansin t’a dëshmojnë në vepër për zgjedhjet lokale

Defekti i modelit zgjedhor. Në thelb të çdo demokracie të shëndoshë dhe funksionale përherë është mënyra e drejtë e zgjedhjes së përfaqësuesve politikë. Si funksionon parlamenti, sa shpreh ai vullnetin e popullit dhe sa luan rolin e kontrollorit të qeverisë, më tepër se çdo gjë tjetër e përcakton modeli zgjedhor. Rrjedhimisht nëse ai tregon defekte, kjo është shenjë se ka ardhur koha të rishikohet dhe ndërrohet. Në Maqedoni duket se kjo formulë nuk është gjetur as pas 30 viteve demokraci parlamentare, pasi përbërjet parlamentare po bëhen gjithnjë e më të dobëta, ndërsa deputetët gjithnjë e më servilë ndaj liderëve partiakë dhe të shurdhër ndaj popullit. Për demokraci brendapartiake as që bëhet fjalë. E fajtor kryesor i kësaj gjendje padyshim është sistemi zgjedhor proporcional me lista të mbyllura, që favorizon pikërisht këto tendenca politike.

E njëjta mënyrë e funksionimit, me gjithë të metat e saj, përsëritet në nivel lokal. Megjithëse kryetarët e komunave zgjidhen direkt, këshillat komunalë zgjidhen me lista proporcionale të mbyllura. Si pasojë ata vuajnë nga problemet e njëjta si parlamenti. Këshilltarët janë tërësisht të shkëputur nga elektorati, saqë përveç bartësit të listës rrallëkush njeh më tepër se 2-3 këshilltarë tjerë, lere më t’u kërkojë përgjegjësi. Njëlloj si deputetët këshilltarët mbesin tërësisht të varur nga partia që i ka emëruar, zbatojnë direkt urdhërat e partisë dhe asnjëherë nuk luajën rolin e kontrollorit të kryetarit të komunës, siç duhet të jetë në letër. Pra edhe në nivel lokal duket se problemet e përfaqësimit burojnë nga sistemi i listave të mbyllura, që tregon se ka ardhur kohë të mendohet kalimi në lista të hapura edhe në nivel lokal.

Për dobësitë dhe mangësitë e sistemit me lista të hapura kam shkruar më gjërësisht në tjetër rast. Të interesuarit mund të lexojnë kolumnën e plotë, ndërsa këtu po shkëpus vetëm ca pjesë më relevante për zgjedhjet lokale:

“Ç‘janë listat e hapura. Ndryshe nga sistemi i shumicës, sistemi proporcional siguron përfaqësim adekuat politik, por në dëm të përgjegjësisë individuale të deputetit ndaj elektoratit dhe në favor të servilitetit ndaj elitave partiake. Mu për këtë kombinimi më i shpeshtë i sistemeve zgjedhore është ruajtja e sistemit proporcional, por me opcion që të votohet direkt për kandidat. Në këtë mënyrë sigurohet përfaqësimi adekuat politik, por njëkohësisht ruhet deri diku relacioni i deputetit individual me votuesin. Sistemet e këtilla të kombinuara njihen si modele të listave të hapura.

Si funksionon modeli – Në modelin e thjeshtë proporcional, atë të listave të mbyllura, renditjen e deputetëve e përcakton partia. Kështu nëse partia A në zgjedhje siguron pesë mandate, deputetë bëhen pesë personat e parë në listën e asaj partie. Përkundrazi në modelin e listave të hapura votuesi direkt rrethon një ose më tepër kandidatë që i preferon si deputetë. Pasi numërohen votat dhe ndahen mandatet që i takojnë secilës parti, vazhdohet me numërimin e votave të kandidatëve. Kështu nëse partia A ka siguruar pesë mandate, deputetë bëhen pesë kandidatët me më tepër vota të asaj partie, pa marrë parasysh si kanë qenë të rradhitur në listë. Në përgjithësi ky model është më demokratik pasi vendimin se kush bëhet deputet e merr votuesi dhe jo elitat partiake.

Kualiteti i deputetëve – Pasi fjalën e fundit se kush do të bëhet deputet në modelet e listave të hapura e kanë votuesit, preferencat e liderëve partiakë këtu luajnë rol minimal. Me këtë zvogëlohet fuqia e elitave partiake dhe minimizohet serviliteti i deputetëve. Listat e hapura në përgjithësi rezultojnë me deputetë më kualitativë dhe më të pavarur. Në këto modele është e vështirë që të zgjidhen deputetë që nuk kanë asnjë virtyt përveç dëgjueshmërisë absolute ndaj elitave, siç kemi patur me bollëk në përbërjet e fundit të parlamentit.”

Rasti LDK – Vjosa Osmani. Dobinë e listave të hapura më së miri e ilustron një rast nga zgjedhjet e fundit në Kosovë. Kandidatja Vjosa Osmani e LDK-së si duket  nuk shihej me sy të mirë nga lidershipi i partisë dhe për këtë e kishin renditur e 81-ta në listën e partisë. Mirëpo në zgjedhje ajo doli e dyta me vota. Në verzionin me lista të mbyllura Vjosa Osmani nuk kishte as gjasa teorike që të zgjidhet deputete, por pasi Kosova përdor sistemin e listave të hapura ajo u zgjodh menjëherë pas bartësit Avdullah Hoti. Edhe pse Vjosa Osmani ishte e padëshirueshme për elitat partiake, në zgjedhje fitoi simpatia e votuesve për të dhe vullneti i tyre shkoi në vend. Me gjasë Vjosa Osmani do të vazhdojë të mos i bindet lidershipit partiak dhe të ketë parasysh pikë së pari dëshirat e votuesve, sepse fundja u zgjodh deputete vetëm në sajë të tyre, pa ndihmë nga partia. Në këtë mënyrë listat e hapura kontributojnë edhe për përforcim të demokracisë së brendshme partiake.

Aplikimi në nivel lokal. Sqarimet dhe rasti i mësipërm kanë të bëjnë me zgjedhjet parlamentare, por besoj se është e qartë se argumentet e njëjta vlejnë edhe në nivel lokal, gjatë zgjedhjes së këshillave komunalë. Me lista të hapura partitë do të propozojnë lista kandidatësh, por vendimin final se cilët do të zgjidhen këshilltarë e kanë në duar vetë votuesit. Pra renditjen e këshilltarëve do t’a bëjnë votuesit dhe jo partia. Secili këshilltar kështu do të jetë më i lirë që t’i kundërvihet partisë nëse këtë e duan qytetarët, sepse është në interes të tij t’i ketë punët mirë me votuesit. Duke qenë më të dëgjueshëm ndaj halleve të qytetarëve, këshilltarët do të luajnë më mirë rolin e kontrollorit të kryetarit të komunës. Do të demokratizohet puna e këshillave, do të gjallërohet debati në mbledhjet e tyre, ndërsa duke dhënë votën në mënyrë direkte qytetarët do të dijnë saktë kujt t’i kërkojnë përgjegjësi.

Debati për reformën e sistemit zgjedhor deri tani ka qenë ekskluzivisht i fokusuar te zgjedhjet në nivel qendror. Deri diku kjo është e kuptueshme, duke ditur se Maqedonia është shtet skajshmërisht i centralizuar dhe pushteti qendror ka ku e ku më tepër fuqi se ai lokal. Por kjo nuk do të thotë se duhet mbyllur sytë para problemeve të përfaqësimit adekuat nëpër komuna. Pasi jemi në vigjilje të zgjedhjeve lokale, është koha që të inicohet reformë zgjedhore në nivel lokal, duke filluar nga zgjedhja e këshilltarëve me lista të hapura. Kjo njëkohësisht do të shërbejë si eksperiment për t’u përsëritur më vonë në nivel qendror. Nëse partitë politike janë serioze dhe konzistente në qëndrimet e tyre për hapje të listave, tani kanë shansin që t’a dëshmojnë këtë në vepër.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI MOBIL