REFORMA ZGJEDHORE – MODELI ME LISTA TË HAPURA

Në teorinë dhe praksën politike ekzistojnë dy dhe vetëm dy sisteme për zgjedhje të deputetëve në parlament: sistemi i shumicës dhe sistemi proporcional. Të dy sistemet kanë specifikat e veta dhe varësisht nga rrethanat politike kanë përparësitë dhe mangësitë e tyre, që i kam përshkruar në disa kolumna paraprake. Për të tejkaluar këto mangësi shpesh bëhen kombinime mes dy sistemeve, qoftë duke zgjedhur një pjesë të deputetëve me njërin dhe pjesën tjetër me tjetrin (psh. në vitin 1998 në Maqedoni 85 deputetë janë zgjedhur me sistem të shumicës dhe 35 me sistem proporcional), apo duke kombinuar njërin sistem me elemente të sistemit tjetër.

Përparësia më e madhe e sistemit të shumicës është fakti që ai forcon relacionet mes votuesve dhe deputetit, por në ndërkohë ky sistem mund të shkaktojë djegje të madhe të votave duke lënë pa përfaqësim adekuat një pjesë të madhe të opcioneve politike. Nga ana tjetër sistemi proporcional siguron përfaqësim adekuat politik, por në dëm të përgjegjësisë individuale të deputetit ndaj elektoratit dhe në favor të servilitetit ndaj elitave partiake. Mu për këtë kombinimi më i shpeshtë i sistemeve zgjedhore është ruajtja e sistemit proporcional, por me opcion që të votohet direkt për kandidat. Në këtë mënyrë sigurohet përfaqësimi adekaut politik, por njëkohësisht ruhet deri diku relacioni i deputetit individual me votuesin. Sistemet e këtilla të kombinuara njihen si modele të listave të hapura.

Si funksionon – Në modelin e thjeshtë proporcional, atë të listave të mbyllura, renditjen e deputetëve e përcakton partia. Kështu nëse partia A në zgjedhje siguron pesë mandate, deputetë bëhen pesë personat e parë në listën e asaj partie. Përkundrazi në modelin e listave të hapura votuesi direkt rrethon një ose më tepër kandidatët që i preferon si deputetë. Pasi numërohen votat dhe ndahen mandatet që i takojnë secilës parti, vazhdohet me numërimin e votave të kandidatëve. Kështu nëse partia A ka siguruar pesë mandate, deputetë bëhen pesë kandidatët me më tepër vota të asaj partie, pa marrë parasysh si kanë qenë të rradhitur në listë. Në përgjithësi ky model është më demokratik pasi vendimin se kush bëhet deputet e merr votuesi dhe jo elitat partiake.

Numri i votave – Në modelet e listave të hapura votuesve shpesh ju jepet mundësia të votojnë për më tepër kandidatë, gjegjësisht të japin më tepër vota. Në shembullin më të afërt për ne, në Kosovë, mund të votohen deri pesë kandidatë. Teoretikisht modeli mund të lejojë votuesin të votojë aq kandidatë sa ka anëtarë parlamenti, pra në rastin e Maqedonisë deri 123 kandidatë. Në këtë rast pra secili votues bën variantin e vet të preferuar të gjithë parlamentit, por natyrisht fitues bëhen ata që kanë më tepër vota.

Listat e pabllokuara – Një term më i saktë për atë që tek ne njihet si ‘lista të hapura’ është termi lista të pabllokuara, ose gjysëm të mbyllura. Në këtë model votuesi edhe më tej voton për X kandidatë, por është i kufizuar me kushtin që të gjithë kandidatët e votuar të jenë të së njëjtës parti.

Listat e lira apo plotësisht të hapura – Përkundrazi në modelin e listave të lira votuesi mund të votojë për cilëtdo X kandidatë. Ai për shembull mund të rrethojë dy kandidatë të partisë A, dy të partisë B dhe një të partisë C, që do të thotë se në numërimin e përgjithshëm partitë A dhe B marrin nga dy vota dhe partia C merr një votë. Natyrisht pas ndarjes së mandateve nëpër parti, votat e këtij votuesi do t’iu llogariten kanditatëve që ka votuar ai me emër e mbiemër. Ky model për momentin do ju konvenonte më së tepërmi partive të reja opozitare, ende të paetabluara, pasi do të merrnin një pjesë të votave që përndryshe do të shkonin te dy partitë e vjetra.

Kualiteti i deputetëve – Pasi fjalën e fundit se kush do të bëhet deputet në modelet e listave të hapura e kanë votuesit, preferencat e liderëve partiakë këtu luajnë rol minimal. Me këtë zvogëlohet edhe fuqia e elitave partiake dhe në përgjithësi minimizohet serviliteti i deputetëve. Listat e hapura në përgjithësi rezultojën me deputetë më kualitative dhe më të pavarur. Në këto modele është e vështirë që të zgjidhen deputetë që nuk kanë asnjë virtyt përveç dëgjueshmërisë absolute ndaj elitave, si që kemi patur me bollëk në përbërjet e fundit të parlamentit.

Eliminimi i më të aftëve – Nga ana tjetër po i njëjti fenomen mund të ndjellë frikë brenda partive nga politikanë të aftë dhe të popullarizuar, por të papërshtatshëm për elitat. Është plotësisht e mundshme që kjo të shtyjë elitat partiake të eliminojnë kandidatët e këtillë qysh në fillim, duke mos i kandiduar fare në zgjedhje.

Testimi i liderëve – Listat e hapura janë teste konstante për lidershipet partiake, pasi bëjnë të mundur që në zgjedhje ndonjë kandidat të fitojë më tepër vota edhe se vetë lideri i partisë. Në zgjedhje me këto modele anëtarësia e një partie mund të dërgojë sinjale të fuqishme për ndryshim të lidershipit, pa patur nevojë të mbahen kongrese të veçanta partiake. Mu për këtë listat e hapura nuk shihen me sy të mirë nga lidershipet, pasi ju kufizojnë dhe rrezikojnë kontrollin mbi partinë.

Kuotat dhe diskriminimi pozitiv – Gjatë zgjedhjeve në demokracitë e reja shpesh praktikohet i ashtuquajturi diskriminim pozitiv, nëpërmjet përcaktimit të kuotave të garantuara për grupe historikisht të diskriminuara. Tek ne për shembull partitë janë të detyruara që një të tretën e deputetëve ti kenë femra. Kërkesat e këtilla realizohen lehtë në modelin me lista të mbyllura, por bëhen të pamundshme ose tejet absurde në modelet me lista të hapura. Nëse edhe më tej insistohet në diskriminim pozitiv, lehtë ndodh që persona me më pak vota të bëhen deputetë në dëm të disave që kanë fituar më tepër vota. Ky fenomen për shembull ndodh rregullisht në Kosovë, ku plot femra dhe pjesëtarë të minoriteteve bëhen deputetë me fare pak vota, ndërkohë që plot meshkuj mbesin jashtë parlamentit edhepse kanë më tepër vota. Në zgjedhjet e fundit në Kosovë deputete janë zgjedhur vetëm 14 femra, por që të mbushet kuota e një të tretës në parlament kanë hyrë 32. Ndërkohë 18 meshkuj që kanë fituar në zgjedhje kanë mbetur jashtë parlamentit. Diskriminimi pozitiv i kombinuar me listat e hapura pra mund të shkaktojë shtrembërim të skajshëm të vullnetit të popullit dhe të rezultojë me parlament të kurdisur.

Betejat brendapartiake – Në modelet e listave të hapura paralelisht me fushatën për partinë secili kandidat lufton të sigurojë vota konkrete edhe për vete. Kjo i jep shtytje konkurencës dhe fërkimeve mes kandidatëve të së njëjtës parti. Për më tepër, nëse votuesit i mundësohet të votojë më tepër kandidatë, kjo shkakton formimin e klaneve brendapartiake. Kandidati M për shembull mund të agjitojë që votuesit e tij t’i votojnë edhe kandidatët N dhe P, me kusht që ata të bëjnë të njëjtën gjë për M-në. Kjo normalisht bie ndesh me një grup tjetër ABC apo grupe tjera brenda të njëjtës parti. Modeli i listave të hapura pra detyrimisht shkakton beteja të ashpra dhe lojëra pas shpine brenda partive.

Numri i deputetëve shqiptarë – Për numrin e deputetëve shqiptarë nuk luan asnjë rol nëse zgjedhjet bëhen me lista të hapura apo të mbyllura. Nga ana tjetër listat e lira (plotësisht të hapura) mundësojnë skenare tjera interesante. Për shembull ndonjë parti maqedonase mund të ofrojë kandidatë shqiptarë në listat e saja, të cilët pastaj si individë mund të marrin vota të mjaftueshme për t’u zgjedhur deputetë. Atëherë ata assesi nuk do të mund të konsideroheshin si figura të thjeshta, sepse me votat e fituara janë plotësisht të barabartë me gjithë deputetët tjerë shqiptarë, pa marrë parasysh se i takojnë një partie maqedonase. E njëjta gjë natyrisht vlen në kahjen e kundërt.

Në përgjithësi nëse adreson si duhet numrin e votave, diskriminimin pozitiv e të tjera, modeli i zgjedhjes proporcionale me lista të hapura është më demokratik se ai me lista të mbyllura. Ai jep deputetë më kualitativ dhe më të pavarur, dobëson tendencat autokratike brenda partive dhe njëkohësisht garanton përfaqësimin adekuat të të gjitha opcioneve politike. Me këtë ai është rruga e mesme më e qëlluar mes përparësive dhe dobësive të sistemit të shumicës dhe atij proporcional me lista të mbyllura.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button