Departizimi, Kuvendi duhet të kontrollojë edhe Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial

Kuvendi fillimisht duhet të ngrit transparencën dhe llogaridhënien e tij, sepse nga praktika paraprake dhe raportet e shumta që Instituti për Demokraci “Societas Civilis” i ka zhvilluar më herët, cilësia e debateve dhe argumenteve të deputetëve nuk ka qenë në nivelin e duhur, shkruan Portalb.mk.

Në këtë rrjedhë, kryeparlamentari Talat Xhaferi, në konferencën e sotme “Përforcimi i rolit të Kuvendit- ndërmjet reformave dhe vullnetit politik” vlerësoi se Kuvendi i Maqedonisë duhet të jetë fuqia e tërë shtetit duke ushtruar kontroll ndaj pushtetit ekzekutiv, edhe pse siç vlerëson ai, duhet të jetë e kundërta.

“Sipas rregullit, fuqia është tek pushteti ekzekutiv, sërish Kuvendi në këtë pikëpamje ushtron kontroll ndaj pushtetit ekzekutiv. Kjo bëhet që Kuvendi, nëpërmjet kontrollit dhe praktikave evropiane të ngrit përgjegjësinë e institucioneve. Që kjo të ndodh në Maqedoni duhet vullnet politik”, tha Xhaferi

Siç bëri të ditur Xhaferi, në këtë pikëpamje, do të ndryshohet kanali i transmetimit të Kuvendit me qëllim që të pasurohen përmbajtjet e transmetimit të drejtpërdrejtë.

“Si kryetar i Kuvendit do të jem i gatshëm për të dhënë angazhimin tim në këtë sferë”, tha Xhaferi.

Ndërsa Ardita Abazi nga “Rrjeti 23” theksoi disa hapa konkrete të cilat duhet ti bëj Kuvendi, në ngritjen e kapacitetit të saj, jo vetme në mënyrë kuantitative, por edhe cilësore.

“Kuvendi duhet të tregojë se ka kapacitet, jo në numra por në cilësi. Kjo duhet të bëhet duke treguar transparencë ndaj qytetarëve për aktivitetet e deputetëve dhe organeve tjera kuvendare. Ne kemi mbikqyrë punën e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial, mirëpo që të dy kanë pasur mangësi në përzgjedhjen e funksionarëve si pasojë e partizimit të tyre”, tha Abazi.

Si pasojë e kësaj, ajo vlerëson se duhet të bëhen ndryshime në llogaridhënien dhe transparencën e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial, nga ana e Kuvendit si dhe të krijohet strategji për menaxhim sa më efektiv të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial.

Mirëpo, deputeti i LSDM-së, Hari Llokvenec vlerëson se duhet edhe ndihma e ekspertëve dhe rritja e financave për realizim të këtyre strategjive.

Ndërsa deputeti i opozitës shqiptare, Lëvizjes BESA, Afrim Gashi vlerësoi se ata si parti do të bëjnë çmos që të ngritet cilësia në Kuvend, për të cilën arsye ata nuk marrin sot pjesë në takimin e thirrur nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Kuvendit duhet ti rikthehet vendi i tij që është në shtet, institucioni qendror në shtet dhe kjo duhet të bëhet me angazhim të madh nga të gjitha subjektet. Rikthimi i transparencës dhe fuqisë së Kuvendit paraqet edhe atë ridefinim që quajmë ne si BESA. Fakti që në nuk marrim pjesë në takimin e sotëm është se vlerësojmë së debati duhet të zhvillohet në Kuvend e jo në hotele. Në këtë pikëpamje, ne duhet të kontribuojmë që të mos bëjmë parada fotografish, por angazhim politik”, tha Gashi

Edhe pse debati në Kuvend për Platformën Shqiptare merr kohë sërish Gashi vlerëson se Platforma dhe Kuvendi nuk duhet të shikohen si çështje të ndara, por të njëjta.

“Duhet të formohen grupe pune, dhe të flasim në kuvend dhe të shohim se çfarë në mund të bëjmë në këtë pikëpamje”, tha Gashi.

Ndryshe, transparenca dhe llogaridhënia përfshirë këtu edhe punën e deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë një kohë të gjatë mbikqyret nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button