Veseli: Nuk shoh alternativa, Haradinaj do të jetë kryeministër

“Mandatari ynë Ramush Haradinaj do të jetë kryeministër i Kosovës, për arsye se është një çështje e interpretimit të vet vullnetit të qytetarëve tanë”, ka thënë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një intervistë për REL, njofton Portalb.mk.

“Të njëjtën kohë është një respektim i Kushtetutës së Republikës sonë. Do të thotë, alternativat janë pothuajse fare inekzistente që Ramush Haradinaj të mos jetë kryeministër i Qeverisë së Kosovës për katër vitet e ardhshme’, ka deklaruar Veseli.

Krahas të tjerave, Veseli beson shumë se me certifikimin e rezultateve, presin kah data 25 qershor, që të kenë menjëherë implementimin e rezultatit zgjedhor, i cili është i 11 qershorit, ku, siç shprehet ai, koalicioni fitues është ai i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, partisë Nisma si dhe partnerët e tjerë të koalicionit.

Ai ka vlerësuar se “ideale do të jetë, në rend të parë që të respektohen procedurat, të respektohet vullneti i qytetarëve. Të gjitha partitë, kur kemi dalë në zgjedhjet e 11 qershorit, kjo ka qenë arsyeja pse kemi shkuar në koalicione”.

I pyetur se pse nuk shkuan të vetëm në zgjedhje ai ka thënë se nuk ka dashur të përsëritet situata e vitit 2014.

“Arsyeja pse nuk kemi shkuar të vetme, ka qenë pikërisht situata e vitit 2014. Andaj, në mënyrë që të mos kemi një ripërsëritje të një bllokade, vet unë si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës e kam bërë hapin përmes futjes në këtë koalicion me partnerët e tjerë të koalicionit, në mënyrë që të mos kemi bllokada të cilat po krijojnë stres dhe më tepër ftohje te qytetarët tanë”, tha Veseli.

Ne duhet të orientohemi, në rend të parë nga interesat e qytetarëve. Institucionet duhet të krijohen sa më shpejt dhe në të njëjtë kohë të marrim përgjegjësitë për përmirësimin e jetës së njerëzve tanë.

Unë besoj shumë se do të ketë reflektim. Do të ketë reflektim pozitiv nga faktorët politikë aktual të cilët kanë garuar në zgjedhjet e 11 qershorit, në mënyrë që, pas datës 25 qershor, kur ne po presim, të paktën kështu thotë KQZ-ja, që të kemi implementimin e rezultatit zgjedhor pas certifikimit.

Për sa i përket bashkëpunimit me Listën Serbe, ai ka shprehur se minoritetet janë faktor konstruktiv i shtetit të Kosovës, duke thënë se do të ketë përfshirje të gjerë të faktorëve politik.

“Kjo shoqëri, jam shumë i sigurt se ka nevojë që ta zëvendësojë mllefin me arsyetimin dhe dëshirën për të ecur përpara. Jo revansh. Por, le të merremi me atë se çka është interes edhe i shtetit dhe në të njëjtën kohë edhe i qytetarëve tanë”, ka thënë Veseli.

Vesei duke shprehur për gjasat se a mund të pritet që PDK të shkojë në opozitë është shprehur kështu: “Për Partinë Demokratike të Kosovës këto janë zgjedhjet e katërta nga të cilat del fituese. Është e rrallë në Ballkan që ka ndodhur një situatë e tillë, këtë herë së bashku me partnerët e koalicionit. Por, po e them sërish, nuk është çështje jetësore për ne të jesh pozitë apo opozitë. Jetësore për ne është të qenit shtet i pavarur dhe sovran, fuqizimi i këtij shteti, orientimi i drejtë”.

 

“Kjo është garanca të cilën e ka ky shtet me PDK-në, pastaj nga orientimi ynë perëndimor me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian dhe të njëjtën kohë nga zhvillimi ekonomik. Këto janë garancat nga të cilat PDK nuk heq dorë kurrë”, tha Veseli.

 

Ai përfundoi se mandatari i tyre, Ramush Haradinaj do të jetë kryeministër, ngaqë ai është vullneti i shumicës së qytetarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button