ANALIZË: Pensionet dhe paratë nga jashtë – vendimtare për jetesë!

Madje 53% e qytetarëve do të pranonin të punojnë për rrogë prej 8.000 deri në 16.000 denarë, ndërsa vetëm 0,5 për qind mendojnë për rrogë në nivel të 40.000 denarëve ose më shumë. Nga numri i përgjithshëm i të papunësuarve, mbi 70 për qind jetojnë dhe mbështeten në të ardhurat nga rroga ose pensioni i anëtarëve të tjerë të familjes. Këto janë një pjesë e konstatimeve nga hulumtimi i ri “Anketa e fuqisë punëtore”, të cilin e publikoi Enti statistikor. Sipas një pjese të sociologëve që i konsultoi Portalb.mk papunësia afatgjate e të rinjve të aftë për punë shkakton probleme afatgjate, të cilat nga njëra anë i dekurajojnë të rinjtë, mirëpo nga ana tjetër i “motivojnë” të largohen prej vendit në kërkim të të ardhmes më të mirë.

Pensionet dhe paratë nga jashtë – vendimtare për jetesë!

Në Maqedoni ka 225.049 të papunësuar dhe 730.290 qytetarë joaktivë, ku bëjnë pjesë pensionistët, studentët, amviset, personat që kujdesen për njerëzit e tjerë ose që marrin ndihmë sociale. Hulumtimi i ri i Entit për statistikë tregoi se madje 18,2% e qytetarëve do të pranonin të punojnë për rrogë prej 130 deri në 195 еuro, ndërsa 34,8 për qind do të punonin për të ardhura mujore prej 195 еuro deri në 260 еuro. Vetëm 0,5 për qind e qytetarëve mendojnë se do të pranonin punë për rrogë prej 650 еurosh. Të rinjtë edhe më tutje janë më skeptikët për punësim – ose pothuajse 10.000 persona të moshës prej 15 deri në 34 vjet nuk kanë motiv të kërkojnë punë për shkak se konsiderojnë se nuk ka vende të lira. Përqindje më të madhe të papunësisë ka pikërisht në këtë kategori të moshës, shkruan Portalb.mk.

Përqindjet e papunësisë:

prej 15 deri në 19 vjet – 50,4%

prej 20 deri në 24 vjet – 46,4%

prej 25 deri në 29 vjet – 36,1%

Sipas sociologëve, papunësia afatgjate në moshë të hershme të punës te të rinjtë ka pasoja negative afatgjate.

“Si e para, është interesante informata se fuqia punëtore (të punësuar dhe të papunësuar) të moshës prej 15-29 vjet zvogëlohet. Në fakt, prej 234.549 në vitin 2006, ky numër ka rënë në 209.159 në vitin 2016, ose për 25.390 njerëz, gjegjësisht për 11%. Mirëpo, poashtu zvogëlohen personat joaktivë të moshës prej 15-29 vjet (personat që janë në procesin arsimor, gjegjësisht personat që përgatiten për tregun e punës) prej 249.047 në vitin 2006, në 226.061 në vitin 2016, ose për 22.986 persona, gjegjësisht për 9,2%. Republika e Maqedonia me përqindje të papunësisë prej 23,7%, (Anketa e fuqisë punëtore e vitit 2016) gjithsesi nuk ofron perspektiva të mira për integrimin shoqëror të të rinjve, veçanërisht nëse e marrim parasysh faktin se përqindja e tyre e papunësisë është 41%. Që do të thotë se mbi dy të pestat e fuqisë punëtore te të rinjtë është e pamundësuar që të fitojë përvojë pune dhe të ardhura” – sqaron për Portalb.mk  profesori universitar Jorde Jakimovski.

Të dhënat tregojnë se nga gjithsej 225.049 të papunësuar, 159.103 ose 70,6% jetojnë nga të ardhurat, rroga ose pensioni i ndonjë anëtari tjetër të familjes, ndërsa 5% të të papunësuarve presin ndihmë në para nga familjarët ose të afërmit që jetojnë jashtë vendit.

Te popullata joaktive e cila numëron 730.290 njerëz, madje 388.914 ose 53,2% mbështeten në të ardhurat nga rroga ose pensionet e anëtarëve të tjerë të familjes, ndërsa 3 për qind presin të ardhura nga jashtë. Hulumtimi i ri tregon se te popullata joaktive – njëra nga të ardhurat kryesore janë pensionet nga të cilat jetojnë mbi 33 për qind e kësaj kategorie të popullatës joaktive. Për nga rëndësia, pas të ardhurave vijnë beneficionet sociale nga të cilat jetojnë 34.414 njerëz ose 4,7%.

“Pyetje kyçe që parashtrohet në Republikën e Maqedonisë është se sa statusi ekonomik i anëtarëve të familjes ndikon mbi varfërinë? Për pjesën më të madhe të njerëzve që jetojnë në Maqedoni, rroga është burimi kryesor i të ardhurave, ndërsa mospasja e të ardhurave është shkaku më i madh i varfërisë. Kështu, qasja në tregun e punës dhe rrogat që i marrin janë kyçe gjatë përcaktimit të mjeteve të individëve dhe të familjeve, e poashtu janë shumë të rëndësishme për të pasur siguri dhe kontroll mbi ato mjete.” – sqaron për Portalb.mk profesori Jakimovski dhe shton:

“Puna me vete sjell edhe beneficione të caktuara në kuptim financiar dhe social, mirëpo megjithatë nuk është i vogël as numri i atyre që mbeten të varfër dhe të përjashtuar, edhe pse janë të punësuar. Mungesa e të ardhurave, e qasjes në shëndetësi cilësore, e strehimit dhe e cilësisë së mjedisit jetësor lokal ndikon mbi mirëqenien e popullatës në Republikën e Maqedonisë. Përgjigja në pyetjen se a ia vlen të punohet është shumë e ndërlikuar, mirëpo marrë në përgjithësi, është pozitive – puna është në korrelacion me nivel më të ulët të varfërisë. Vështirësitë gjatë punësimit shkaktojnë problem në nivel individual dhe shpenzime në nivel shoqëror”.

Sipas të dhënave zyrtare të statistikës shtetërore, nga numri i përgjithshëm i të punësuarve, 589.774 janë të punësuar formalisht, ndërsa 133.777 janë të punësuar joformalisht ose në çdo të punësuar të pestë formalisht – ka nga një të punësuar në ekonominë joformale.

One thought on “ANALIZË: Pensionet dhe paratë nga jashtë – vendimtare për jetesë!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP