HOMO DEUS (II)

Yuval Noah Harari, veprën me titullin që mban ky artikull (2016), që thyen rekorde, ku flet për të ardhmen e njerëzimit dhe të qytetërimit të shekullit tonë, nuk dëshiron ta shohë si tërësi profecish, por si fizkulturë mendore – bazuar në të dhëna – rreth mundësive të shumta të zhvillimeve, pa një vështrim deterministik dhe pa fiksim në një skenar të vetëm. Sipas tij, jeta nuk është një teatër, njerëzit nuk mund të kufizohen me role të paracaktuara (f. 213), mund të bëjmë atë që duam dhe “nuk ka pengesë tjetër pos injorancës sonë”.

LEXO: HOMO DEUS (I)

Mund t’i kapërcejmë edhe epidemitë, dhe thatësirat edhe luftërat në saje të fesë së ekonomisë apo progresit. Hulumtimet i nxisin zhvillimet teknologjike dhe kështu mund të arrihen ushqime më të shumta, mjete më të shpejta, ilaçra më cilësorë, mund të zotërojmë eliksirin e rinisë. Por, zhvillimi marramendës mund të na shpie edhe drejt fundit tonë. Kultura moderne si asnjëherë më parë kërkon, prodhon, zbulon, rritet, por na ka prurë ballë për ballë me një brengë të madhe të ekzistencës.

Formula “më tepër” dhe “feja e rritjes” (f. 225) është ajo në të cilën besojnë dhe ligjëruesit e hinduizmit (Narenda Modi), edhe prijësit myslimanë (R.T. Erdogan), edhe nacionalistët japonezë (Shinzo Abe), edhe komunistët kinezë (Xiaoping), të mos flasim për ithtarët e kapitalizmit liberal, por që sfidon humanitetin. Sot, duke zbuluar burime të cilat janë të domosdodhme për të lëvizur rrotën e civilizimit, shkilet mbi habitatin ekologjik, vlerat sociale dhe tradicionale. Por edhe dy burimet siç janë lënda e parë dhe energjia kanë fund. Zgjidhja është te elementi i tretë, dituria.

Për ta arritur statusin kur çdo banor i botës do e ketë standardin dhe kushtet e jetesës së SHBA-ve kemi nevojë edhe për disa planete tokë, kurse e në fakt e kemi vetëm këtë. Shkenca, nanoteknologjia, inxhineringu gjenetik dhe inteligjenca artificiale do të bëjnë revolucion në sferën e prodhimit, do të hapin rafte të reja në supermarketet që gjithnjë e më tepër po zgjerohen. Pra sot dominant është kursi i invencioneve. Përderisë në të kaluarën brenda një shekulli ka mjaftuar një zbulim i ri, sot në çdo dy vjet duhet të bëjmë nga një ‘mrekulli’. (f. 227) E shenjtërojmë përparimin por ky avancim na shpie deri te apokalipsa shenjat e  apokalipsës. Në vitin 2013, për shkak të ndotjes frynëzënëse, diplomatët e huaj dhe kinezët e pasur ndjenë nevojën që të investojnë pesë milionë dollarë që shkollën e fëmijëve të tyre “Beijing International School” ta mbulojnë me një kupolë.

Ekspertët thonë se për të shpëtuar nga kjo gjendje që po globalizohet në mënyrë marramendëse, duhet që të ndalohet ritmi i zhvillimit ekonomik, pas dhjetë viteve rritja ekonomike të ndalet te 3%, pas njëzet viteve te 1%-shi, gjë të cilët fuqitë e mëdha dhe biznesi nuk e pranon (SHBA-të nuk e  nënshkruan Protokolin Kyotos). Në vitin 2015 me Marrëveshjen e Parisit u vendos që nxemja të zbritet në 1.5 pikë, por kjo iu la brezave të ardhshëm, vitet 2030, madje gjysma e dytë e shek. XXI.

Pasanikët dhe pjesëtarët e shoqërive të kategorisë WEIRD (perëndimore, të arsimuara, të industrialuzuara, me mirëqenie dhe demokratike) mendojnë për anijen e Noas (Nuhut), kurse shtresat e ulëta si t’i paguajnë borxhet e  kartelave kreditore e jo si ta ndalojnë shkrirjen e akullnajave. Sot rreth 1.5 miliardë njerëz jetojnë me fitim prej 1 deri më dy dolarë në ditë. Në vitin 2016, 62 njerëzit më të pasur të botës kanë zotëruar pasuri të barabartë me atë të 3.6 miliardë njerëzve më të varfër të globit.

Shtresat e ulta kanë konstatuar se në një botë kapitaliste jeta e tyre mund të përmirësohet vetëm me rritje ekonomike. Andaj, duke e kritikuar kapitalizmin, nuk duhet shpërfillur dobitë e tij. Është e vërtetë se jetojmë nën trysni të vazhdueshme, se duhet të heqim dorë nga kuptimi, nga morali, bukuria dhe mëshira, por megjithatë jetojmë më mirë se sa në të kaluarën, në saje të humanizmit. Do shënuar se edhe kjo fazë është kah ikën, kemi arrritur në epokën e  algoritmave dhe të dataizmit – përdëfton Harari. Në fillim të shek. XXI treni i përparimit edhe një herë po bëhet gati të niset nga peroni i vet, dhe ata që do ta humbin gjasën për t’u ngjitur në të nuk do të kenë një tjetër. “Nëse doni të keni një vend në të, do të duhet që të rrokni teknologjinë e këtij shekulli, në veçanti bioteknologjinë dhe fuqinë e algoritmave të kompjuterit” (f. 286).

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button