HOMO DEUS (I)

Ali Pajaziti

Ali Pajaziti

Ose nëntitulli “Historia e shkurtër e të nesërmes”. Vepër e autorit Yuval Noah Harari, është një libër me të cilin shoqërohemi dy javët  e fundit. Një libër bestseller, botuar në vitin 2011, i përkthyer deri më tani në 30 gjuhë të ndryshme të botës. Përkthimi i titullit Homo Deus është “njeriu zot”, ndërsa brendësia e tij flet për njerëzimin që po i fërkon sytë në mileniumin e tretë, çdo ditë duke u zgjuar me pyetjen se “çka do të ketë sot në agjendën tonë?”, ndërkohë duke hapëruar drejt një bote që i ka kapërcyer tre problemet kryesore: skamjen, epidemitë dhe luftërat.

Në shekullin XXI, për herë të parë numri i njerëzve që vdesin nga ushqimi i tepërt është më i madh nga numri i atyre që vdesin nga uria, zgvogëlohet numri i vdekjeve nga infeksionet dhe rritet numri i vdekjeve nga pleqëria, sot për herë të parë është më i madh numri i atyre që vetëvriten sesa i atyre që vdesin nga ushtritë, terroristët ose kriminelët. Në fillim të shekullit XXI njeriu mesatar ka gjasa më të mëdha të mbytet nga menytë e McDonald’sit se sa nga thatësia, virusi i Ebolës ose nga sulmi i Al-Kaidës. Në vitin 2010 skamja dhe ushqimi i pamjaftueshëm kanë marrë jetën e një milion njerëzve, kurse obeziteti ka vrarë diku rreth tre milionë njerëz. Në vitet 1330 nga bakteria Yersinia Pentis kanë vdekur nga 75 deri më 200 milionë njerëz, gjysma e banorëve të Firencës 100 mijëshe e kishin humbur jetën.

Hawai në vitin 1778 kishte rreth gjysëm milioni banorë, kurse në vitin 1853 si pasojë e tifos dhe lisë kishin mbetur gjallë vetëm 70 mijë banorë. Mes viteve 1914 dhe 1918 në Europë e vdiqën rreth 40 milionë njerëz. Sot pasojat e bakterieve dhe epidemive janë minimizuar skajshmërisht, për mos të thënë janë eliminiuar tërësisht: Organizata Botërore e Shëndetësisë në vitin 2016 shpalli se Ebola është mundur. Ndërkohë edhe vdekjet nga AIDS-i janë pakësuar tejmase. Në vitin 2012 nga 56 milionë vdekje, vetëm 620 mijë janë shkaktuar nga dhuna (120 mijë nga luftërat, 500 mijë nga krimet individuale). Sipas Hararit sot njerëzimi e ka parë absurditetin dhe palogjikshmërinë e luftës (f. 28) dhe i ka kuptuar domethëniet e shumta të paqës. Vitin e ardhshëm, lufta mes Polonisë de Gjermanisë, mes Indonezisë dhe Filipineve apo Brazilit dhe Uruguajit as që imagjinohen.

Terrorizmi sot i përngjan një insekti që mundohet ta zhbëjë një dyqan të madh të ornamenteve dhe produkteve të xhamit. Nëse hyn në punë sërish ligji i xhunglës për këtë nuk do të jetë përgjegjës terrorizmi. Sipas Hararit, në saje të inxhinierisë gjenetike ne mundemi të ngadhënjejmë ndaj kancerit, t’i përmirësojmë genet vdekjeprurëse, për kurimin e autizmit, të idiotizmit, do të zotërojmë katalogjet gjenetike, do ta kemi mundësinë për krijimin e një shoqërie të përbërë nga supernjerëzit. Kapitalizmi kërkon prej neve të vrapojmë pas pavdekësisë, lumturisë dhe fuqisë hyjnore. Evolucioni duhet të zhvillohet sipas kësaj vije, Homo Erectus, Homo Sapiens, Homo Deus, ky i fundit, njeriu perëndi që do të jetë produkt i bioinxhinierëve, që do të shkruajnë nga e para kodin gjenetik të njeriut, që do t’i lidhin qarqet e trurit sërish, që do ta ndryshojnë baraspeshën biokimike, që madje do zhvillojnë organe të reja njerëzore. Në shekullin XX, jeta mesatare e njeriut është rritur shumë, nga dyzet në shtatëdhjetë, kurse në shekullin XXI, mund të kalohet në një jetë mesatare njëqind e pesëdhjetë vjeçare.

Kurzweil, një nga menaxherët e inxhinierisë pranë Google, në vitin 2013 themeloi një firmë që synon zgjidhjen e çështjes së vdekjes. Njëri nga themeluesit e PayPalit, Peter Thiel, një nga ndërmarrësit më të suksesshëm të Ultësirës së Silikonit, pohoi se në të ardhmen “planifikon të jetojë përgjithmonë. Apologjetët e kësaj teze pohojnë se në vitin 2100 ose 2200, çdokush që do të ketë një trup të shëndoshë dhe një llogari bankiare të majme, në çdo dhjetë vjet do të mund të shkyejë nga një qefin. Sipas tyre, bota është një teatër njëpersonësh të cilin e menaxhon njeriu, jemi në fazën tejteokratike, në atë të adhurmit të njeriut. Një vështrim shumë interesant i autorit është edhe ai se si bankat dhe shtetet janë metafora dhe asgjë tjetër, por me pasoja sociale. Banka nuk përjeton dhembje nga zhvlerësimi i euros, as shteti nga lufta. Varfërinë dhe vdekjen për vatan i ndjen njeriu. Por pa paranë, shtetin dhe kompanitë si rrëfime nuk mund të ekzistojë asnjë shoqëri e ndërlikuar njerëzore. Një gjë interesantë që e zbërthen Harari janë rrëfimet si themele dhe shtylla të shoqërive njerëzore.

Të gjitha fetë dhe ideologjitë përdorin narracione legjitimuese të veprimeve të tyre. Fëmija hebre që pyet pse hebrenjtë nuk konsumojmë mish derri, merr këtë përgjigje: “Yankele, sepse Zoti na ndëshkon dhe fundin e kemi tmerr, apokaliptik!” Në vitin 1943, një oficeri të SS trupave nëse do t’i shtrohej pyetja nga djali i vet se pse i vrasin hebrenjtë, do të përgjigjej se ky është ligji i botës, se “nëse i lejojmë të jetojnë ata do ta degjenerojnë botën, e kështu do na vijë fundi.” Hitleri s’e ka krijuar botën, ai vetëm i ka analizuar ligjet e natyrës dhe ka urdhdëruar të jetojmë në bazë të tyre. Në vitin 2016 fëmija e pyet të jatin liberalist se pse iu interesojnë atyre të drejtat e njeriut në indjen e Mesme myslimane, përgjigjja që ka marrë është kjo: “Duncan, ti je ende i ri, s’i kupton do gjëra; të gjithë njerëzit kanë një natyrë, duhet t’i shfrytëzojnë të drejtat e njëjta. Ky nuk është mendim imi e as i parlamentit. Botën s’e ka krijuar parlamenti, ai  vetëm mundohet ta kuptojë atë. Duhet t’i mbrojmë të drejtat e myslimanëve të Lindjes së Mesme, përndryshe sa hap e mbyll sytë, cënohen edhe të drejtat tona dhe fundin e kemi si më keq, katastrofë!”

Nga leximi i kësaj vepre konstatojmë përmasat sociologjike, antropologjike, scientizmin dhe qasjen pozitiviste të Hararit, i cili e hyjnizon shkencën dhe synon përmes saj ta realizojë premtimin parak djallëzor: pavdekësinë humane, gjë që është një nihil, një e pamundur, verifikuar edhe kohërisht edhe empirikisht. Rëndësia e kësaj vepre qëndron në nxitjen e njeriut për të përparuar, për të mos u mjaftuar me atë që ka, për të vënë objektiva madje edhe joreale, por që nxisin kreativitet në të gjitha sferat e jetës, që motivojnë përballje me kataklizmat, me sëmundjet dhe me problemet  e ndryshme.

Njeriu kurrë s’bëhet Zot, por ama gjithnjë do ketë të atillë që do synojnë eternalitetin dhe sundimin planetar; faraonët, perandorët janë shembuj tipikë të këtij koncepti. Njeriu është bebëza e kreacionit dhe mund të jetojë dinjitetshëm përderisa respekton jashtësinë tejnjerëzore, nga bota bimore, shtazore deri te Zotëuesi i qiejve dhe tokës. Shkrimtari turk me prejardhje nga Shkupi, Jahja Kemal, një radhë ka pohuar se njeriu jeton përderisa imagjinon, përderisa ka iluzione. Edhe civilizimet, mbizotërojnë përderisa shfrytëzojnë fantazinë, fuqinë e vet imagjinative, që përkufizohet si shkathtësi ose veprim për formimin e ideve, imazheve ose koncepteve të reja,  nga të cilat rrjedhin ndërmarrjet dhe aksionet madhështore për ndryshime e avancim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP