Mediat e Maqedonisë më shumë propagandë se sa informim

Mediat në Maqedoni në përgjithësi kanë humbur vlerën bazike të gazetarisë, ata në vend se të publikojnë lajme të verifikuara dhe në shërbim të popullatës, publikojnë lajme të rreme dhe në shërbim të politikës. Ky ishte vlerësimi i ekspertit për media Sefer Tahiri dhe njëherit autorit të publikimit “Raportimi në interes të publikut” që u publikua sot në konferencën nacionale “Vetërregullimi medial dhe sfidat etike në media” e organizuar nga Këshilli për Etikë në Media në Maqedoni (KEMM), njofton Portalb.mk.

“Mungesa e saktësisë dhe verifikimit të informacioneve nga gazetarët në media tregon se kemi problem të madh. Mediat janë buzë greminës. Nga 150 raporte të shqyrtuara përgjatë punës së këtij publikim del se burimi i dytë nuk ekziston në media. Në Maqedoni nuk kemi media të cilat janë në distancë nga politika dhe si rezultat i kësaj është konstatuar se mediat janë nën direktivë të pushtetit. Prandaj ne kemi formuar një rregullativë e cila do ta sjell median në binaret e saja. Ne kemi gazetar dhe media të cilat më shume janë kanale propaganduese të cilat në mënyrë të patolerushme plasojnë gënjeshtra. Prandaj, ne nuk kemi media por propagande mediatike e cila u shërben politikanëve, e jo qytetarëve”, vlerësoi Tahiri.

Në këtë konferencë i pranishëm ishte edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoni, Samuel Zhbogar i cili u shpreh se vetëm etika dhe integriteti i inkorporuar mund të na ndihmojë të mbrohemi nga vlerat demokratike.

“Vetëm etika dhe integriteti të inkorporuar në hapa praktike mund të na ndihmojnë të mbrohemi dhe përsëri t’i arrijmë vlerat demokratike kur janë nën kërcënim. Roli i mediave, që konsiderohet të jenë këshilltarë i popullit është esencial në këtë kuptim”, tha Zhbogar.

Krahas Zhbogar, e pranishme ishte edhe ambasadorja e OSBE-së në Shkup, Nina Somalainen e cila vlerësoi se edukimi mediatik paraqet edhe mënyrën se si të shmangen lajmet e rrejshme.

“Edukimi mediatik i mediave digjitale është një nga mënyrat se si të shmangen lajmet e rrejshme. Vetë-rregullimi i mediave mund të jetë zgjidhje, duke pasur parasysh se ndihmon të rritet gazetaria etike e orientuar kah e vërteta”, tha Somalainen.

Përndryshe, konferenca “Vetërregullimi medial dhe sfidat etike në media” u realizua nga Këshilli për Etikë në Media në Maqedoni (KEMM) i cili paraqet grand i projektit “#ReForMedia, avancimi i bashkëpunimit ndërmjet organizatave qytetare, institucionet dhe qytetarëve në zbatim të reformave për sferën mediale”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button