“Kumanova”, Gjykata duhet të tregojë se cilët politikanë do të dëshmojnë

Në sallën e madhe të Gjykatës Supreme sot ka vazhduar gjykimi për rastin e njohur në opinion si “Lagjja e Trimave”, njofton Portalb.mk.

Një pjesë e seancës së sotme ka  qenë e mbyllur për opinionin pasi që Prokuroria e ka prezantuar një video të aksionit policor. Pas kësaj gjykimi ka vazhduar me propozimin e dëshmive nga pala mbrojtëse.

Avokati i palës mbrojtëse, Mefail Arsllani, për Portalb, tha se ka mbaruar pjesë e dëshmive të pjesëtarëve të grupit, ndërkaq tani vijojnë dëshmitë plotësuese të propozuara ata.

“Tani vijojnë dëshmitë plotësuese të propozuara nga ne. Tani pritet që Gjykata të tregojë dhe sqarojë se cilat nga propozimet e tona i pranon dhe cilat jo”, tha Arsllani.

Në lidhje me atë se kur do të thirreshin personat tjerë për dëshmi plotësuese, Arsllani tha se ajo varet nga caktimi i Gjykatës.

Në seancën gjyqësore më 21.10.2017, avokati i palës mbrojtëse, Naser Raufi ka zbuluar disa emra të cilët duhet të dëshmojnë për rastin në fjalë.

“Ali Ahmeti – kryetar i BDI-së, Musa Xhaferi- ish zv/kryeministër, Artan Grubi – deputet i BDI-së, Zimri Qamili- ish zv/ministër i Brendshëm, Arif Asani – zv/drejtor i DSK-së, Shenasi Mehmeti – Agjencia e Inteligjencës, Nimetulla Abdullahu – DSK, Sadulla Duraku – Kryetar i Komunës së Likovës, Sasho Mijallkov – ish drejtor i DSK-së, Mitko Çavkov – ish ministër i Brendshëm, Stojanço Angellov – “Dinjiteti”, Hysni Shaqiri – ish politikan, Ejup Alimi – ish sekretar shtetëror në SIOFA, tani deputet…”, janë disa prej emrave të përmendur nga avokati mbrojtës Raufi.

Në rastin “Kumanova – Lagjja e Trimave” akuzohen 37 persona, për veprën “terrorizëm”, për ndodhitë e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Kumanovë, në të cilën një grup i armatosur është përleshur me forcat e sigurisë të Maqedonisë. Nga rasti në fjalë, u vranë 8 policë nga njësitet speciale dhe nga njësitet e veçanta të MPB-së, ndërkaq 4 të tjerë u plagosën. Ndërkaq, humbën jetën edhe 10 pjesëtar të grupit të armatosur. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button