Sulmet e VMRO-DPMNE-së kundër Bejlit, vjen reagimi zyrtar nga Stejt Departamenti Amerikan

“Stejt Departamenti Amerikan e përkrah punën e ambasadorit Xhes Bejli”, thuhet në përgjigjen e ushtruesit të detyrës, zëdhënës i Stejt Departamentit të SHBA-së, Mark Toner, në pyetjen e “Zërit të Amerikës” në gjuhën maqedonase, pas spekulimeve në disa media se Ambasada në Shkup nuk flet në emër të administratës së SHBA-së, njofton Portalb.mk.

Toner është decid se nuk ka ndryshim të politikës amerikane ndaj Maqedonisë.

“Politika amerikane në Maqedoni e përkrah integrimin euro-atlantik të shtetit dhe reformat e nevojshme për zhvillim në atë drejtim. Ajo i përfshinë edhe reformat, sundimin e ligjit dhe implementimin e plotë të Marrëveshjes së Përzhinës”, thotë Toner.

Ai konfirmon se drejtimet e ambasadorit Bejli dhe ekipit të tij janë “të punojnë në partneritet me autoritetet e Maqedonisë por edhe me shoqërinë civile për përparim të politikës amerikane dhe qëllimeve të SHBA-së”.

Ai shtoi se Stejt Departamenti Amerikan ka besim të plotë në Ambasadën e SHBA-së dhe ambasadorin e Maqedonisë. Toner gjithashtu shtoi se SHBA si mik i Maqedonisë fuqishëm i inkurajon të gjitha palët që ta respektojnë sundimin e së drejtës, proceset demokratike dhe obligimet ndërkombëtare të Maqedonisë.

“Ne duam ta shohim Maqedoninë e fuqishme, në rrugën drejt rrugës  euro-atlantike”, tha Toner.

Reagimi i Stejt Departamentit Amerikan vjen një ditë pasi dje mediat proqeveritare në Maqedoni plasuan një kronikë, ku sipas së cilës, disa republikanë të Kongresit Amerikan e kanë akuzuar ambasadorin e SHBA-së në Maqedoni, Xhes Bejli, për anim politik dhe të njëjtët kanë kërkuar shkarkimin e tij.

Fushatën anti-Bejli e udhëheqë partia në pushtet VMRO-DPMNE, e cila ka njoftuar se kanë dërguar kërkesë deri te Donald Trump dhe partia republikanë që ta kontrollojnë punën e Xhes Bejlit në Maqedoni, duke e akuzuar se punon nën diktat të Sorosit dhe LSDM-së, transmeton Portalb.mk.

Lobimi i VMRO-DPMNE-së, nëpërmjet kongresmenëve ose nëpërmjet teksteve të paguara dhe shkrimeve të ndryshme nëpër gazeta të ndryshme dhe portale amerikane, ndërkaq gjatë kohës së fundit nëpërmjet kronikave në Radio Televizionin e Maqedonisë, po ndodh në kohën kur ministri i Mbrojtjes Zoran Jolevski, i cili më parë ishte ambasador në SHBA, po qëndron gjatë kohë atje, në vizitë zyrtare.

RTVM ka bërë një intervistë me kongresmenë amerikanë, të cilët sipas korrespondentes, kanë hapur hetim dhe kërkojnë përgjegjësi nga ambasadori Bejli për anim politik në vend. Ata thonë se “nuk do të heqin dorë nga hetimi”, sipas kronikës së RTVM-së.

Sipas kronikës së MTV-së kongresmeni udhëheqës republikan amerikan Kristofer Smit paralajmëroi hetim për politizimin e rolit të Ambasadës amerikane në Maqedoni dhe i bëri thirrje sekretarit të sapoemëruar të shtetit Reks Tilerson që ta shkarkojë ambasadorin Xhes Bejli.

Në krye të grupit nga gjashtë kongresmenë republikanë, ashtu siç shkruajnë mediat proqeveritare, Smit që nga mesi i janarit ka kërkuar shpjegim nga ambasadori Bejli për akuzat se Ambasada në Shkup punon në dobi të partive politike dhe financon projekte të fondacionit të Xhorxh Sorosit në Maqedoni.

Dje reagoi edhe Ambaada Amerikane e cila tha se janë të hapur për pyetjet nga Kongresi dhe për mundësinë që do ta kenë për të dhënë informacione në lidhje me aktivitetet e tyre dhe për kontekstin në të cilin punojnë për t’i arritur qëllimet.

“Ne do t’i përgjigjemi kësaj kërkese ashtu siç është kërkuar“, thanë nga Ambasadda e SHBA-së në Shkup. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button