Gruevski mund të krahasohet me famëkeqin Rankoviq, nuk i pranon ndihmat e huaja

Veprimet e Nikolla Gruevskit dhe retorika e tij kundër faktorit ndërkombëtar dhe fondacioneve nga jashtë nuk dallojnë nga ish zyrtari i lartë famëkeq, nga koha e Jugosllavisë, Aleksandar Rankoviç, shkruan Portalb.mk.

Këtë më së miri e vërtetojnë disa dokumente të CIA-së, të cilat zbulojnë veprime deri më tash të panjohura për opinionin e gjerë.

Bazuar në dokumentet e CIA-s, Aleksandar Rankoviç kishte ndaluar ndihmat nga SHBA-të, sepse sipas tij ndihma amerikane është përzierje në punët e brendshme të Jugosllavisë.

Dokument i CIA-s
Dokument i CIA-s

Ndihma- për mbathje, ushqim dhe nevoja tjera thelbësore aso kohe ishte siguruar nga UNRRA (United Nations Relief and Rehabilitation Administration), e cila kishte për qëllim të ndihmonte vendet pas Luftës së Dytë Botërore. UNRRA ishte Agjenci humanitare e përbërë nga SHBA dhe 44 shtete tjera. UNRRA ishte themeluar më vitin 1943 dhe pastaj u bë pjesë e Kombeve të Bashkuara më 1945, ndërkaq operacionet do t’i ndërprejë më 1947.

Ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe VMRO-DPMNE kanë nisur një fushatë kundër fondacioneve të huaja në vend, që kanë për qëllim ngritjen e vlerave demokratike në vend dhe aktivizmin qytetar.

Gruevskit paraprakisht kishte drejtuar gishtin ka ambasadat e huaja që përfaqësojnë vendet më me ndikim në botë, Portalb.mk.

“Kemi informacione, për përzierjen e disa përfaqësuesve të huaj në vend. Disa përfaqësues të pavarur, realisht nuk janë të pavarur. Disa ambasadorë nisën që të përzien, … VMRO-DPMNE nuk do të lejojë këtë gjë”, pat thënë lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Madje në Maqedoni është formuar edhe organizata e a.q. SOS (Stop operacioni Soros) që ka për qëllim t’i bind qytetarët se aktivitetet e Fondacionit Shoqëri e Hapur kanë për qëllim ndërhyrjen në punët e brendshme të shtetit.

Fakt ky që tregon se tanimë retorika e Gruevskit anti ndihmës ndërkombëtare është zgjeruar, shkruan Portalb.mk.

Kush ishte Rankoviqi?

Kujtojmë se Aleksandar Rankoviq dhe UDB-ja e udhëhequr prej tij, në Plenumin e Katërt të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, të mbajtur në Brione të Kroacisë më 1 korrik të vitit 1966, ndër të tjera qenë akuzuar se kishin ndjekur një politikë shtypëse, represive ndaj shqiptarëve, që pati për pasojë mijëra të zhdukur e të burgosur si dhe detyrimin e tyre që të braktisin trojet shekullore dhe të emigronin në Turqi.

Pas shkarkimit të tij nga të gjitha funksionet (deri atëherë ishte personi i dytë, pas Titos, me pushtet më të fuqishëm) në Kosovë dhe viset ku jetonin shqiptarët në Jugosllavinë e atëhershme filloi një periudhë gjatë të cilës u bën përparime në arsim, kulturë dhe ekonomi dhe kjo zgjati deri më 1980.

Rankoviq është konsideruar dhe si kasap i Kosovës.

Ai ishte nga më të urryerit në sytë e shqiptarëve pas luftës së dytë botërore, në Jugosllavinë e atëhershme, por i cili vazhdon të urrehet dhe të mbahet mend edhe sot për reprezaljet dhe shpërnguljet masive për në Turqi që u ka bërë shqiptarëve nga hapësirat etnike shqiptare në Jugosllavinë e atëhershme e posaçërisht në Kosovë në vitet e pas lufte e sidomos në të pesëdhjetat e gjashtëdhjetat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button