Për të kaluar platforma e shqiptarëve në Kuvend, duhen dy të tretat e shumicës në Kuvend

Partitë politike shqiptare të Maqedonisë, BDI, LËvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët, më 7 janar kumtuan se kanë dalë me platformë të përbashkët e cila do të jetë bazë për formimin e Qeverisë së re. Megjithatë, këto kërkesa, duhet të pranohen nga ndonjëparti e palës maqedonase, gjegjësisht VMRO-DPMNE ose LSDM, që të ketë dy të tertat në Kuvend, njofton Portalb.mk.

Në zgjedhjet e parakohshme të 11 dhjetorit në vitin 2016, koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka fituar 51 deputetë, koalicioni i udhëhequr nga LSDM 49 deputetë, Lëvizja BESA 5, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe PDSH 2 deputetë.

Pa shumicë prej 81 deputetë, ose gjegjëisht koalicionit të hapur të të gjitha partive të cilët kanë deputetë në Kuvend, implementimi i të gjitha pikave të platformës së shqiptarëve është e pamundur.

Deklarata i përmban këto pika:

  • Arritja e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën
  • Arritja e barazisë ekonomike dhe e mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal
  • Përforcimi i sundimit të së drejtës, si parakusht për ecurinë e procesit të integrimit euro-atlantik
  • Krijimi i një fryme mirëbesimi në funksion të marrëdhënieve të mira ndëretnike si element thelbësor për stabilitetin politik të vendit
  • Zgjidhja e çështjes së emrit, në përputhje me vlerat europiane dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare
  • Marrëdhënie të mira me fqinjët
  • Integrim i shpejtë në NATO dhe në Bashkimin Europian.

Ndërkaq sipas Kushtetutës kërkohet dy të tretat e shumicës në këto pika:

  • Simbolet shtetërore të Republikës së Maqedonisë janë: stema, flamuri dhe himni.
    Stema, flamuri dhe himni i Republikës së Maqedonisë përcaktohen me ligj, i cili nxirret me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
  • Deputetit mund t’i hiqet mandati kur është dënuar për vepër penale ose vepër tjetër të ndëshkueshme e cila e bën të padenjë për ta ushtruar funksionin e deputetit, si dhe kur mungon pa arsye për më tepër se gjashtë muaj në Kuvend. Heqjen e mandatit e bën Kuvendi me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
  • Kuvendi mund të vendosë të punojë pa prezencën e publikut me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
  • Presidenti e ka për detyrë ta nënshkruajë dekretin, në qoftë se sipas Kushtetutës, ligji nxirret me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
  • Për heqjen e imunitetit të Presidentit të Republikës vendos Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i gjyqtarëve.
  • Procedurë për verifikimin e përgjegjësisë së Presidentit të Republikës, ngre Kuvendi me shumicën e dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Për përgjegjësinë e Presidentit vendos Gjykata Kushtetuese me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i gjyqtarëve.
  • Organizimi dhe puna e organeve të administratës shtetërore rregullohet me ligj i cili nxirret me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
  • Llojet, kompetencat, themelimi, suprimimi, organizimi dhe përbërja e gjykatave, si dhe procedura para tyre, rregullohen me ligj, i cili nxirret me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
  • Vetadministrimi lokal rregullohet me ligj i cili nxirret me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
  • Vendimin për aderim ose për dalje nga aleanca ose nga bashkësia me shtetet tjera e merr Kuvendi me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
  • Mbrojtja e Republikës rregullohet me ligj, i cili nxirret me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
  • Gjendje lufte shpall Kuvendi me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve, me propozim të Presidentit të Republikës, Qeverisë ose së paku të 30 deputetëve.
  • Vendimi me të cilin caktohet ekzistimi i gjendjes së jashtëzakonshme merret me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve dhe vlen më së shumti 30 ditë.
  • Vendim për inicimin e ndryshimit të Kushtetutës merr Kuvendi me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
  • Vendim për ndryshimin e Kushtetutës merr Kuvendi me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
  • Ligji kushtetues nxirret me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri përgjithshëm i deputetëve.
  • Vetadministrimi lokal rregullohet me ligj i cili nxirret me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve, me ç’rast medoemos duhet të ketë shumicë të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve të cilët u takojnë bashkësive të cilat nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë. Ligjet për financimin lokal, zgjedhjet lokale, kufijtë komunalë dhe për Qytetin e Shkupit, nxirren me shumicën e votave nga deputetët e pranishëm, me ç’rast medoemos duhet të ketë shumicë të votave nga deputetët e pranishëm të cilët u takojnë bashkësive që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë.
  • Për vendimin mbi ndryshimin e Preambulës, neneve të vetadministrimit lokal, nenit 131, cilësdo dispozitë që ka të bëj me të drejtat e pjesëtarëve të bashkësive, përfshirë veçanërisht nenet 7, 8, 9, 19, 48, 56, 69, 77, 78, 86, 104 dhe 109, si dhe për vendimin për shtimin e çfarëdo dispozite të re, që ka të bëjë me përmbajtjen e atyre dispozitave dhe neneve, do të jetë e nevojshme shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve, me ç’rast medoemos duhet të ketë shumicë të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve të cilët u takojnë bashkësive të cilat nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë.
  •  Garantohet liria dhe pacenueshmëria e letrave dhe e të gjitha formave të tjera të komunikimit.
    Vetëm në bazë të vendimit të gjykatës, në kushte dhe në procedurë të përcaktuara me ligj, mund të bëhet përjashtim nga e drejta e pacenueshmërisë së letrave dhe të gjitha formave të tjera të komunikimit, nëse kjo është e domosdoshme me qëllim të pengimit ose zbulimit të veprave penale, me qëllim të zhvillimit të procedurës penale ose kur atë e kërkojnë interesat e sigurisë dhe të mbrojtjes së Republikës.
    Ligji nxirret me shumicën e dy të tretave të votave të numrit të përgjithshëm të deputetëve.
  • Llojet, kompetencat, themelimi, suprimimi, organizimi dhe përbërja e gjykatave, si dhe procedura para tyre, rregullohen me ligj, i cili nxirret me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
  • Kompetencat, themelimi, suprimimi, organizimi dhe funksionimi i Prokurorisë Publike rregullohet me ligj, i cili nxirret me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
  • Dy të tretat e shumicës parlamentare kërkohet edhe për [farëdo ndryshim të Prokurorisë Speciale Publike. /Portalb

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP