Premtime për reforma në arsim, çfarë ndodhi me Akademinë e Mësimdhënësve?!

Akademia e mësimdhënësve e cila ishte pjesë e pakos së reformave pedagogjike nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), ende nuk ka filluar të funksionojë, edhe pse tani më është dashur të jetë në funksion.

Portalb.mk kërkoi informacion nga zëdhënësi i MASH-it , Goran Galevski, se deri ku ka arritur procesi i funksionimit të kësaj Akademie si dhe kush janë anëtarët e saj mirëpo deri më tani nuk kemi marrë përgjigje nga ai.

Nga Sindikata e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SASHK) thonë se nuk kanë ende asnjë informacion sa i përket funksionimit të Akademisë.

“Nuk e dimë, nuk kemi asnjë informacion lidhur me funksionimin e Akademisë”, tha për Portalb, Ruzhdi Ibrahimi, anëtar i SASHK-ut.

Kohë më parë profesori i shkencave të pedagogjisë, Avzi Mustafa tha për Portalb, se MASH nuk ka kapacitet që të notojë arsimtarë.

“Ndryshimet e propozuara ligjore në arsim si pikënisje e kanë dhënien e diplomave aktuale të dala nga universiteti, se ato janë të pamjaftueshme për t’i pajisur studentët me një kualifikim të tillë dhe se të diplomuarit nuk i posedojnë kompetencat e nevojshme. Ndoshta edhe mund të jetë ashtu në disa raste, por këto ndryshime do të ishin të mira nëse do të bëheshin në institucione, gjegjësisht në fakultetet pedagogjike, e jo përmes krijimit të një institucioni pranë Ministrisë së Arsimit që do të emërtohet Akademi e Mësuesve, sepse MASH nuk ka kapacitet që të notojë arsimtarët”, theksoi Mustafa.

Ai shtoi se krijimi i kësaj akademie pranë MASH-it, edhe sikur të ketë qëllime të pastra, nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të menduarit analitik.

“Nga ligji shihet se komisionin do ta përbëjnë një përfaqësues i zgjedhur nga ministri, një përfaqësues i zgjedhur nga sindikata, një nga Inspektorati i Arsimit, një nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit, një nga fakulteti dhe një nga jashtë. Dhe, vallë po pyesim a janë këta anëtarë më të kualifikuar se profesorët e fakulteteve? Ky është zhvlerësim total i kuadrit të fakulteteve. Gjithçka do të politizohet, nuk bëhet asgjë për kualitet më të lartë por për interesa politike”, u shpreh Mustafa.

Gjithashtu edhe kryetari i LASH-it të Kumanovës, Samet Jahiji  është kundër Akademisë, duke thënë se çdo reformë e deritanishme e MASH ka rezultuar si e dështuar për shkak të mos analizimit të tyre.

“Gjithçka po bëhet pa analizë, pa bisedime. MASH po bën reforma krye në vete, pa u konsultuar me askënd. Për të bërë reforma, duhet të merren mendime nga të gjitha palët dhe më pas të vendoset se çka është e përshtatshme dhe e nevojshme. Te ne nuk ka kush ta krijojë atë Akademi. Është nënçmim për vetë profesorët kjo reformë e MASH-it”, tha për Portalb, Jahiji.

Kurse ish ministri i arsimit Sulejman Rushiti tha për Portalb se tashmë kjo konjukturë qeverisëse nuk ka kredibilitet për asnjë lloj reforme.

“Kujtoj që tashmë kjo konjukturë qeverisëse nuk ka kredibilitet për asnjë lloj reforme. Nëse dështon me çdo segment të deritashëm atëherë qytetarët kanë të drejtë të jenë skeptik. Në sferën e arsimit duhet të plotësohen të gjitha dhëmbëzoret e ingranazhit që të funksionojë mekanizmi, ndërsa në rastin tonë janë shumë dhëmbëzore të thyer!”, tha Rushiti.

Ndërkaq krijimin e Akademisë për mësues, mësimdhënësit e kundërshtuan tejmase.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button