Pas shkurtimit të buxhetit të KSHZ-së, a do të ketë zgjedhje këtë sivjet?

Qeveria me propozim – rebalancin e Buxhetit për këtë vit, për mbi 400 milionë denarë e zvogëloi buxhetin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, që me këtë e ngriti çështjen se këtë vit a do të mbahen zgjedhjet, njofton Portalb.

Në fillim të këtij viti, kur deputetët e miratuan Buxhetin, për KSHZ-në, u parapa 531.375.000 denarë, ndërkaq me propozim – rebalancin, për të cilin deputetët duhet të votojnë vitin e ardhshëm në Kuvend, kjo shumë shkurtohet dhe KSHZ-së i ngelet buxheti prej 103.875.000 denarë.

Nëse krahasohen buxhetet e viteve tjera kur janë mbajtur zgjedhje, sivjet KSHZ ka më së paku mjete.

Në vitin 2013 kur u mbajtën zgjedhjet lokale, buxheti i KSHZ-së ishte mbi 196 milionë denarë, ndërkaq aq ngeli edhe pas rebalancit, transmeton Portalb.

Në vitin 2014 kur u mbajtën zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, buxheti i KSHZ-së ishte thuajse 303 milionë denarë, ndërkaq me rebalancin e buxhetit u rrit në thuajse 304 milionë denarë.

Në lidhje me zvogëlimin e buxhetit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, nga Ministria e Financave thonë se është për shkak se tani për tani nuk është parashikuar datë për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Kur bëhej dhe miratohej buxheti për vitin 2016, në Kodin zgjedhor kishte datë të zgjedhjeve. Tani nuk ka dhe mjetet janë rialokuar, por nëse caktojnë zgjedhje për të tretën herë sivjet, mjetet sërish do të sigurohen”, u përgjigjën nga Ministria e Financave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button