A mund të fitojë Donald Tramp?

Kandidati republikan zgjidhet me mbështetje nga minimum 1237 delegatë. Pra Tramp duhet të fitojë 64% të delegatëve të mbetur, matematikë shumë e vështirë edhe në skenaret e tij më optimiste

Perceptimi si lider. Kur Donald Tramp shpalli kandidaturën për kryetar të SHBA-ve, askush nuk i morri seriozisht gjasat e tij për të fituar, përfshi këtu edhe blogun Presidenti45. Dukej se gafet e njëpasnjëshme padyshim do t’a përplasnin atë për toke sapo të fillonin votimet. Mirëpo në votimet e para në Ajova Tramp u rendit i dyti, për të fituar pastaj tre gara rresht në Nju Hempshër, Karolinë të Jugut dhe Nevada. Me këtë bota mediatike filloi të marrë Trampin seriozisht, por bëri gabim në drejtimin e kundërt. Nëse një kohë e kishin hequr nga lista e fituesve potencialë, tani mediat po trajtojnë Trampin si fitues pothuajse të sigurtë te republikanët. E vërteta, si zakonisht, është diku në mes dhe këtë më së miri e tregojnë shifrat dhe procesi zyrtar i nominimit.

Si zgjidhet kryetari. Fakti më i rëndësishëm që shpesh lihet në harresë është se kandidatin për kryetar e zgjedhin delegatët në konventat partiake. Më konkretisht, zgjedhjet mbahen për të zgjedhur delegatët për konventë. Ata pastaj në konventë nominojnë kandidatin e partisë së tyre. Për t’u nominuar, kandidati duhet të fitojë 50% të delegatëve. Nëse asnjëri kandidat nuk merr 50%, votimi përsëritet derisa njëri të arrijë këtë shifër magjike.

Në rundin e parë të konventës delegatët janë të obliguar të votojnë sipas rezultatevenë shtetin e tyre. Por duke nisur nga rundi i dytë delegatët janë të lirë të votojnë kë të duan. Kjo do të thotë se Trampit i duhet të fitojë 50% të delegatëve që në rrethin e parë. Në anën republikane kjo do të thotë saktësisht 1237 delegatë.

Numri i delegatëve për momentin. Për momentin Tramp vërtetë udhëheq garën, por nën radar dhe pa shumë bujë Kruz i ka shkaktuar atij disa humbje të thella të njëpasnjëshme. Ja delegatët e fituar nga votimet dy javët e fundit:

sDonald-TrumpTramp sTed-CruzKruz sJohn-KasichKasiç
Arizona 58 0 0
Juta 0 40 0
Uiskonsin 6 36 0
Kolorado 0 30 0
Totali dy javë 64 106 0
Delegatë deri sot 743 545 143

 

Tramp pra udhëheq garën,por ka pësuar me tërheqjen e kandidatëve tjerë që përçanin votën anti-Tramp. Deri në fund mbeten për t’u zgjedhur edhe 769 kandidatë. Për të fituar shumicën Trampit i duhen 494 delegatë, ose 64% të delegatëve të mbetur. Pikërisht këtu qëndron problemi themelor i Trampit. Atij i duhet të fitojë 64% të delegatëve të mbetur, përderisa deri tani ka fituar më pak se 50%.

Skenari më i mirë për Trampin. Në favor të Trampit shkon fakti që gara tani zhvendoset në territor të përshtatshëm për të. Pikë së pari zgjedhjet e ardhshme janë në shtetin e tij amë, në Nju Jork, ku ai pritet të fitojë pa probleme. Mandej votojnë shtete tjera të verilindjes, rreth e rrotull Nju Jorkut, si Konektikat, Delaver, Merilend e Pensilvania. Edhe në këto shtete Tramp është favorit absolut.

Në skenarin më të mirë për Trampin, ai i merr të gjithë delegatët nga këto shtete, plus nga Nju Xhersi. Ndërkohë ai me siguri do të humbë në disa shtete të Perëndimit si Nebraska e Montana. Me këto rezultate atij do t’i duhen vetëm edhe 300 delegatë nga 477 që do mbesin. Pra edhe në këtë skenar atij i duhet të fitojë mbi 60% në shtetet tjera.

Kalifornia. Sido që të jenë matematikat paraprake, është më se e sigurtë se rezultatin përfundimtar do t’a japë Kalifornia. Shteti më i madh i SHBA-ve nxjerr 172 delegatë dhe voton i fundit, më 7 qershor. Në zgjedhjet e kaluara fituesi zakonisht është zgjedhur shumë më herët dhe votat e Kalifornisë nuk kanë patur ndonjë rëndësi. Por këtë vit Kalifornia është në qendër të vëmendjes, pasi është ajo që do të përcaktojë nëse Tramp do të fitojë shumicën, apo kandidati do të zgjidhet me votime me më tepër runde.

Dhe pikërisht Kalifornia mund të përbëjë kokëçarjen më të madhe për Trampin. Në shtetin më të madh anketat tregojnë garë të ngushtë mes tij dhe Kruzit, ndërsa sajti analitik 538 parashikon fitore të Kruzit. Sido që të jetë, Tramp vështirë do të arrijë mbi 60% të delegatëve në Kaliforni, që do të thotë se fituesi do të vendoset në konventë.

Konventa. Në rrethin e parë në konventë delegatët janë të lidhur me rezultatet e shteteve të tyre, por pastaj ata “ç‘lidhen”. Dhe këtu fillojnë problemet serioze për Trampin. Pikë së pari delegatët e kandidatëve tjerë që janë tërhequr nga gara, sidomos 170 delegatët e Rubios, me siguri do të votojnë kundër tij. Ç‘është më e keqja Tramp si duket do të humbë plot delegatë nga rradhët e veta. Veçmë flitet se delegatët e Luizianës dhe Kentakit, ku Tramp fitoi bindshëm, janë të gatshëm që në rundin e dytë të kalojnë në anën e Kruzit. Armiqësia që ka krijuar Trampi me zyrtarët republikanë padyshim do t’i kthehet si bumerang mu atëherë kur i duhet më së shumti: kur zyrtarisht zgjidhet kandidati republikan për president.

Konkluza. Bastoret akoma i japin Trampit koeficient 1.72 për fitore, ndërsa Kruzi ka koeficient 3.03. Mirëpo vetëm dy javë më parë Tramp kishte koeficient 1.25, ndërsa Kruzi 7.7. Është e qartë pra se gara ka kthyer në dëm të Trampit. Nëse do të jepnim sot një parashikim Tramp duket se do të shkojë në konventë me më tepër delegatë se kandidatët tjerë, por nuk do të arrijë 50%. Në rundin e dytë apo më pas delegatët republikanë do të zgjedhin ndonjë kandidat tjetër.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button