Si zgjidhet kandidati republikan: pesë muaj votime, delegatët, konventa

Procesi zgjedhor zgjat pesë muaj, ndërsa rregullat i përcaktojnë degët e partisë. Diku votojnë vetëm republikanët, diku ju lejohet të votojnë edhe demokratëve, diku delegatët ndahen proporcionalisht, diku i merr të gjithë fituesi. Për të fituar duhen 1237 delegatë

Paraloja. Gara për nominim të kandidatit republikan ka filluar me gjithë mend disa muaj më parë. Kandidatët kanë mbledhur para të majme për fushatat e tyre, kanë hapur shtabe, mbajtur tubime e koketuar me fraksionet e ndryshme të partisë, madje pesë herë kanë patur edhe përballje direkte në debate. Mirëpo gjithçka që ka ndodhur në vitin 2015 është vetëm se një paralojë për garën e cila me të vërtetë fillon tani. Formalisht gara fillon në shkurt me votimet në Ajova dhe përfundon në Klivlend në muajin korrik, kur mbahet konventa republikane.

Konventa. Kandidati republikan për president të 45-të të SHBA-ve do të nominohet në konventën e partisë që do të mbahet nga 18 deri 21 korrik 2016 në qytetin Klivlend të Ohajos. Përveç nominimit të kandidatit presidencial, delegatët në konventë do të zgjedhin edhe kandidatin për nënkryetar, si dhe do të përpilojnë platformën zyrtare të partisë.

Delegatët. Në konventën republikane do të marrin pjesë 2472 delegatë me të drejtë vote. Pjesa dërrmuese e tyre do të zgjidhen gjatë votimeve nëpër shtete në muajt paraprakë, por disa marrin pjesë në konventë me automatizëm. Nga këta superdelegatë, siç njihen në publik, 150 vijnë nga organizatat republikane nëpër shtete (nga tre prej secilit shtet), ndërsa të tjerët janë figura të njohura të partisë në nivel nacional. Superdelegatët mund të votojnë për kë të duan. Delegatët e zgjedhur në votime janë të detyruar të votojnë për kandidatin nga lista e të cilit vijnë, por vetëm në raundin e parë të votimeve.

Votimet. Ajo që duhet të mbahet mend gjatë gjithë kohës kur flitet për zgjedhjet në SHBA është decentralizimi i skajshëm i SHBA-ve. Çdo shtet, gjegjësisht “degë” e partisë republikane vetë cakton rregullat si votohet, si ndahen delegatët, kur mbahen votimet e të tjera. Vetë partia ka shumë pak pushtet, ndërsa mekanizmi më i rëndësishëm i saj është ndëshkimi i ndonjërës degë nëse ajo ndërron datën e votimit pa pyetur. Gjatë procesit të nominimit pra fjalën kryesore e kanë degët e partisë dhe mu për këtë ka rregulla të llojllojshme që dallojnë shumë nga shteti në shtet.

Regjistrimi. Për të marrë pjesë në votime kandidatët duhet të regjistrohen në çdo shtet veçmas. Secili shtet ka rregullat dhe kushtet e veta për regjistrim. Për shembull Tramp mund të mos plotësojë kushtet të garojë në Minesota edhepse udhëheq garën në nivel nacional. Në atë rast votuesit e Minesotës nuk do të kenë mundësi të votojnë për të dhe ai nuk do të fitojë asnjë delegat nga Minesota.

Kualifikimi për kandidat. Një rregull e re e partisë republikane thotë se për president mund të nominohet vetëm ndonjëri nga kandidatët që ka fituar të paktën në 8 shtete. Mund të ndodhë që ndonjë kandidat të ketë shumë delegatë, madje më tepër së gjysmën, por ai nuk do të zgjidhet nëse nuk ka dalur i pari në të paktën 8 shtete.

Kush voton. E drejta për të votuar përsëri është e përcaktuar nga vetë degët e partisë. Në disa shtete mund të votojnë vetëm ata që janë të regjistruar si republikanë, në disa shtete tjera mund të votojnë republikanët dhe të pavarurit, ndërsa në disa shtete mund të votojë çdokush. Pra në disa shtete në garën brendapartiake republikane është e lejuar të votojnë edhe demokratët.

Mënyra e votimit. Edhe mënyra e votimit ndryshon nga shteti në shtet. E shumta e shteteve organizojnë primare, që ngjajnë si votimet tek ne. Në këto shtete ka vendvotime që hapen në mëngjes dhe mbyllen në mbrëmje, e qytetari mund të shkojë të votojë kur të dojë brenda ditës. Por një numër më i vogël shtetesh organizojnë kaukuse. Kaukuset u ngjajnë më tepër mbledhjeve partiake. Në kaukuse anëtarët e partisë mblidhen në vende të caktuara në kohë të caktuar, zakonisht në mbrëmje. Pasi debatojnë disa orë, ata votojnë të gjithë në të njëjtën kohë, me ngritje duarsh ose me votime të fshehta. Kaukuset më të njohura janë ata të Ajovës, shtetit që voton i pari.

Ndarja e delegatëve. Përsëri mënyrën e ndarjes së delegatëve e cakton dega në shtet. Delegatët mund të ndahen proporcionalisht sipas numrit të votave, ose mund t’i jepen të gjithë kandidatit që ka dalur i pari, sistem i njohur si winner-take-all (fituesi i merr të gjitha). Disa shtete kanë sisteme hibride, që ndajnë një pjesë proprocionalisht dhe një pjesë ja japin fituesit, kryesisht duke u bazuar te distriktet kongresionale të shtetit. Një rregull i rëndësishëm i partisë republikane është që degët që votojnë para 15 marsit janë të detyruara t’i ndajnë delegatët proporcionalisht, por këtu është bërë përjashtim për Karolinën e Jugut.

Orari i votimeve. Zgjedhjet në partinë republikane këtë vit do të zgjatin pesë muaj, nga 1 shkurti deri në 7 qershor. Orari mund të ndahet në disa faza:

Faza e parë – Shtetet e para. Shtetet e para votojnë në muajin shkurt. Këto janë shtete të vogla me numër të vogël delegatësh (140 delegatë në total). Tre prej tyre ndajnë delegatët proporcionalisht, që do të thotë se asnjëri kandidat nuk mund të bëjë përparësi bindëse nga këto votime. Mirëpo shtetet e para luajnë rolin e pastruesve të mëdhenj të fushës:

Ajova do të lëjë në garë vetëm një evangjelist, sipas të gjitha gjasave Ted Kruzin. Pas Ajovës nga gara pritet të tërhiqen Santorum dhe Hakabi, ndërsa Karson do të jetë tejet i lëkundur.

Nju Hempshër do të përcaktojë se kush do të jetë kandidat i establishmentit. Nga Rubio, Bush, Kasiç, Kristi dhe Fiorina në garë do të mbesin vetëm një ose dy.

Karolina e Jugut do të jetë testi më i mirë mes Trampit dhe Kruzit.

Shteti Delegatët Data Ndarja
Ajova 30 1 shkurt Proporcionale
Nju Hempshër 30 9 shkurt Proporcionale
Karolina e Jugut 50 20 shkurt Fituesi merr të gjitha, pak hibride
Nevada 30 23 shkurt Proporcionale

 

Faza e dytë – Primaret e jugut. Kjo fazë zgjat nga 1 marsi deri në 15 mars. Votojnë kryesisht shtete të jugut, ndërsa ndarja e delegatëve është te të gjitha proporcionale. Në total në këtë fazë zgjidhen 1017 delegatë, ndërsa trofeu më i çmuar padyshim është Teksasi që ndan 155 delegatë. Në këtë fazë pritet që kandidati evangjelist (me siguri Kruz) të krijojë një përparësi bindëse ndaj kundërkandidatëve tjerë. Kjo është edhe faza ku përfundimisht do të përcaktohet fati i Donald Trampit. Nëse nuk kalon mirë këtu, Tramp nuk ka rrugë tjetër për fitore.

Data Shtetet Delegatë
1 mars Alabama 50
Alaska 28
Arkansas 40
Kolorado 37
Xhorxhia 76
Masaçusets 42
Minesota 38
Dakota e Veriut 28
Oklahoma 43
Tenesi 58
Teksas 155
Vermont 16
Virxhinia 49
Uajoming 29
5 mars Kanzas 40
Kentaki 46
Luiziana 46
Mejn 23
6 mars Porto Riko 23
Havai 19
Idaho 32
Miçigan 59
Misisipi 40

 

Faza e tretë – Pastrimi. 15 marsi njihet si Super e Marta. Nga kjo datë shtetet mund t’ia ndajnë të gjithë delegatët e tyre fituesit të votimeve dhe pikërisht kjo do të ndodhë me 15 mars në dy shtete kyçe: Florida dhe Ohajo. Fitues në Florida pritet të jetë Rubio ose Bush që vijnë nga ky shtet, ndërsa në Ohajo Kasiç. Pas kësaj date në garë do të mbetet Rubio ose Bush, por jo të dy. Përfundimisht në këtë datë do të merret vesh edhe fati i Kasiç. Sidoqoftë fituesi i kësaj dite do të mund të mbledhë numër të madh delegatësh dhe t’a arrijë Kruzin. Pas 15 marsit në garë do të mbesin dy kandidatë, ai i evangjelistëve dhe ai i establishmentit, ndërsa  eventualisht i treti mund të jetë Trampi. Në fund të kësaj faze madje mund të jetë e qartë se kush do të jetë fituesi i përgjithshëm i garës.

Data Shtetet Delegatë
15 mars Florida 99
Ilinois 69
Misuri 52
Karolina e Veriut 72
Ohajo 66
22 mars Arizona 58
Utah 40
5 prill Uiskonsin 42

 

 

Faza e fundit – Zgjedhja. Nëse asnjëri kandidat nuk ka arritur akoma numrin magjik prej 1237 delegatësh, një gjë krejtësisht e mundshme, çështjet do t’i pastrojnë shtetet e mbetura ku përparësi kanë kandidatët e moderuar, pasi në këtë fazë votojnë kryesisht shtete me tendenca më liberale. Faza fillon me shtetin e madh të Nju Jorkut dhe mbaron me më të madhin, Kaliforninë.

Data Shtetet Delegatë
19 prill Nju Jork 95
26 prill Konektikat 28
Delaver 16
Merilend 38
Pensilvania 71
Roud Ajland 19
3 Maj Indiana 57
10 Maj Nebraska 36
Virxhinia Perëndimore 34
17 Maj Oregon 28
24 Maj Uashington 44
7 Qershor Kaliforni 172
Montana 27
Nju Xhersi 51
Nju Meksiko 24
Dakota e Jugut 29

 

Konventa e kurdisur. Nëse asnjëri kandidat nuk ka siguruar 1237 delegatët e nevojshëm për fitore deri në fund të votimeve, zgjedhja përfundimtare do të bëhet në konventë. Delegatët janë të obliguar të votojnë për kandidatin e tyre në rrethin e parë të votimeve në konventë, por në atë rast beteja do të vazhdojë në runde tjera. Votimet e delegatëve në konventë do të përsëriten derisa njëri kandidat të mbledhë 1237 vota. Rol të madh këtu do të luajnë superdelegatët që me mbështetjen e tyre mund t’i japin fitoren ndonjërit kandidat. Gjithsesi do të bëhen shumë loja, marrëveshje e presione të ndryshme në prapaskenë, që mund të lënë shije të hidhur për zgjedhjet e përgjithshme. Konventa e këtillë quhet e ndërmjetësuar ose e kurdisur. Për herë të fundit republikanët kanë patur situatë të këtillë në vitin 1976, kur pas manovrimeve në konventë Xherald Ford triumfoi para Ronald Reganit, për t’i humbur mandej zgjedhjet e përgjithshme nga demokrati Xhimi Karter.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button