Si zgjidhet kandidati demokrat: pesë muaj votime, delegatët, superdelegatët, konventa

Kandidatin e zgjedhin delegatët në konventë. 4051 delegatë fitohen në zgjedhje, ndërsa 713 janë superdelegatë, prej të cilëve 331 mbështesin Klintonin. Rregullat e votimit i përcaktojnë shtetet, diku ju lejohet të votojnë edhe republikanëve

Me ndryshime të vogla, procesi demokrat është shumë i ngjashëm me atë republikan. Edhe te demokratët organizohen votime ku zgjidhen delegatë për në konventë, ku edhe formalisht nominohet kandidati zyrtar demokrat për president të SHBA-ve.

Paraloja. Gara demokrate ka nisur me vrull të madh qysh në vitin 2015, por për dallim nga gara republikane ajo ka qenë shumë më e qetë dhe pa zhvillime dramatike. Favorite absolute që në fillim llogaritej Hillari Klinton, ndërsa si kundërkandidat më serioz i saj konsiderohej nënkryetari i tanishëm Xho Bajden. Me vendimin e Bajdenit për të mos u kandiduar fare dhe tërheqjen e disa kandidatëve tjerë më minorë, kundërshtar kryesor i Klintonit mbeti Berni Sanders. Por njëlloj si në fillim të garës, viti 2016 e gjen edhe më tej Klintonin si favorite e pakontestueshme.

Por pa marrë parasysh zhvillimet e deritashme demokratët duhet të kalojnë procesin e tyre formal të votimit. Njëlloj si te republikanët votimet fillojnë me 1 shkurt në kaukuset e Ajovës dhe përfundojnë në kryeqytetin Uashington, DC, me datë 14 qershor. Nominimi formal pastaj bëhet në konventën e partisë.

Konventa. Konventa demokrate filon 4 ditë pas përfundimit të konventës republikane. Këtë vit ajo do të mbahet nga 25 deri 28 korrik në qytetin Filadelfia të shtetit Pensilvania. Në konventë do të harmonizohet platforma e partisë dhe përveç nominimit formal të kandidatit për kryetar, do të zgjidhet edhe kandidati për nënkryetar.

Delegatët. Numri i delegatëve në konventën demokrate është thuajse dyfish më i madh se në atë republikane. Në konventën në Filadelfi parashihet të marrin pjesë 4764 delegatë. Prej tyre 4051 delegatë zgjidhen në votime. Delegatët tjerë, të ashtuquajtur superdelegatë, kanë vende të rezervuara automatikisht dhe mund të votojnë për kë të duan. Për fitore nevojitet mbështetja e 2383 delegatëve.

Superdelegatët. Në numrin e 713 superdelegatëve që marrin pjesë automatikisht në konventë hyjnë 20 anëtarë të shquar të partisë demokrate, 20 guvernatorët demokratë, 47 senatorët, 193 përfaqësues të Dhomës së Ulët të Kongresit dhe 433 anëtarë të komitetit nacional demokrat. Duhet të thuhet se nga këto 713 superdelegatë, 331 veçmë mbështesin publikisht Klintonin, 8 Sandersin dhe 3 O’Mallin.

Votimet. Rregullat e votimit për zgjedhjen e 4051 delegatëve i përcaktojnë vetë shtetet, gjegjësisht degët e partisë demokrate nëpër shtete. Këtu bëjnë pjesë vendime si caktimi i datës së votimit (me konsultim paraprak me komitetin nacional demokrat), rregullat e regjistrimit të kandidatëve, votuesve, ndarja e delegatëve në bazë të votave etj. Edhe te demokratët vetë partia ka pushtet të kufizuar dhe fjalën kryesore e kanë degët, gjë që rezulton me shumëllojshmëri rregullash nga shteti në shtet.

Regjistrimi. Kandidatët duhet të regjistrohen në çdo shtet veçmas për të marrë pjesë në zgjedhjet e atij shteti. Për shembull Martin O’Malli nuk ka arritur të plotësojë kushtet për të kandiduar në shtetin Ohajo, që do të thotë se demokratët e Ohajos do të mund të zgjedhin vetëm në mes Klintonit dhe Sandersit, pa marrë parasysh se O’Malli vazhdon të jetë kandidat zyrtar në nivel nacional.

Kush voton. Njëlloj si te republikanët, në shtete të ndryshme mund të votojnë njerëz të ndryshëm. Diku votojnë vetëm demokratët (zgjedhje të mbyllura), diku përfshihen edhe të pavarurit (gjysëm të hapura), ndërsa në disa shtete në zgjedhjet brendapartiake demokrate lejohet të votojnë edhe republikanët (zgjedhje të hapura).

Si votohet. Mënyra e votimit poashtu dallon nga shteti në shtet. E shumta e shteteve votojnë në primare, ku vendvotimet hapen në mëngjes dhe mbyllen në mbrëmje, ndërsa votimi mund të bëhet kurdo gjatë ditës. Në shtetet tjera organizohen kaukuse. Në kaukuse votuesit mblidhen në kohë të caktuar (zakonisht në mbrëmje), në vend të caktuar, debatojnë disa orë dhe në fund japin votën e tyre për kandidatin e preferuar. Kaukuset më të njohura janë ato të Ajovës, shtet që voton i pari.

Ndarja e delegatëve. Shtetet ndajnë delegatët në mënyra të ndryshme. Disa shtete ndajnë delegatët proporcionalisht sipas numrit të votave të fituara, disa ja japin të gjithë delegatët fituesit, ndërsa disa i ndajnë në mënyrë hibride. Zakonisht mënyra hibride do të thotë ndarje në nivel të distrikteve kongresionale brenda shtetit.

Orari i votimeve. Me dallime të vogla datat kur votojnë demokratët janë kryesisht të njëjtat me datat kur votojnë republikanët në secilin shtet. Prandaj edhe te demokratët orarin mund t’a ndajmë në katër faza, megjithëse këtu pritet që gara të përfundojë më herët.

Faza e parë – votimet e para. Edhe te demokratët gara fillon me votime në katër shtetet e njëjta në muajin shkurt, por ndryshe nga republikanët këtu Nevada voton para Karolinës së Jugut.

Gara ndërmjet Klintonit dhe Sandersit pritet të jetë e ngushtë në Ajova, ndërsa në Nju Hempshër pritet të fitojë Sandersi. Mirëpo për Klintonin gjithçka pritet të shkojë për së mbari duke filluar me Nevadën dhe duke vazhduar në Karolinën e Jugut, shtete ku ajo udhëheq bindshëm në anketa.

Data Shteti Delegatë
1 shkurt Ajova 44
9 shkurt Nju Hempshër 24
20 shkurt Nevada 35
27 shkurt Karolina e Jugut 53

 

Faza e dytë – muri jugor i Klintonit. Në 1 mars votojnë 11 shtete, ku dominojnë disa shtete të mëdha të jugut. Disa faktorë këtu shkojnë plotësisht në favor të Hillarit. Së pari, Bill Klinton është nga jugu dhe vetë Hillari njëkohë ka qenë zonja e parë e shtetit Arkansas. E dyta, jugu në përgjithësi është më konzervativ dhe më skeptik ndaj pikëpamjeve socialiste të Berni Sandersit. Së treti në jug jetojnë një numër i madh zezakësh të cilët me të madhe përkrahin Klintonin. Prandaj 1 marsi është data kur Klinton pritet t’i vëjë vulë titullit favorit dhe të krijojë epërsi të hatashme ndaj Sandersit.

Data Shtetet Delegatë në total
1 mars Alabama, Arkansas, Kolorado, Xhorxhia, Masaçusets, Minesota, Oklahoma, Tenesi, Teksas, Vermont, Virxhinia 865
5 mars Kanzas, Luiziana, Nebraska 109
6 mars Mein 25
8 mars Miçigen, Misisipi, demokratët jashtë vendit 179

 

Faza e tretë – Eliminimi. Faza fillon me shtetet e para që i ndajnë të gjithë delegatët fituesit dhe përfshin shtete të mëdha si Florida, Ilinois dhe Ohajo. Në këtë fazë është e mundshme që gara të përfundojë edhe matematikisht, pasi totali i delegatëve të ndarë do të tejkalojë 50%. Më e mundshme megjithatë është që Klinton këtu të krijojë epërsi të bindshme pa mundur të arrijë 50%. Në këtë rast Berni Sanders nuk do të shohë më rrugë për të fituar në shtetet e mbetura dhe në këtë fazë mund të dorëzojë garën.

Data Shtetet Delegatë në total
15 mars Florida, Ilinois, Misuri, Karolina e Veriut, Ohajo 691
22 mars Arizona, Idajo, Utah 131
26 mars Alaska, Havai, Uashington 141
5 prill Uiskonsin 86
9 prill Uajoming 14

 

Faza e katërt – Formaliteti. I pari shtet që voton në këtë fazë të katërt është vendlindja e Klintonit, Nju Jork. Me 247 delegatët e tij Nju Jorku mund edhe matematikisht t’i japë Klintonit fitoren përfundimtare. Përderisa republikanët në këtë fazë do të vazhdojnë garën, demokratët mund të pushojnë dhe të fillojnë përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshme në nëntor.

Data Shtetet Delegatë në total
19 prill Nju Jork 247
26 prill Konektikat, Delaver, Merilend, Pensilvania, Roud Ajlend 384
3 maj Indiana 83
10 maj Virxhinia Perëndimore 29
17 maj Kentaki, Oregon 116
7 qershor Kalifornia, Montana, Nju Xhersi, Nju Meksiko, Dakota e Jugut, Dakota e Veriut 695
14 qershor Uashington, DC 20

 

Konventa. Avantazhi bindës i Hillari Klintonit dhe fakti se realisht në garë janë vetëm dy kandidatë do të thotë se Klinton do të hyjë në konventë me më tepër se 2383 delegatët e duhur. Pra sipas të gjitha gjasave konventa demokrate do të formalizojë nominimin me votim që në rundin e parë, duke shmangur totalisht mundësinë për konventë të ndërmjetësuar ose të kurdisur. Në fakt hera e fundit kur demokratëve ju është dashur më tepër se një rund votimesh në konventë ka qenë viti 1952. Më e famshmja është konventa e vitit 1924 kur për të zgjedhur kandidatin u deshën 103 runde votimesh.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button