“Monstra”, familjarët e dëshpëruar, procesi po zvarritet

Përderisa avokatët janë në bisedime me LSDM-në, për të poseduar dëshmitë për montimin e rastit ‘Monstra’, familjarët janë të dëshpëruar me zvarritjen e procesit.

Familjari i Haki dhe Fejzi Azirit, Bedri Ajdari shprehet se janë optimist se e vërteta do të del në shesh, megjithatë ai brengoset se mund të zgjatet procesi dhe familjarët e tyre të vazhdojnë të qëndrojnë të pafajshëm pas grilave.

“Është e tmerrshme të paramendohet që dikush është i pafajshëm dhe me vite qëndron i mbyllur. Familjarët e mi të cilët vuajnë dënimin janë optimist dhe presin dëshmitë që do të shfajësojnë ata, mirëpo nga ana tjetër jemi të dëshpëruar me zvarritjen e procesit”, tha për Portalb, Ajdari.

Avokati mbrojtës Naser Raufi shprehet për Portalb se bisedimet me partinë opozitarë për dorëzimin e dëshmive janë në tek dhe sapo të kenë në dispozicion ato do t’i dorëzohen gjykatës së Apelit si dëshmi të reja për këtë rast.

“Nuk jemi të sigurt se çfarë përmbajnë dëshmitë që posedon opozita, mirëpo lideri i saj disa herë potencoi se janë biseda që dëshmojnë pafajësinë e të akuzuarve. Sapo të marrim materialet do t’i dorëzojmë ato në gjykatën e Apelit, e cila ka caktuar seancë me 11 shtator dhe besoj që do nevojiten një muaj kohë që të analizohen dëshmitë e reja”, tha Raufi.

Ajdari thekson se është i përmbajtur lidhur me këtë çështje për arsye se më ka humbur besimin.

“Jemi zhgënjyer shumë dhe nuk e di si do të shkon procedura. Procedurat gjyqësore në Maqedoni janë të stërzgjatura, kurse njerëz të pafajshëm vazhdojnë të qelben burgjeve. Nuk është vetëm ky rast i montuar ka edhe shumë tjerë. Megjithatë besoj që e vërteta gjithmonë do të del në shesh”, tha Ajdari.

Gjykata e Apelit ka anuluar seancën publike ku duheshin të shqyrtohen ankesat e ngritura nga të akuzuarit e rastit “Monstra” dhe avokatët e tyre. Gjykatësja Jasna Ivanova dhe trupi pres pesë anëtarëve, mes të cilëve edhe një shqiptar, ka vendosur që seanca e radhës të mbahet 11 shtator. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button