“Monstra”, familjarët në pritje të materialeve

Familjarët e të akuzuarve për rastin “Monstra” ende janë në pritje të dorëzimit të materialeve nga ana e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, të cilat sipas tij dëshmojnë pafajësinë e të akuzuarve me burg të përjetshëm.

Bedri Ajdari, familjari i Fejzi dhe Haki Azirit, shprehet për Portalb se dëshmitë dhe dosjet që posedon Zaev duhet sa më shpejtë të shohin dritë.

“E vërteta për kurdisjen e rastit ‘Monstra’ duhet të del sa më shpejtë, nëse lideri i opozitës maqedonase nuk e ka ndërmend që të bëjë publike atë material që ka, lusim që të na e dorëzojë neve, sepse në të kundërtën ai do jetë bashkëpunëtor në këtë krim që po i bëhet familjarëve tanë”, tha Ajdari.

Ai shtoi se avokatët mbrojtës kanë kërkuar materialin dhe se ende janë në pritje të dorëzimit të tij.

“Avokatët kanë bërë kërkesën dhe ende janë në pritje. Mos publikimi i materialeve është vendim i vetë Zaevit, mirëpo këto raste duhet të bëhen publike, të dinë të gjithë që familjarët tanë janë të pafajshëm. Megjithatë e rëndësishme është materiali të na dorëzohet neve dhe më pas ta vazhdojmë procedurën për zbardhjen e rastit”, tha Ajdari.

Ajdari shton se Zaev po pret emërimin e prokurorit të ri e më pas të dorëzojë materialin.

Avokati mbrojtës, Naser Rafi thotë se ende nuk kanë përgjigje nga LSDM-ja për materialin në fjalë, edhe pse kërkesa tani më është bërë.

“Kërkesën e kemi bë dhe jemi në pritje. Nuk e di se pse ende nuk na është dorëzuar materiali, por nëse deri të hënën nuk marrim ndonjë informacion ne sërish do bëjmë kërkesë dhe nuk do të ndalemi deri sa të dëshmohet ajo që kemi thënë gjithmonë, se të akuzuarit nuk kanë lidhje me krimin që u bë”, tha për Portalb, Raufi.

Pas arritjes së marrëveshjes mes liderëve u vendos mes tjerash që do të emërohet Prokurori Special i cili sipas Zaev do të zbatojë hetim për përmbajtjet, dëshmitë dhe argumentet nga bisedat e përgjuara telefonike, dhe në rast nevoje do të jenë transparent edhe për rastin “Monstra”.

Gjithashtu edhe zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani është shprehur për “Top tema”se detyrën e parë që duhet ta bëjë ai Prokuror është që të shqyrtojë dosjen për Liqenin e Smillkovës.

Ndërkaq Gjykata e Apelit kohë më parë anuloi seancën publike ku duheshin të shqyrtohen ankesat e ngritura nga të akuzuarit e rastit “Monstra” dhe avokatët e tyre/ Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button