Studentët inkurajojnë qytetarët që të demaskojnë qeverinë!

Studentët paralajmërojnë që të premten në ora 14 sërish të shprehin pakënaqësinë ndaj propozimit për provimin shtetëror.

Protesta do të fillojë në oborrin e Universitetit të Shën Kirilit dhe Metodit, me ç’rast Plenumi studentor bën thirrje për dalje masive si dhe apelon për protesta të qeta.

Studentët me protestat e tyre dhe me shprehjen e pakënaqësisë po tregojnë shpresë për një të ardhme më të mirë, për një kahje tjetër të zhvillimeve sociale dhe politike në Maqedoni, shprehet ish ministri i arsimit, Sulejman Rushiti.

Ai i inkurajon studentët në nisma të tilla.

“Unë personalisht i inkurajoj studentët të marrin nisma të tilla. Në këtë rast për një rast te paprecedent, që nuk ka asnjë logjik e lëre më strategji por edhe për çështje të tjera politike. Një vend ka problem ku studentet nuk reagojnë. Aty ku studentet reagojnë dhe protestojnë ka shpresë. Studentet mund të arrijnë shumë. Ata mund t’i japin kahje zhvillimeve sociale dhe politike”, tha për Portalb, Rushiti.

Njohësi i çështjeve politike, Zdravko Savevski thotë për Portalb se studentët janë ata që frymëzuan qytetarët që të ngritin zërin kundër propozimeve skandaloze qeveritare.

“Studentët me protestat e tyre veç se kanë arrit shumë, ata frymëzuan që gjithashtu edhe qytetarët të protestojnë, të forcohen marrëdhëniet ndëretnike,  demaskuan strukturën jo demokratike të qeverisë dhe delegjitimuan disa nga mekanizmat më propaganduese të qeverisë. Qeveria është në një situatë mjaftë të palakmueshme, nëse i pranojnë kërkesat, do të frymëzojnë edhe shumë të tjerë të ngritin zërin. Nëse nuk i pranojnë më është më se e qartë që po ballafaqohen me një problem edhe më të madh, e ai është revolta e qytetarëve e cila seriozisht mund ta dëmtojë qeverinë”, tha Savevski.

Ish zëvendës drejtori në Byronë për zhvillimin e arsimit, profesori Zeqir Kadriu theksoi se studentët janë një faktorë shumë i rëndësishëm në çdo vend të botës dhe se ata duhet nderuar dhe respektuar për çdo qëndrim që do të vendos qeveria për punët e saja.

“Ka kohë që studentët reagojnë ditëve të fundit për një gjë për të cilën mendojnë se u cenohet e drejta e tyre,profesorëve të tyre dhe autonomia e vetë universiteteve. Kjo çështje për mendimin tim meriton një vëmendje më të madhe nga vetë organet shtetërore e në rastin konkret nga vetë MASH së RM e cila tenton të bëjë reforma në sistemin arsimor. E gjithë kjo do të ishte shumë e rëndësishme nëqoftëse ky proces do të ecte në rrethana të tjera. Pra do të bëhej në mënyrë transparente dhe për një periudhë më të gjatë”, tha për Portalb, Kadriu.

Ai shtoi në vendet me demokraci të zhvilluar kjo çështje bëhet me një propozimligj i cili zhvillohet me shumë përgjegjësi pra; bëhen debate të shumta publike nga njerëz kompetentë dhe profesionistë me përvojë.

“Kështu lloj debatesh bëhen edhe me profesorë universitarë,studentë,dhe në shumë qarqe të ndryshme akademike. Për fat të keq kjo çështje tek ne mëton të kalojë përmes dyerve e labirinteve tejet të ngushta;gjë që sipas bindjes time,nuk do të duhej të ishte kështu. Por ka edhe një të vërtetë; që kjo çështje ka dalë edhe si rezultat i disa lëshimeve që vetë MASH i ka bërë me ose pa qëllim në të kaluar më të afërt. Pra ka bërë shkollimin e mesëm të detyrueshëm dhe nuk ka mbajtur llogari se do të vijë gjer në këtë gjendje”, shtoi Kadriu.

Kurse Kryetari i Parlamentit Studentor të USHT-së, Ardian Bilalli  sërish nuk u përgjigjet pyetjeve të Portalb, në të cilat ai pyetet se a do të mbështesin protestën e ditës së premte.

Studentët e USHT-së në mënyrë individuale do të dalin në protesta.

“Do të dalim, jemi mbledhur një grup kolegësh dhe do të bashkohemi në protestë kundër reformave absurde në arsimin e lart, të cilat na prekin edhe neve. Kemi prit deri tash mos do të bëhet ndonjë organizim nga Parlamenti Studentor por ja që ende nuk kemi asnjë përgjigje”, tha Artan S. student në USHT.

Ndërkaq më 10 dhjetor mijëra studentë u mblodhën në protestë dhe kundërshtuan ashpër vendimin e qeverisë rreth testimit ekstern në arsimin sipëror. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button