Zvarritet hetimi i dytë për zjarrin në spitalin modular të Tetovës ku u dogjën 14 persona

Ende nuk ka vendim nga Prokuroria Publike për hetimin e dytë i cili zhvillohet për zjarrin në spitalin modular ku u dogjën 14 persona, pavarësisht se kanë kaluar nëntë muaj që kur deklaruan se Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është duke zhvilluar hetim tjetër për këtë tragjedi. Prokuroria hesht se deri ku ka mbërritur procedura për këtë rast, shkruan Portalb.mk.

Prokuroria Publike, nuk përgjigjet në pyetjet e Portalb.mk për këtë rast.

Ndërkaq janë bërë gati dy muaj kur nga Prokuroria na thanë se rasti është në fazën para marrjes së vendimit.

Dokumentari “Vrasje në Tetovë” nga Laboratori i Gazetarisë Hulumtuese (IRL) për tragjedinë e zjarrit në spitalin modular në Tetovë ku jetën e humbën 14 persona, zbuloi se veprimet e prokurorëve hapin dyshime se hetimi është sabotuar qëllimisht për të mbrojtur fajtorët nga ndjekja penale.

Dokumentari hetues zbulon korrupsion, keqpërdorim tenderi, ndërtim të modularit pa standarde dhe materiale jo të duhura si dhe jo në përputhje me rregulloret ligjore, instalim jo i duhur i energjisë elektrike në modular nga ana e kompanisë, për të cilat ishte i njoftuar edhe ish ministri i Shëndetësisë.

Aty zbulohen hetime jo të plota dhe zvarritje e rastit nga ana e Prokurorisë duke mos thirrur në përgjegjësi askënd për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.

Në lidhje me mos sjelljen e drejtësisë për zjarrin e modularit familjarët dhe qytetarët kanë organizuar disa protesta. Në protesta u kërkua të hapet procesi gjyqësor për shkaqet e zjarrit, rishqyrtim dhe shqyrtim të vendimeve nga hetimi paraprak në Gjykatën e Tetovës.

Familjarët e viktimave janë shprehur se nëse rasti përfundon këtu, do të shkojnë edhe në Gjykatën e Strazburgut apo e njohur ndryshe si Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë 8 shtatorin e vitit 2021, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Ndonëse pati proces gjyqësor për këtë rast, të akuzuarit nuk u thirrën për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale.

Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.

Për mos thirrjen në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.

Gjykimi - Zjarri në Spitalin Modular TetovëProkuroria e Përgjithshme Publike për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin (PPPKOP) RMVProkuroria Themelore Publike (PTHP) RMVZjarri në Spitalin Modular Tetovë