Zjarri që shpërtheu përgjatë autostradës Shkup-Tetovë është shuar

Zjarri që shpërtheu dje përgjatë autostradës Shkup-Tetovë është shuar plotësisht, njofton Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim. Zjarri, i cili filloi në zonën e komunës së Zhelinës, në fshatin Cerovë, u përhap në drejtim të Karpallakut përgjatë autostradës në mbrëmje, dhe u shua gjatë natës nga zjarrfikësit e Tetovës dhe Shkupit, transmeton Portalb.mk.

Gjatë ditës së djeshme, 29 zjarre në sipërfaqe të hapura u shuan plotësisht. Në këtë moment, 4 zjarret aktive në sipërfaqe të hapura janë nën kontroll të plotë ose të pjesshëm.

Sipas informacioneve nga Qendra e Menaxhimit të Krizave, zjarr aktiv ka në Kratovë, në fshatin Sokolicë, ku digjet bimësi e ulët, ndërsa nën kontroll janë zjarret në Jasen, ku një pyll i përzier digjet prej dy javësh, në Gjevgjeli, në malin Kozhuf dhe në Komunën e Zhelinës, në fshatin Merovë, ku digjet pyll i përzier.

Në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.

Në seancën e 7 gushtit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme për 30 ditë. Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).

Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) RMVZjarr