Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme ka publikuar numrat e telefonit për raste urgjente për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, që ndodhen në zonat e prekura nga zjarret në Greqi dhe kanë nevojë për ndihmë urgjente, shkruan Portalb.mk.
Qytetarët mund të kontaktojnë në linjën telefonike të Ministrisë +389 75 268 736 , si dhe në numrat e Konsullatës së Maqedonisë së Veriut në Selanik +30 694 526 8068 dhe +389 71 323 001. Ministria e Punëve të Jashtme ka publikuar edhe një adresë email-i për kontakt.
Apeli vjen pas zjarreve që kanë shkatërruar pjesë të Greqisë, përfshirë Halkidikinë, ku ka një numër të madh turistësh nga RMV. Disa prej tyre tashmë kanë kontaktuar me telefon Konsullatën në Selanik dhe kanë kërkuar informacion dhe ndihmë.
Situata ishte veçanërisht serioze në Siviri, në Kassandra, ku zjarri iu afrua shtëpive dhe objekteve turistike. Për shkak të rrezikut, u organizuan evakuime nga toka dhe deti, dhe më shumë se 300 persona u shpëtuan me anije.
Më shumë se 140 zjarrfikës, nëntë aeroplanë dhe shtatë helikopterë u përfshinë në përpjekje për shuarjen e zjarrit, ndërsa erërat e forta e bënë edhe më të vështirë vënien nën kontroll të zjarrit. Një zjarrfikës u plagos.
Ministria e Punëve të Jashtme ende nuk ka njoftuar zyrtarisht se sa qytetarë Maqedonisë janë evakuuar nga zonat e prekura. Ministria tha se po monitoron situatën përmes misionit diplomatik dhe konsullor në Selanik dhe është në komunikim me institucionet greke.
Qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që ndodhen në zonat e kërcënuara u kërkohet të ndjekin me kujdes informacionin dhe t’u binden udhëzimeve të autoriteteve lokale, veçanërisht urdhrave të evakuimit.
Kujtojmë që edhe Maqedonia e Veriut, është përfshirë nga zjarret në ditët e fundit. Derisa dita e 12 gushtit shënoi kulmin e deritanishëm të sezonit të zjarreve në Maqedoninë e Veriut, me dhjetëra vatra aktive që angazhuan ekipet e zjarrfikësve dhe të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në disa rajone të vendit.