Vetëm 12,2 për qind e qytetarëve britanik mendojnë se dalja nga Bashkimi Evropian ka qenë sukses, ndërsa gati gjysma e votuesve, përkatësisht 49 për qind, duan që vendi të bëhet sërish anëtar i plotë i BE-së, tregon një studim i ri i madh i The Messina Group (TMG), transmeton Portalb.mk.
Sipas sondazhit, i zhvilluar me 11.461 të anketuar, shumica prej 54,9 për qind e britanikëve e vlerësojnë Brexit-in si një dështim të plotë, 23,2 për qind janë përgjigjur se nuk është as sukses dhe as dështim, ndërsa 9,7 për qind nuk kanë qëndrim.
Në pyetjen e drejtpërdrejtë nëse Britania kishte vepruar drejt duke u larguar nga BE-ja, 52,4 për qind janë përgjigjur se vendimi ishte i gabuar, kundrejt 29,7 për qind që mendojnë se vendi kishte vepruar drejt.
Opsioni për rikthimin në BE është më i mbështeturi ndër shtatë skenarët e ofruar për marrëdhëniet e ardhshme me Brukselin, me 49 për qind në favor dhe 28,5 për qind kundër. Pothuajse 26 për qind e të anketuarve kërkojnë rikthim të menjëhershëm në bllokun evropian, 22,9 për qind mendojnë se kjo duhet të ndodhë brenda tre viteve të ardhshme, ndërsa vetëm 23 për qind kundërshtojnë plotësisht lidhjet më të afërta me BE-në.
Këto gjetje vijnë në një kohë kur kryeministri Andy Burnham ka paralajmëruar një rishikim të marrëdhënieve me Evropën dhe është zotuar për rikthim të plotë në BE në të ardhmen. Studimi konstatoi se mbështetja për një referendum të ri dhe rikthimin në BE mund t’u sjellë laburistëve një rritje prej deri në shtatë pikë përqindjeje në mbështetjen politike, megjithëse disa ministra të qeverisë, në mënyrë jozyrtare, bëjnë thirrje për kujdes, në mënyrë që të mos rihapen ndarjet e vjetra shoqërore.
Analisti Ben Judah nga instituti Chatham House thotë se rezultatet konfirmojnë atë që ai e përshkruan si një konsensus pothuajse kombëtar se Brexit-i ka qenë i pasuksesshëm, duke shtuar se rihapja e çështjes së rikthimit në BE ka potencial t’i bashkojë votuesit dhe t’u sjellë përfitim politik laburistëve në pushtet.