Zjarr në një servis makinash në Shkup, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme, në internet qarkullon një video e autorit të veprës (VIDEO)

Herët në mëngjes, para orës 4 të mëngjesit, një zjarr i madh shpërtheu në një servis makinash të vendosur në zonën e Kamenikut, në Pintia, mbi ish-fabrikën “Stakllara”. Në objekt kishte disa makina, naftë dhe materiale të tjera të ndezshme, informoi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov, transmeton Portalb.mk.

Pas marrjes së raportit, Brigada e Zjarrfikësve të Shkupit ndërhyri menjëherë në vendngjarje. Tetë automjete zjarrfikëse u angazhuan në shuarjen e zjarrit. Angellov thotë se zjarri u shua dy orë më vonë, pas një lufte të vështirë me zjarrin.

Jozyrtarisht, mediat sociale pretendojnë se zjarri është vënë qëllimisht, dhe po qarkullon gjithashtu një video që tregon një person të maskuar duke derdhur lëng të ndezshëm mbi disa makina dhe duke u vënë flakën.

Pamjet, sipas postimeve, janë kapur nga kamerat e mbikëqyrjes.

Megjithatë, autoritetet duhet të përcaktojnë nëse materiali është i besueshëm dhe nëse do të veprojnë në këtë rast.

Përndryshe Qendra e Menaxhimit të Krizave (QMK) tha këtë mëngjes se ka gjithsej 13 zjarre në hapësirë ​​të hapur, një prej të cilave është aktiv dhe dy janë nën kontroll.

Zjarri është aktiv në Komunën e Gjevgjelisë pranë fshatit Petrovo në malin Kozhuf. Zjarret në deponinë “Drislla” dhe në fshatin Trubarevë, ku digjen mbeturina elektrike dhe elektronike që nga e shtuna, janë nën kontroll.

Ndryshe, kohëve të fundit, janë raportuar zjarre edhe në shumë deponi, si në Drislla, ajo pranë fshatit Kuklish në komunën e Strumicës, deponia Dellçevë, deponia e qytetit në Komunën e Krushevës, si dhe deponia Vardarishtë në Komunën Gazi Babë. E gjithë kjo kulmoi me zjarrin në Trubarevë.

Mjekët në vend paralajmërojnë se pasojat në shëndetin e njeriut nga toksinat që shkaktohen nga djegia ose tymi i deponive janë të mëdha. Kjo situatë mund të shkaktojë sëmundje të mushkërive dhe zemrës, si dhe anemi.

Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) RMVShkupiZjarr