Vuçiqi akuzoi Rashqin se me mbështetjen për Listën Studentore “po zbaton urdhrat” e Kurtit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka akuzuar politikanin nga Kosova, Nenad Rashiq, se, siç u shpreh ai, “verbërisht po zbaton urdhrat e [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurtit”, raporton Radio Evropa e Lirë.

Këtë deklaratë Vuçiq e bëri gjatë përgjigjet në pyetjet e gazetarëve në Nju Jork, ku po merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ajo pason deklaratën e Rashiqit, udhëheqësit të Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë në Kosovë dhe ministër në Qeverinë e Kurtit, për Radion Evropa e Lirë kur tha se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, më 25 tetor, do ta mbështesë Listën Studentore.

“Ai [Nenad Rashiq] nuk bën asgjë tjetër në jetë përveçse i zbaton verbërisht urdhrat e Albin Kurtit. I mbështeti bllokuesit, i uroj gjithë të mirat me mbështetjen e Albin Kurtit dhe [kryeministrit të Kroacisë] Andrej Pllenkoviqit. Uroj sukses të madh për të gjithë në zgjedhje”, tha Vuçiq.

Rashiq e argumentoi mbështetjen e tij për Listën Studentore me faktin se mbështetja do të nënkuptojë edhe organizimin e një udhëtimi të mundshëm kolektiv për të votuar në ndonjë prej qyteteve kufitare në Serbi, duke pasur parasysh se autoritetet e Kosovës vitet e fundit nuk lejojnë organizimin e zgjedhjeve serbe, në komunat në Kosovë, të banuara me shumicë serbe.

Ai përsëriti se mbështetja e tij për Listën Studentore është e pakushtëzuar dhe se ai, bashkëpartiakët e tij dhe përkrahësit, janë angazhuar kundër “mungesës së kulturës, arrogancës dhe korrupsionit në Serbi”.

Nga ana tjetër, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetur listën “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar”, në reagimin e saj vlerësoi se mbështetja e Rashiqit për Listën Studentore është në fakt mbështetje e Kurtit, pa paraqitur asnjë dëshmi për këtë.

Nga kjo parti po ashtu e akuzuan Rashiqin se nuk i është kundërvënë vendimeve të Qeverisë së Kosovës, të cilat, sipas tyre, janë të dëmshme për komunitetin serb. Ndër to përmendën edhe themelimin e Muzeut të Gjenocidit.

Kur ky vendim u miratua në fund të vitit 2024, Rashiq kishte abstenuar, ndërsa më pas nga Ministria e tij për Komunitete dhe Kthim ishte bërë e ditur se nuk do ta mbështeste asnjë vendim që “cenon interesat e popullit serb ose vë në pikëpyetje të vërtetën historike”.

Themelimi i Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri është një nismë e Qeverisë së Kosovës për dokumentimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë.

Ndërkohë, për këtë çështje është deklaruar edhe Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i cili vlerësoi se Kurti është përfshirë në fushatën e Listës Studentore dhe se e mbështet atë financiarisht, megjithëse nuk paraqiti dëshmi për këto pretendime. Petkoviqi nuk tregoi në postimin e tij as se mbi çfarë bazash i kishte këto informacione.

Në postimin e tij në platformën X, Petkoviqi gjithashtu renditi një varg vendimesh të autoriteteve të Kosovës, për të cilat, sipas tij, është përgjegjës edhe Nenad Rashiqi. Ndër to ai veçoi heqjen nga përdorimi të dinarit serb, rrënimin e shtëpive pushuese në Ujman, mbylljen e institucioneve serbe dhe të tjera.

Nenad Rashiq, ministër për Kthim dhe Komunitete, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës janë të vetmet që i kanë mbetur komunitetit serb dhe se ata duhet të bëhen “një faktori brenda tyre”, duke shtuar se duhet të marrin vetë vendime, në vend që ato t’u imponohen.

Ai ka thënë po ashtu se serbët nga Kosova e dinë mirë se çfarë shkruan në Kushtetutën e Serbisë, por edhe në Kushtetutën e Kosovës, dhe se askush nga Beogradi nuk mund ta dijë më mirë se cila është realiteti në terren.

Beogradi zyrtar edhe kësaj herë i ka kërkuar Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të ndihmojë në organizimin e zgjedhjeve dhe mbledhjen e fletëvotimeve, por nga ky mision në Kosovë i thanë Radios Evropa e Lirë se për këtë nevojitet pëlqimi nga institucionet e Kosovës.

Nga Qeveria e Kosovës ende nuk janë deklaruar lidhur me këtë çështje.

Përveç Rashiqit, Listën Studentore e kanë mbështetur edhe parti të tjera opozitare të serbëve në Kosovë, të cilat kryesisht veprojnë në nivel lokal: Lëvizja Popullore Serbe, Demokracia Serbe, Aleanca e Kosovës, Iniciativa Qytetare “Rrënjët” dhe Iniciativa Qytetare “Veriu për të gjithë”.

Ato përgjithësisht i kritikojnë autoritetet aktuale në Serbi për përjashtimin nga procesi i vendimmarrjes, menaxhimin jotransparent të parave nga buxheti i Serbisë që janë të destinuara për Kosovën, kontrollin politik përmes punësimit dhe pozitën më të keqe të komunitetit serb në Kosovë.

Albin KurtiAleksandar Vuciq VuçiçDialog Kosovë - SerbiKosovaSerbia