Vonimi i ndryshimeve kushtetuese, Taravari: Krizë për shtetin, do të jemi ndikuesit kryesor që kjo të ndodhë

Ky problem nuk është vetëm i Maqedonisë së Veriut, është problem që duhet të zgjidhet në kushte regjionale për të cilin koalicioni VLEN po punon. Kështu mes tjerash tha Arben Taravari, njëri nga liderët e këtij koalicioni i pyetur për paralajmërimet se do të shtyhet afati i premtuar nga ata prej gjashtë muajsh për bërjen e ndryshimeve kushtetuese që do t’i hapin rrugën drejt BE-së vendit. Por, Taravari nuk përmendi ndonjë afat konkret tjetër, radhiti disa arsyetime, shkruan Portalb.mk.

Taravari theksoi se nuk është VLEN-i problemi në këtë drejtim, por se pa VMRO-në nuk mund të bëhen ndryshimet kushtetuese.

“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe serioz me të gjithë faktorët me relevancë këtu në RMV po edhe jashtë. Nuk është problem VLEN, duhet ta dimë të gjithë se pa VMRO-në nuk bëhen ndryshimet kushtetuese. Ja doli VLEN-i u hoq erdhi BDI-ja, çfarë kemi ndryshuar? Nuk ndodhin ndryshimet kushtetuese. Neve na duhet të gjejmë një gjuhë të përbashkët, këtu jemi duke punuar intensivisht shumë njerëz që të gjejmë gjuhë të përbashkët mes Sofjes dhe Shkupit që ta tejkalojmë këtë krizë, sepse kjo është krizë për shtetin, ne do ta japim kontributin tonë dhe do të jemi ndikuesit kryesor që kjo të ndodhë”, tha Taravari.

Ai theksoi se në takim kur e kanë formuar Qeverinë, Mickoski u ka shpalosur dy-tre opsione.

“Ne s’kemi faj që Bullgaria nuk ka qeveri tash, për momentin ka qeveri teknike që është jofunksionale dhe në nëntor-dhjetor ka përsëri zgjedhje. Kur në një vend një qeveri jo stabile është problem të zgjidhësh probleme më të mëdha. Por unë jam optimist se vetëm kjo është mënyra për zgjidhjen e problemit me ndryshimet kushtetuese”, tha Taravari.

Ndërsa i pyetur se çfarë nëse deri në dhjetor nuk zgjidhen, Taravari nuk përmendi ndonjë afat konkret.

“Ne jemi duke inkurajuar partnerin kryesor të koalicionit. Ne e kemi vendosur si kusht, ju e dini marrëveshjen midis VMRO-së dhe VLEN-it pika e parë është eurointegrimet, vazhdojmë të kemi komunikim serioz me të gjithë faktorët me relevancë për ta zgjidhur këtë problem. Ky problem nuk është vetëm i RMV-së, është problem që duhet të zgjidhet në kushte regjionale… E kemi prioritet mbi prioritetet fillimin e negociatave me BE-në”, tha Taravari.

Ndryshe, VLEN në programin e tyre thirret në Bashkimin Evropian dhe ndryshime kushtetuese ndërkaq partneri i tyre VMRO-DPMNE gjithë kohës thotë që mbetet në qëndrimin e tyre mos te ketë ndryshime kushtetuese “nën diktatin e shtetit të tretë”.

Arben Taravari, një nga krerët e VLEN-it para zgjedhjeve parlamentare, tha se mandatarit për formimin e Qeverisë duhet t’i kërkohet një dinamikë me afate për realizimin e ndryshimeve kushtetuese.

“Nuk e them për 1 apo 3 muaj, por mos të jetë mbi 6 muaj. Kjo të kryhet, dhe të vazhdojnë negociatat me BE”, pati thënë Taravari.

Ndryshe, me formimin e qeverisë së re të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ka filluar edhe acarimi i raporteve midis Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë për shkak se kryeministri Mickoski tha mund të ketë ndryshim të Kornizës negociuese, e cila u kritikua ashpër nga Sofja.

Kujtojmë se vendi duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me në vitin 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.

Arben TaravariBullgariaEurointegrime Negociata RMV-BENdryshime Kushtetuese RMVVLEN (Lidhja Evropiane për Ndryshim)