VMRO dhe VLEN presin dy të tretat për ndryshimet në riorganizimin e ministrive, LSDM dhe Fronti Evropian presin materialet

VMRO-DPMNE dhe koalicioni VLEN presin të sigurojnë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Kuvend për miratimin e ndryshimeve ligjore lidhur me ndryshimet e ministrive në Qeveri. Nga LSDM dhe Fronti Evropian presin të shohin ligjet dhe pastaj do vendosin nëse (nuk) do t’i përkrahin, transmeton Portalb.mk.

Këtë e kanë deklaruar sot përfaqësuesit nga këto subjekte politike pas koordinimit të sotëm të parë zyrtar të kryeparlamentarit Afrim Gashi me përfaqësuesit e grupeve parlamentare.

Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE deklasoi se kjo është premtim parazgjedhor që ua kanë dhënë qytetarëve. Ai tha se teksti për zgjidhjen ligjore është drejt përfundimit dhe pritet të dorëzohet këto ditë.

“Aktualisht jemi duke punuar në Ligjin për organizimin e punës së organeve të administratës shtetërore, gjegjësisht ristrukturimin e ministrive të caktuara dhe pres që të marrim mbështetjen e 80 deputetëve që të funksionojë ajo që kërkohet nga qytetarët”, tha Micevski.

Nga ana tjetër, Halil Snopçe nga VLEN bëri thirrje se zgjidhja ligjore duhet të mbështetet nga partitë e bllokut opozitar, sipas tij nuk ka arsye që zgjidhjet e propozuara ligjore të mos pranohen nga LSDM dhe Fronti Evropian.

“Nuk ka asnjë arsye që të mos mbështeten. Qeveria e re me VMRO-DPMNE-në, koalicionin VLEN dhe ZNAM-in ka 78 deputetë, prandaj na duhet shumicë prej dy të tretash. Por nuk shohim arsye që të mos përkrahemi nga LSDM-ja dhe Fronti Evropian në drejtim të funksionimit normal të Qeverisë bazuar në përcaktimet programore për rikonstruimin e Qeverisë”, tha Snopçe.

Nga ana tjetër, LSDM dhe Fronti Evropian do të prononcohen për ligjet për ministritë pasi të hyjnë në procedurë parlamentare.

Oliver Spasovski nga LSDM theksoi se nëse do i mbështesin ligjet, ai tha se të njëjtat fillimisht duhet të sillen në Kuvend.

“Ne duhet të shohim ligjet, çfarë shkruhet në to, cili është teksti zyrtar dhe në bazë të tij do të nxjerrim një përfundim, një vendim, si në nivel partie ashtu edhe në nivel të grupit parlamentar, nëse këto ligje do të mbështeten”, tha Spasovski.

Blerim Bexheti nga Fronti Evropian tha se qëndrimi i tyre do të shprehet pasi materialet të jenë dorëzuar para deputetëve.

“Atë ligj nuk e kemi parë ende. Kur ta shqyrtojmë, kur të arrijë te ne, do të japim mendime dhe qëndrime konkrete”, tha Bexheti.

Ai theksoi se kjo i shërben vetëm agjendës së VMRO-DPMNE-së.

“Vazhdon zhveshja dhe defakztorizimi i kuadrove shqiptar jolegjitim që do udhëheqin me dikasiteret në një qeveri jolegjitime”, tha Bexheti.

Fillimisht duhet të formohen dy komisionet, ai Juridiko-Ligjvënës dhe ai Për Sistem Politik për të shqyrtuar këto ligje, ndërsa më pas të vendosen në rend të ditës të seancës.

Seanca parlamentare për ndryshimin e ligjeve duhet të thirret para asaj për krijimin e përbërjes së ardhshme të qeverisë, duke pasur parasysh që në negociatat mes VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së për ndarjen e resorëve në qeverinë e re, të cilat janë në fazën përfundimtare, resorët janë ndarë sipas dizajnit të ri.

Ministritë e reja do të jenëpër Sport, për Transformim Digjital dhe për Energji, Miniera dhe Burime Minerale. Disa nga ato ekzistuese do të transformohen, kështu që Ministria e Ekonomisë do të bëhet ministri e Ekonomisë dhe Punës, ndërsa Ministria e Punës dhe Politikës Sociale do të bëhet Ministri e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Në Ministrinë e Kulturës do të shtohet edhe sektori i turizmit.

Për të ndryshuar kabinetin qeveritar siç parashikohet në programin e VMRO-DPMNE-së dhe për të miratuar ligjet sistematike për organizimin e punës së organeve të shtetit, është e nevojshme mbështetja e dy të tretave të shumicës parlamentare në Kuvend.

Presidentja Gordana Siljanovska, javën që vjen duhet t’ia ndajë mandatin liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Nga momenti kur do të bëhet mandatar, Mickoski do të ketë një afat prej 20 ditësh për të formuar Qeverinë e re dhe për ta dorëzuar atë në Kuvend së bashku me programin e saj. Qeveria zgjidhet me shumicë absolute prej 61 deputetësh.

Rikujtojmë se pas zgjedhjeve të 8 majit, në kampin maqedonas VMRO-DPMNE doli fituese me 58 deputetë ndërsa në kampin shqiptar Fronti Evropian së pari me 19 deputetë por pas rivotimit me 22 maj mbeti me 18 deputetë. 

Megjithatë, VMRO-DPMNE ka njoftuar se Qeveria e re pritet të formohet deri më 20 qershor jo me fituesin e kampit shqiptar, por me koalcionin shqiptar VLEN që kishte 13 deputetë por që fitoi një më shumë pas rivotimit, konkretisht ka 14 deputetë.

Në këtë drejtim, negociatat midis grupeve punuese të partive janë drejt fundit. VLEN gjithashtu ka bërë të ditur një pjesë të resorëve të cilat pritet t’i udhëheqin.

Fonti Evropian kundërshton këtë veprim duke e quajtur “majorizim” nga pala maqedonase sepse po merret në pushtet partia me më pak deputetë, dhe ka lajmëruar se do të ndërmerr masa për të ndaluar këtë.

Blerim BexhetiFronti EvropianHalil SnopçeLidhja Social Demokrate (LSDM)Nikolla MicevskiOliver SpasovskiParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së VeriutQeveria e Maqedonisë së VeriutVLEN (Lidhja Evropiane për Ndryshim)VMRO-DPMNE