VLEN: Padia penale ndaj Bekteshit është dëshmi e së kaluarës korruptive të BDI-së

Koalicioni VLEN ka mirëpritur dhe mbështetur çdo aktivitet që ka për “qëllim forcimin e ligjit dhe rendit në Maqedoni të Veriut”. Ata vlerësojnë se ndjekja e veprimeve të paligjshme dhe korrupsionit është thelbësore për të garantuar një sistem të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët. Padia e fundit ndaj ish-ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, për “pengim të drejtësisë,” e cila dyshohet se është kryer një ditë para zgjedhjeve parlamentare, thonë nga VLEN e vërteton në mënyrë të qartë dhe të prerë që partia nga e cila vjen Bekteshi ka qenë pjesë e një oktopodi të krimit, korrupsionit dhe vjedhjes së votave, transmeton Portalb.mk.

“Ky rast është një dëshmi e fortë se periudha e gjatë e qeverisjes së partisë së Bekteshit ka sjellë jo vetëm vjedhje të qytetarëve, por edhe ushtrim të presionit të pashembullt mbi shqiptarët për të shprehur vullnetin e tyre të lirë përmes votës. Koalicioni VLEN gjithmonë do të angazhohet për sundim të ligjit, asnjëherë për revanshizëm poltik. Prandaj, i bëjmë thirrje organeve gjyqësore që përmes një procedure korrekte dhe të drejtë personi në fjalë të dëshmojë pafajsinë ose t’i vërtetohet fajësia varësisht prej provave”, thonë nga VLEN.

Kujtojmë në buletinin ditor të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për datën 25 korrik 2024, shkruan se 39-vjeçari nga Kërçova dyshohet për veprën penale “pengim i drejtësisë”, të kryer një ditë para zgjedhjeve parlamentare. Bekteshi akuzohet për një krim të rëndë me dënim minimal prej 1 vit burg dhe një dënim maksimal që mund të arrijë deri në burgim të përjetshëm në rast të pasojave të rënda.

Për këtë rast reagoi vetë Bekteshi duke publikuar një fotografi nga mesazhi të cilin ai thotë se ia ka dërguar shefit të SPB Ohër.

BDI i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar, mediave dhe e shoqërisë civile të monitorojnë nga afër këto zhvillime dhe të mbajnë qeverinë përgjegjëse për veprimet e saj.

Kreshnik BekteshiPadi penaleVLEN (Lidhja Evropiane për Ndryshim)