VLEN-i dhe Fronti Europian e akuzojnë njëra-tjetrën rreth shfuqizimit të “balancuesit”

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e “balancuesit” gjatë punësimeve në sektorin publik, vendim i cili do të vlejë deri në vendimin përfundimtar, kanë reaguar nga “Fronti Europian” dhe VLEN-i, transmeton Portalb.mk.

“Ky vendim është frymëzuar nga nevoja e dukshme e strukturave kriminale të pushtetit të kaluar për të krijuar probleme ndëretnike dhe për të destabilizuar marrëdhëniet e brendshme në shtet”, reaguan nga VLEN-i, duke kundërshtuar vendimin për shqyrtimi ne kushtetutshmërisë së “balancuesit”.
Ata theksojnë se të gjithë gjykatësit që vendosën sot në Gjykatë, janë zgjedhur me votat e BDI-së.

“VLEN tashmë po punon për zgjidhjen e problemit të përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në institucione, por në mënyrë adekuate të sistemuar dhe të kodifikuar. VLEN do ta zgjidhë këtë problem me një ligj të ri, që tashmë është në proces të përgatitjes”, paralajmëroi VLEN.

Ndërkohë, “Fronti Europian” paralajmëroi që prej sot nuk do të ketë vende pune të garantuara për shqiptarët dhe bashkësitë tjera joshumicë.

“Pas paralajmërimeve të përfaqësuesve të Qeverisë monoetnike, Mickoski, Dimitrievski, Taravari, sot Gjykata Kushtetuese realizoi një hap të madh nga projekti për deshqiptarizimin e shtetit. Vendimi i sotëm për ndërprerjen e Balansuesit është goditje për një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimit të drejtë dhe adekuat”, vlerësoi Fronti.

Fronti vlerësoi që sot u zbulua kush dëshiron ta destabilizojë vendin, duke llogaritur që vendi tash është kthyer 24 vjet mbrapa.

“Ju që nuk vleni më për asgjë, e që u bëtë servil dhe ekzekutues të vendimeve më të rënda ndaj shqiptarëve, do të mbaheni mend në histori gjatë kohë për tradhëtitë tuaja!”, deklaruan nga Fronti.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese në seancën e sotme ka vendosur të nisë procedurë për hapjen e lëndës pas nismës së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit që konteston dispozitat që kanë të bëjnë me përfaqësimin e drejtë etnik në institucione, i njohur ndryshe si “balancuesi”. Aty u vendos masa e përkohshme për moszbatimin e dispozitave për përkatësinë etnike gjatë punësimit në sektorin publik. Kjo masë do të vlejë deri në marrjen e vendimit përfundimtar.

Kujtojmë se në seancën e mbajtur më 11 janar të këtij viti, Komisioni Antikorrupsion vendosi të paraqesë iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e mjetit “balancuesi”, pasi vlerësojnë se me këtë bëhen keqpërdorime në punësim. Gjykata i vlerësoi si të bazuara pretendimet e Komisionit se disa dispozita janë të kundërligjshme dhe antikushtetuese.

BalancuesiFronti EvropianGjykata Kushtetuese RMVPapunësiPapunësia te të rinjtëPunësime partiakeVLEN (Lidhja Evropiane për Ndryshim)