Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, javën e ardhshme do të vizitojë gjashtë vendet në Ballkanin Perëndimor, transmeton Portalb.mk.
Të mërkurën ajo do të mbërrijë në Tiranë, e cila është destinacioni i saj i parë. Ajo do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe do të marrë pjesë në hapjen zyrtare të kampusit të Kolegjit të Evropës.
Të enjten do të takohet me presidentin Bajram Begaj dhe më pas do të niset për në Maqedoninë e Veriut, ku do të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe presidenten Gordana Siljanovska-Davkova.
Von der Leyen do të vizitojë edhe zonat e përmbytura në Bosnje dhe Hercegovinë.
Të premten ajo do të udhëtojë për në Serbi, ndërsa turneun e saj ballkanik do ta përfundojë të shtunën me një vizitë në Kosovë dhe Mal të Zi.
Sipas përfaqësuesve të KE-së, vizita do të jetë një konfirmim i përkushtimit të Komisionit Evropian ndaj vendeve të rajonit.
Kjo do të jetë gjithashtu një mundësi për von der Leyen për të promovuar Planin e Rritjes, paketën më të madhe të Bashkimit Evropian (BE) për rajonin.
Është një paketë financiare prej 6 miliardë eurosh që do të shpërndahet në vendet e rajonit sipas numrit të banorëve dhe prodhimit të brendshëm bruto. Vendet do të marrin një pjesë të kësaj pakete në formën e granteve dhe pjesën tjetër në formën e kredive të buta.
Para vizitës së presidentes në këtë institucion, KE duhet të miratojë zyrtarisht agjendat e reformave për pesë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.
Në prill dhe maj të këtij viti, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin 6 miliardë euro nga Brukseli.
750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë do të jetë shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.