UNICEF Maqedoni uroi vit të suksesshëm shkollor: Nxënësit në shkollat ​​gjithëpërfshirëse arrijnë rezultate më të mira

Përfaqësuesja e UNICEF-it në Maqedoni, Leslie Miler, përmes një kumtese, të gjithë nxënësve, mësimdhënësve dhe punonjësve të shkollave ua ka uruar vitin e ri shkollor, duke theksuar se arsimi është themeli për një shoqëri të sigurt, gjithëpërfshirëse, të begatë dhe të qëndrueshme. Sipas saj, krijimi i një ambienti ku ushqehet diversiteti dhe vlerësohen të gjithë nxënësit është thelbësor për realizimin e potencialit të plotë të çdo nxënësi, transmeton Portalb.mk.

“Kjo qasje jo vetëm që e nxit krijimin e një shoqërie më të barabartë më të drejtë dhe më të dhembshur, por gjithashtu siguron që secili nxënës të mund ta arrijë progresin e duhur. Përkujdesi që shkollat të ​jenë gjithëpërfshirëse, të sigurta dhe rezistente ndaj klimës do të japë kontribut të rëndësishëm në rezultatet e mësimit”, thotë Miler.

Në njoftimin e UNICEF-it shtohet se për të arritur atë gjithëpërfshirje nevojitet mbështetje shtesë, përmirësimi i aftësive të mësimdhënësve dhe shfrytëzimi i kapaciteteve të Qendrave burimore, si dhe sigurimi i materialeve mësimore dhe teknologjisë ndihmëse.

“Gjithashtu, fëmijët dhe familjet kërkojnë qasje më të mirë në shërbimet plotësuese, të cilat e mbështesin mësimin dhe ndërtimin e aftësive jetësore”, thotë Miler.

Ajo shton se krijimi i mjedisit të sigurt dhe mbështetës – pa dhunë, në të cilin kultivohet  edukimi mbi shëndetin mendor është me rëndësi thelbësore.

“Shumë fëmijë dhe adoleshentë vuajnë në heshtje, për shkak të stigmës ose mungesës së iniciativave, të cilat do ta promovonin shëndetin mendor dhe parandalonin dhunën. Kostoja e kësaj heshtjeje mund të llogaritet në humbjen e kapitalit njerëzor, i cili ndikon në harmoninë dhe prosperitetin e familjeve, komuniteteve dhe kombeve. Shkollat ​​duhet të jenë mjedise të sigurta, ku fëmijët dhe adoleshentët mund të mësojnë dhe të lulëzojnë”, thotë Miler.

Ajo thotë gjithashtu se shkollat ​​duhet të adresojnë sfidat që sjell ndryshimet klimatike.

“Nxehtësia ekstreme mund të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin e fëmijëve, duke çuar në shëndet dhe ushqim të dobët dhe arritje më të ulëta në shkollë”, thuhet në njoftim.

UNICEF-i e përshëndeti Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për miratimin e protokollit për funksionimin e shkollave gjatë valëve të të nxehtit.

“Ky protokoll udhëzon shkollat ​​në vënien në zbatim të masave adaptuese, të nevojshme  për t’i mbrojtur nxënësit nga efektet e nxehtësisë ekstreme, në mënyrë që ata të mund të vazhdojnë të mësojnë në një mjedis të shëndetshëm. Sidoqoftë përveç këtyre masave të menjëhershme, ne duhet të bëjmë edhe investime afatgjate për t’i bërë shkollat rezistente ndaj klimës dhe të sigurojmë që objektet shkollore, oborret dhe hapësirat e lojërave të kenë gjelbërim të mjaftueshëm, hije dhe ajrosje, gjë që do të ndihmonte të bëhen më të freskëta dhe të përdorshme në rastet e temperaturave të larta.    Le të përkujdesimi së bashku, që secili fëmijë në secilën shkollë të mund ta përmbushë potencialin e tij të plotë, si në aspektin akademik, po ashtu edhe në atë personal”, thuhet në mesazhin e Milerit.

Përndryshe, sot ka filluar viti i ri shkollor. Mësimi në vitin e ri shkollor nuk do të zgjasë më shumë se data 10 qershor dhe nuk do të ketë pushim pranveror. Mësimi me një turne është futur në 140 shkolla dhe mbi 1000 asistentë arsimorë do të punësohen për të mbështetur nxënësit me aftësi të kufizuara.

Nxënës të shkollave fillore - filloristëNxënës të shkollave të mesmeShkolla filloreShkolla të mesmeUNICEF