Të paktën 41 persona, 38 prej të cilëve nxënës humbën jetën në sulmin terrorist në një shkollë në kufirin perëndimor të Ugandës, transmeton Anadolu.
Grupi kryengritës i emërtuar si Forcat Demokratike Aleate (ADF) ka kryer sulm të armatosur ndaj një shkolle dhe ka djegur konviktin e shkollës në rajonin Mpondwe në kufirin Ugandë-Republika Demokratike e Kongos.
Drejtuesi i zonës kufitare Mpondwe-Lhubiriha, Selevest Mapoze tha se nga shkolla janë nxjerrë 41 trupa dhe se 38 prej tyre janë nxënës.
“Nxënësit kanë humbur jetën si pasojë e djegies, duke u qëlluar ose duke u goditur me thikë”, tha Mapoze i cili shtoi se një nga 3 personat e tjerë të vrarë ishte punonjës i sigurisë ndërsa dy të tjerë anëtarë të komunitetit lokal.
Bëhet e ditur se ushtria e Ugandës është vënë në ndjekje të agresorëve të cilët kanë rrëmbyer edhe shumë persona të tjerë.
Që nga viti 2014 e deri më tani mijëra civilë kanë humbur jetën ndërsa qindra mijëra të tjerë janë zhvendosur nga sulmet e Forcave Demokratike Aleate (ADF) e cila ka filluar të veprojë në Ugandë dhe në RD të Kongos që nga fundi i viteve 1990.