Me 62 vota për dhe tetë kundër është votuar Qeveria Kurti 4 në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Kuvendi i Kosovës. Pas votimit të Qeverisë është betuar kabineti qeveritar. Pas seancës që u mbajt paraditen e së dielës, ku kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu e shpalli të konstituuar Kuvendin pa nënkryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dërgoi në zyrën e saj emrin e Albin Kurtit për mandatar të Qeverisë. Më pas, Haxhiu e mandatoi Kurtin e u thirr edhe seanca, transmeton Koha.net.
Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës e të Aleancës nuk ishin të pranishëm në seancë ku u votua Qeveria. Të pranishëm ishin deputetë të VV-së, Listës Serbe e disa nga komunitetet.
Pas fjalimit të Kurtit nga ku prezantoi edhe përbërjen e Qeverisë dhe planet për 4 vjetet e ardhshme, ajo u hodh në votim duke marrë 62 vota për dhe tetë kundër nga deputetët e Listës Serbe.
Kabineti qeveritar i Qeverisë Kurti 4:
- Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca,
- Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla,
- Zëvendëskryeministër i tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim, Fikrim Damka,
- Ministër i Financave, Hekuran Murati,
- Ministër për Punë, Familje dhe Vlera të luftës çlirimtare, Andin Hoti,
- Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci,
- Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,
- Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit, Lulëzon Jagxhiu,
- Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia,
- Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku,
- Ministre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci,
- Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani,
- Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi
- Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli,
- Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja,
- Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha,
- Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila,
- Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli,
- Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq,
- Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri.