U shpallën pesë garuesit më të mirë në Olimpiadën ku morën pjesë mbi një mijë nxënës nga shtatë qytetet e Maqedonisë së Veriut

Në Maqedoninë e Veriut u organizuan garat e Olimpiadës së Ekonomiksit në Tetovë ku morën pjesë 50 nxënësit më të mirë nga shtatë qytetet e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Ngjarja mblodhi së në një vend 50 nxënësit më të mirë që dolën fitimtarë nga raundet rajonale nëpër qytete të ndryshme duke përfshirë Kumanovën, Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Strugën, Dibrën dhe Kërçovën. Konkursi testoi jo vetëm njohuritë e tyre teorike, por edhe kuptimin praktik të parimeve ekonomike”, raportoi Instituti Alternativa Liberale.

Instituti së bashku me Iniciativën e Bazave Ekonomike nga SHBA-ja dhe Universiteti i Evropës Juglindore ishin organizatorët e kësaj Olimpiade. Në garat e vitit 2024 morën pjesë 35 shkolla të mesme nga shtatë qytete me 1275 nxënës.

“Pas garimit me shkrim dhe gojor u shpallën edhe pesë fituesit e garave kombëtare dhe atë: Alban Ballaki nga Kolegji Jahja Kemal Strugë, Ariton Ajdini nga Gjimnazi “Zef Lush Marku” Shkup, Leonita Malisheviq nga Gjimnazi “Drita” Kërçovë, Luka Filipovski nga Kolegji Jahja Kemal Strugë dhe Veton Sopa nga Gjimnazi Matematikë-Informatikë Shkup”, njoftoi Instituti.

Pesë nxënësit u shpërblyen edhe me bursa mujore për vitin shkollor 2024/25, të cilët edhe do të përfaqësojnë RMV-në në Olimpiadën Ndërkombëtare të Ekonomiksit në Athinë.

Ekonomia e shtetit - Lajme ekonomiMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Nxënës të shkollave të mesmeShkolla të mesmeUniversiteti i Evropës Juglindore (UEJL)