U prezantua prototipi i aplikacionit për të kontrolluar moshën e fëmijëve, për t’i mbajtur ata të sigurt në internet 

Komisioni Evropian prezantoi udhëzime mbi mbrojtjen e të miturve, si dhe një prototip të një aplikacioni për verifikimin e moshës sipas Ligjit për Shërbime Digjitale. Ato do të sigurojnë që fëmijët dhe të rinjtë të mund të vazhdojnë të shijojnë mundësitë e ofruara nga bota online, siç janë mësimi, kreativiteti dhe komunikimi, duke minimizuar rreziqet me të cilat përballen në internet, duke përfshirë ekspozimin ndaj përmbajtjes dhe sjelljes së dëmshme, transmeton Portalb.mk.  

Siç është njoftuar, udhëzimet mbi mbrojtjen e të miturve sigurojnë që fëmijët të gëzojnë një nivel të lartë privatësie, sigurie dhe mbrojtjeje në platformat online. Kjo vjen pas një periudhe të gjatë konsultimesh, duke përfshirë edhe me të rinjtë. Ndër të tjera, udhëzimet japin rekomandime dhe propozojnë zvogëlimin e ekspozimit të të miturve ndaj praktikave që krijojnë varësi duke çaktivizuar veçoritë që nxisin përdorimin e tepërt të shërbimeve online, siç janë “feeds” dhe “vërtetimet e leximit” për mesazhet. 

Lidhur me ngacmimin kibernetik, udhëzimet rekomandojnë lejimin e të miturve të bllokojnë ose përjashtojnë përdoruesit, duke siguruar që ata të mos mund të shtohen në grupe pa pëlqimin e tyre. Ata gjithashtu rekomandojnë ndalimin e profileve nga shkarkimi ose marrja e pamjeve të ekranit të përmbajtjes së postuar nga të miturit për të parandaluar shpërndarjen e padëshiruar të përmbajtjes së seksualizuar ose intime. 

Fëmijë me telefon të mençur. Foto: Yan Krukau/Pexels

 “Platformat online mund të paraqesin rreziqe për të miturit, varësisht nga natyra, madhësia, qëllimi dhe baza e përdoruesve të tyre. Platformat duhet të sigurohen që masat që marrin janë të përshtatshme dhe nuk kufizojnë në mënyrë disproporcionale ose tepër të drejtat e fëmijëve. Aplikacioni prototip i verifikimit të moshës është i lehtë për t’u përdorur dhe mbron privatësinë, duke vendosur një “standard të artë” në sigurimin e moshës online. Për shembull, ai do t’u lejojë përdoruesve të vërtetojnë lehtësisht se janë mbi 18 vjeç kur qasen në përmbajtje të kufizuar për të rritur online, duke mbetur në kontroll të plotë të të gjitha informacioneve të tjera personale, siç është mosha ose identiteti i saktë i përdoruesit. Askush nuk do të jetë në gjendje të gjurmojë, shohë ose rindërtojë përmbajtjen që përdoruesit individualë po konsultojnë”, tha Komisioni Evropian në një deklaratë. 

Aplikacioni i verifikimit do të testohet dhe do të përshtatet më tej në bashkëpunim me shtetet anëtare, platformat online dhe përdoruesit fundorë. Danimarka, Greqia, Spanja, Franca dhe Italia do të jenë të parat që do të bashkohen me komitetin e zgjidhjeve teknike, me qëllim lançimin e aplikacioneve kombëtare të verifikimit të moshës. Ky prototip mund të integrohet në një aplikacion kombëtar ose të mbetet një aplikacion i pavarur.  

“Fëmijët meritojnë një fëmijëri digjitale të sigurt. Pa verifikimin e duhur të moshës, ne nuk arrijmë t’i mbrojmë fëmijët në internet. Udhëzimet e kombinuara me aplikacionin e verifikimit të moshës janë momente shumë të rëndësishme. Do të doja të falënderoja Komisionin që e mori seriozisht mbrojtjen e të miturve dhe mezi pres të përshpejtoj vrullin politik në këtë axhendë të rëndësishme. Do të shqyrtoj menjëherë hapësirën kombëtare për përcaktimin e një moshe minimale për aksesin në mediat sociale. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur të miturit në internet”, tha Kerolin Stejxh Olsen, ministre e Çështjeve Digjitale e Danimarkës. 

Greqia së fundmi ka prezantuar strategjinë kombëtare për të parandaluar dhe trajtuar dhunën dhe delikuencën e të rinjve, ku në mesin e masave është edhe një aplikacion i cili u mundëson prindërve të monitorojnë dhe menaxhojnë aktivitetin online të fëmijëve të tyre.

Maqedonia e Veriut ka miratuar dy strategji në këtë drejtim, mirëpo çalon në implementim.

Agjenda Digjitale e BECTRL Z – CTRLZDigjitalizim