U ndal hetimi për 6 policë për zjarrin në “Pulse” në Koçan

Telvizioni Tellma raportoi se hetimi ndaj 6 policëve dhe komandantëve është ndaluar për zjarrin në klubin “Pulse” në Koçan, për të cilin ishin dyshuar për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm me pasoja vdekjeprurëse”, transmeton Portalb.mk.

Prokuroria ka vlerësuar se këta policë mund të ndiqeshin për vepër tjetër penale, konkretisht për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi kompetencat e tyre nuk përfshinin kontrollin e masave kundër zjarrit, por kontrollin e sigurisë rrugore të objektit dhe ekzistencën e vendeve të mjaftueshme për parkim në kabarenë “Pulse”.

Disa nga të dyshuarit ishin në paraburgim për një muaj, pas së cilës iu vendosën masa më të lehta sigurie që më pas u hoqën. Nga Gjykata Penale në Shkup konfirmuan se dje janë hequr masat për dy policët e dyshuar.

Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 63 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë.

Tetë muaj pas aksidentit, 37 të pandehur u ulën në bankën e të akuzuarve, nga të cilët 34 ishin individë dhe tre ishin persona juridikë. Pronarë baresh, menaxherë, inspektorë, roje sigurie, nëpunës civilë dhe ish-kryetarë komune janë të akuzuar.

KoçaniProkuroria Themelore Publike (PTHP) RMV