Ka ndërruar jetë aktori i njohur dhe i dashur për publikun, Beqir Nuredini (18 tetor 1950- 12 tetor 2025). Ai ishte një prej figurave më të rëndësishme dhe më të dashura të Teatrit Shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Me dekada të tëra në shërbim të artit dhe kulturës, ai la pas një trashëgimi të pasur artistike dhe njerëzore që do të jetojë gjatë në kujtesën e brezave, shkruan Portalb.mk.
Beqir Nuredini ishte shumë më tepër se një aktor ai ishte simbol i përkushtimit ndaj artit skenik, mjeshtër i interpretimit dhe njeri që e jetoi teatrin me shpirt e me pasion. Me rolet e tij të paharrueshme në skenën e Teatrit Shqiptar në Shkup, ai i dha publikut qindra emocione, buzëqeshje e reflektime, duke u bërë pjesë e pandarë e historisë së kulturës sonë kombëtare.
Për dekada, Nuredini ishte model për shumë aktorë të rinj, një mësues i heshtur që frymëzonte me shembullin e tij. Publiku do ta kujtojë gjithmonë për zërin karakteristik, praninë e fortë në skenë dhe për shpirtin e tij të ngrohtë që e bënte të afërt me secilin njeri.
Gjatë karrierës së tij, ai interpretoi në shfaqje të rëndësishme si:
- “Bohçja” (regji Vlladimir Millçin),
- “Unë, Halil Garia” (regji Dushko Naumovski),
- “Hamleti në Katranicën e Poshtme” (regji Dimitar Stankovski),
- “Varrezat e automobilave” (regji Bogdan Pop-Gjorçev),
- “Pranëvera e librave” (regji Agim Sopi),
- “Baal” (regji Branko Brezovec).
Në ekran, u shfaq edhe në filma si:
- “Angeli na otpad” (1995),
- “Tears for Sale” (2008),
- “East, West, East: The Final Sprint” (2009),
- “The Return” (2017).
- “Gypsy Magic” (1997) ,
- “Trst via Skopje”.
Ai ishte i pranishëm edhe në Teatrin për Fëmijë, dhe shfaqja e tij e fundit në skenë ishte “Rrobat e reja të mbretit”, në regji të Besfort Idrizit.
Teatri Shqiptar në Shkup shprehu ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të aktorit Beqir Nuredini.
“Me dhimbje të thellë njoftojmë publikun dhe komunitetin artistik se u nda nga jeta aktori ynë emblematik, Beqir Nuredini. Një figurë e paharrueshme e skenës sonë, që me talentin dhe përkushtimin e tij i dha teatrit shqiptar momente të pavdekshme. Trashëgimia jote artistike do të jetojë përgjithmonë në kujtesën tonë. Lamtumirë, mjeshtër i madh i skenës. Arti që ndërtove dhe dashuria që dhe për publikun do të mbeten përgjithmonë gjallë”, shkruhet në telegramin e shënuar në Facebookin e Teatrit Shqiptar në Shkup.
Teatri Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinj në Shkup shprehu ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të aktorit.
“Me pikëllim u mor lajmi për ndarjen nga jeta të aktorit Beqir Nuredini, një prej figurave të njohura të skenës teatrore shqiptare në Shkup. Me ndarjen e tij nga jeta, humbët një aktor që sjell arti dhe përkushtimi. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe të afërmve. U prehtë në paqe, Beqir Nuredini”, shkruhet në telegramin e shënuar në Facebookin e Teatri Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinj në Shkup.
Nga Teatri Shqiptar bënë të ditur se varrimi i të ndjerit do të bëhet sot me datë 13 tetor, pas ceremonisë fetare, në orën 13:00, në varrezat e Gllumovës.