U mbyll Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Strugë, shërbimet konsullore kalojnë në Shkup

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Strugë është mbyllur, ndërsa shërbimet konsullore për qytetarët kosovarë në Maqedoninë e Veriut do të ofrohen nga Ambasada e Kosovës në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, e cila njoftoi se vendimi është marrë në bazë të Dekretit Nr. 150/2025 të Presidentes së Kosovës dhe Vendimit Nr. Ref 261/2026 të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Mbyllet Konsullata e Përgjithshme në Strugë, shërbimet konsullore përqendrohen në Ambasadën tonë në Shkup. Vendimi bazohet në vlerësimin e dinamikës së këtij misioni konsullor dhe është në funksion të optimizimit të resurseve, në përputhje me qëllimet dhe nevojat e gjithëmbarshme institucionale”, thonë nga Ambasada e Kosovës në Maqedoni.

Sipas Ambasadës, vendimi është marrë pas vlerësimit të dinamikës së misionit konsullor dhe synon optimizimin e resurseve, në përputhje me nevojat institucionale.

Megjithatë, në Strugë do të vazhdojë të jetë e pranishme zyra e Konsullit të Nderit të Republikës së Kosovës, i cili është i ngarkuar me rrethin konsullor të këtij qyteti.

Ambasada e Kosovës në Shkup, përveç detyrave diplomatike, do të vazhdojë të ofrojë shërbime konsullore për shtetasit e Kosovës në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut.

Ambasada e Kosovës në RMVKosova