Pas shtatë ditësh me shfaqje filmash, takime me autorë dhe diskutime, mbrëmjen e 22 shtatorit në Tetovë u përmbyll edicioni i 15-të i Tetova International Film Festival-TIFF ODA, shkruan Portalb.mk.
Në ceremoninë përmbyllëse u shpallën fituesit e çmimeve, ndërsa më pas u shfaq filmi “Shame and Money” i regjisorit Visar Morina.
Në kategorinë Cine Balkan Panorama, juria e përbërë nga Majlinda Tafa, Ibër Deari dhe Samir Ljuma ia dha çmimin për filmin më të mirë “Shame and Money”. Për rolet në këtë film u shpërblyen edhe Flonja Kodheli si aktorja më e mirë dhe Astrit Kabashi si aktori më i mirë. Çmimin për skenarin më të mirë e fituan Doruntina Basha dhe Visar Morina, ndërsa çmimi për regjinë më të mirë i takoi Georgi M. Unkovskit për filmin “DJ Ahmet”. Filmi “Era” i Parta Kelmendit mori mirënjohje të veçantë.
Në kategorinë e filmave të shkurtër WIN Panorama, juria me Marie-Rose Osta, Sara Klimoska dhe Jérémy Laurichesse zgjodhi “SOS” të Anita Morinës nga Kosova si filmin më të mirë artistik. Çmimin për filmin më të mirë studentor e fitoi “Mother of a Son” i Kevin Koch nga Gjermania, atë për dokumentarin më të mirë “Exit Through the Cuckoo’s Nest” i Nikola Ilić nga Zvicra, ndërsa çmimin për animacionin më të mirë e mori “And Don’t Call Me Crazy” i Dorota Skupniewicz nga Polonia. Mirënjohje të veçantë mori “Lux Carne” i Gabriel Grosclaude nga Zvicra.
Bordi i festivalit ndau mirënjohje të veçantë për filmin “Lovebirds” të Dorart Amitit, ndërsa Gresa Farizi u vlerësua si aktore e re premtuese. TIFF ODA nderoi gjithashtu Selman Jusufin me çmimin për arritje në karrierë “A Life with Art” dhe Pinea Matoshin me çmimin “Rising Star” për filmin “Dua”.
Edicioni i sivjetshëm solli në Tetovë filma dhe krijues nga Ballkani, Evropa dhe më gjerë, duke e kthyer qytetin për një javë në vendtakim të autorëve dhe publikut të kinemasë.