25 vjet skenë dhe traditë, Dibra mirëpret edicionin jubilar të Festivalit “Teatri Shqiptar në Maqedoni”

Festivalit “Teatri Shqiptar në Maqedoni”, një prej ngjarjeve kulturore që prej një çerek shekulli ka krijuar traditë dhe ka zënë vend të rëndësishëm në jetën kulturore të qytetit. Për shtatë mbrëmje me radhë, skena dibrane do të sjellë para publikut shfaqje nga trupa teatrore të vendit dhe rajonit, duke bashkuar aktorë, regjisorë dhe artdashës rreth teatrit dhe krijimtarisë skenike, shkruan Portalb.mk.

Programi i sivjetmë përfshin vepra të mbështetura në autorë të njohur të dramaturgjisë botërore, mes tyre Samuel Beket, Martin Mekdona, Xho Orton dhe Sara Kejn. Organizatorët paralajmërojnë një program të larmishëm, me drama dhe komedi, ndërsa secila mbrëmje do t’i kushtohet një produksioni të veçantë.

Drejtori i festivalit, Ylber Nuredini, në një deklaratë për Portalb.mk, tha se edicioni i sivjetmë ka rëndësi të veçantë, pasi shënon 25 vjet nga fillimi i kësaj ngjarjeje teatrore në Dibër.

“Është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për qytetin e Dibrës. Ky takim i teatrove, ku shfaqje të ndryshme vijnë para publikut tonë, shumë prej tyre si premiera në qytet, pritet gjithmonë me shumë interes dhe dashamirësi. Kur pas gjithë këtyre viteve kujtojmë ngjarjet dhe peripecitë që kemi kaluar, kuptojmë edhe më shumë rëndësinë që ka ky festival. Është një nga aktivitetet më të bukura dhe më të rëndësishme kulturore që zhvillohen në qytetin tonë”, tha Nuredini.

Sipas Nuredinit, këtë vit organizatorët kanë vendosur që në program të ketë më shumë komedi, duke dashur që publikut, krahas temave që nxisin reflektim, t’i ofrohet edhe më shumë argëtim.

“Teatri na bën të mendojmë për atë që ndodh brenda nesh, për dramat, komeditë dhe fenomenet që i kemi në shoqërinë tonë dhe në shoqëritë e tjera. Por këtë herë kemi zgjedhur që në program të ketë edhe më shumë komedi dhe mendoj se publiku e meriton një gjë të tillë. Në edicionin jubilar do të ketë shfaqje nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria. Drejtori i festivalit bëri të ditur se këtë vit, për herë të parë, Teatri i Prishtinës nuk do të marrë pjesë në festival”, tha Nuredini.

Sipas tij, organizatorët kanë qenë selektivë në përzgjedhjen e programit dhe nuk kanë synuar numër sa më të madh të shfaqjeve, por cilësi artistike.

“Ne nuk garojmë për nga numri. Për ne është më e rëndësishme cilësia dhe përzgjedhja e asaj që sjellim në festival. Numri mund të jetë më i vogël, por mendoj se shfaqjet që janë përzgjedhur e përmbushin qëllimin tonë”, theksoi Nuredini.

Pas 25 vjetësh ekzistence, ai vlerëson se festivali tashmë e ka dëshmuar vlerën e tij dhe se ka ardhur koha që të marrë një status më të qëndrueshëm institucional.

“Mendoj se ky festival tashmë e ka dëshmuar vlerën e tij dhe ka ardhur koha që të institucionalizohet. Institucionalizimi nuk duhet të jetë më një utopi. Është e merituar që edhe ne të kemi një festival teatror të qëndrueshëm dhe të mbështetur në Maqedoninë e Veriut”, tha Nuredini.

Ai shtoi se festivali ndër vite ka ndikuar që Dibra, edhe pse qytet i vogël, të krijojë një profil të veçantë kulturor dhe të bëhet pikë takimi për artistë dhe teatro nga vendi dhe rajoni.

“Dibra mund të bëhet një qendër e rëndësishme teatrore, por për këtë duhen përpjekje, dashuri dhe përkushtim. Institucionalizimi i festivalit do të ishte hapi i parë drejt një jete më të pasur artistike në qytet”, tha ai.

Nuredini vlerëson se Dibra e meriton edhe një teatër profesional, ndërsa si ide për të ardhmen përmendi krijimin e një teatri rajonal që do të përfshinte Dibrën, Strugën dhe Kërçovën.

“Besoj se këto tri qytete, me potencialin e tyre artistik dhe njerëzor, mund të kenë një teatër dinjitoz, profesional dhe të qëndrueshëm. Dibra, Struga dhe Kërçova i kanë mundësitë për të krijuar një institucion të tillë”, tha drejtori i festivalit.

Festivali do të përmbyllet 29 shtator me shfaqjen “Psikoza”, produksion i Qendrës për Kulturë në Dibër, realizuar sipas motiveve të autores britanike Sara Kejn, me përshtatje dhe regji të Besfort Idrizit.

Edicioni i 25-të shënon një çerek shekulli të Festivalit “Teatri Shqiptar në Maqedoni”, i cili ndër vite ka sjellë në Dibër trupa, aktorë dhe regjisorë të shumtë dhe ka krijuar një hapësirë të përbashkët për prezantimin dhe promovimin e krijimtarisë teatrore shqiptare.

Programi i Festivalit “Teatri Shqiptar në Maqedoni”. Foto: Ylber Nuredini (Facebook)

 

DibraFestival i teatritKultura shqiptareKulturë lajmeTeatër shfaqje teatrore