U mblodh Trupi Koordinues Politik i VLEN-it: Nisma për Akademinë Shqiptare mori mbështetje të gjerë

Sot, në një takim pune, u mblodh Trupi Koordinues Politik i VLEN-it, me ç’rast iu dha mbështetje politike dhe legjitimitet më i madh nismës së re të Akademisë së Shqiptarëve për Shkencë dhe Art, thonë nga VLEN. Nga koalicioni shtojnë se Trupi Koordinues Politik riafirmoi se kjo iniciativë ambicioze synon të krijojë një qendër të rëndësishme për zhvillimin e kërkimeve shkencore, avancimin e arteve dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, transmeton Portalb.mk.

“Krijimi i kësaj Akademie është një hap i rëndësishëm drejt ngritjes së standardeve të arsimit dhe krijimtarisë shkencore në vendin tonë. Duke ofruar një platformë për studiuesit, artistët dhe intelektualët shqiptarë, Akademia do të mundësojë shkëmbimin e njohurive dhe talenteve, duke nxitur një kulturë të re të ekselencës dhe inovacionit”, thonë nga VLEN.

Anëtarët e trupit koordinues politik u pajtuan se kjo nismë, shtohet më tej, përkundër reagimeve të ashpra qofshin ato shqiptare ose maqedonase, “ka fisnikërinë e saj pasi bëhet fjalë për dije, kulturë dhe qytetari, e jo për të krijuar divergjenca brenda shoqërisë sonë multietnike, e as për të fituar pikë politike”.

Pas takimit, anëtarët u shprehën të bindur se kjo nismë do të ofrojë mundësi të reja për bashkëpunim dhe zhvillim, duke ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe krijimtarisë shkencore.

Koalicioni VLEN thekson se kjo nismë do të jetë një pikë referimi për të gjithë ata që janë të interesuar në përparimin e dijes dhe artit, duke krijuar një ambient të favorshëm për inovacion dhe kreativitet.

“Prandaj, mbetemi plotësisht të përkushtuar për të siguruar që Akademia e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art të arrijë qëllimet e saj ambicioze, duke sjellë përfitime të mëdha për shoqërinë tonë. Në fund, ne e ftojmë të gjithë komunitetin e studiuesve, artistëve dhe intelektualëve që të bashkohen në këtë përpjekje të rëndësishme dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për shkencën dhe artin shqiptar”, theksojnë nga VLEN.

Krerët e koalicionit “VLEN” kanë njoftuar se do të sigurohet financim komunal për shoqatën “Akademia e Shkencave dhe e Arteve Shqiptare”.

Financimi komunal, siç thonë nga “VLEN”, duhet të jetë një zgjidhje e përkohshme dhe do të kërkojnë që akademia të financohet nga buxheti i shtetit.

Ndërkohë, për këtë ide kanë reaguar partitë maqedonase.

“Në kuadër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (AShAM) ka shkencëtarë nga etni të ndryshme dhe aty duhet të fokusohemi për ta pasuruar me mendim shkencor”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.

Përmes një reagimi edhe LSDM është shprehur kundër hapjes së Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve.

“AShAAM duhet të mbetet institucioni i vetëm në të cilin anëtarësohen shkencëtarë të njohur nga të gjitha bashkësitë etnike. Edhe ASHAAM-ja duhet të jetë institucion që nuk guxon të jetë partiak apo të keqpërdoret nga individë për nevoja politike ditore. Kjo është diçka që ka ndodhur në të kaluarën. Por ajo që duhet të dijë opinioni është se çfarë premtoi Mickoski para formimit të Qeverisë lidhur me këtë kërkesë të VLEN-it? Kjo nuk është hera e parë që VLEN dhe drejtuesit e saj e përmendin Akademinë Shqiptare si projekt, por Mickoski dhe VMRO-DPMNE kanë heshtur me kokëfortësi”, thonë nga LSDM.

Reagim ka ardhur edhe nga lideri i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, partia e të cilit është gjithashtu pjesë e koalicionit qeveritar. Sipas tij, bëhet fjalë për populizëm paszgjedhor nga ana e partnerit “VLEN”, e cila tha se duhet të jetë e orientuar drejt rritjes dhe zhvillimit ekonomik të shtetit, një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët dhe një angazhim thelbësor për shtypjen e krimit dhe korrupsionit, duke përfshirë, siç thotë ai, dhe korrupsionin politik. Për këtë, sipas Dimitrievskit, duhet ofruar edhe kuadro me të kaluar të pastër pa krime.

BDI-ja ka thënë se “VLEN” është dashur ta marrë drejtimin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, e jo, siç thonë ata, të dalë me “idenë e madhe komunale”.

Për këtë çështje është shprehur edhe akademiku Vlado Kambovski, i cili në një paraqitje i ftuar në TV 24 tha se një strukturë e tillë është e pamundur të ekzistojë në një vend ku tashmë ekziston Akademia.

Akademia e Shkencave dhe Arteve e RMV (ASHAM)VLEN (Lidhja Evropiane për Ndryshim)VMRO-DPMNE