U anulua seanca e parë e rigjykimit për zjarrin në spitalin modular të Tetovës ku u dogjën 14 persona

Në Gjykatën e Tetovës sot u desh të fillojë rigjykimi për zjarrin në spitalin modular të Tetovës, për të cilin vendosi Gjykata e Apelit në Gostivar sipas të cilës aktgjykimi i Gjykatës së Tetovës ishte i paqartë. Por seanca u anulua për shkak se nuk pati përfaqësues nga Spitali i Tetovës, shkruan Portalb.mk.

Seanca e radhës është caktuar për më 25 shtator 2024, në krye me gjyqtarin Jordan Velkovski.

“Nuk do të shtoja asgjë nga ajo që kam deklaruar deri tash për këtë proces gjyqësor, do t’ju lusja vetëm të vazhdoni profesionalisht siç keni bërë deri tani, të ndiqni procesin dhe të shihni vendimin e gjykatës së apelit në të cilin të gjitha pohimet tona u konfirmuan në ketë vendim”, deklaroi Florin Besimi.

Këtë herë në bankën e të akuzuarit janë ish drejtorët e Spitalit të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi, si dhe Spitali i Tetovës si person juridik.

Mjeku Boban Vuçevski është i liruar nga akuza.

Pse erdhi deri te rigjykimi?

Pas gjykimit të parë në Gjykatën e Tetovës i cili përfundoi në qershor 2023, ku në bankën e të akuzuarve ishin ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit dhe Spitali i Tetovës, Gjykata e Apelit në Gostivar në maj 2024 ka vendosur që ta kthejë nga fillimi procedurën ndaj drejtorëve, pasi aktgjykimi i parë ka qenë i paqartë.

Prokuroria ka kërkuar që drejtorëve tu jepen dënime më të ashpra, ndërsa aktgjykimi lirues për mjekun të anulohet dhe lënda të kthehet në rigjykim.

Në rigjykim kthehet një pjesë e lëndës kundër dy ish drejtorëve të spitalit të Tetovës. Ndërsa aktgjykimin lirues për mjekun Boban Vuçevski e konfirmoi edhe Gjykata e Apelit në Gostivar.

Nga Gjykata e Apelit në aktgjykim kanë theksuar se Gjykata e Tetovës “nuk ka vepruar me kujdesin e duhur që të mund t’i vërtetojë me siguri të gjitha faktet juridike relevante”.

“Aktgjykimi është i paqartë, i pakuptueshëm dhe i papërshtatshëm për shqyrtim”, thuhet në atkgjykimin e Apelit.

Gjykimi i parë, jo për shkaqet e zjarrit

Në lidhje me zjarrin në modular pati një proces të gjatë gjyqësor me disa seanca, megjithatë askush nuk u thirr në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.

Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.

Drejtorët u dënuan në shkallën e parë sepse në spitalin modular nuk ka pasur aparate për fikjen e zjarrit, ndërsa mjeku u lirua nga përgjegjësia sepse në spitalin për Kovid-19 kishte futur njerëz nga jashtë.

Prokuroria ngriti aktakuzë për shkak se nuk ka pasur aparate për shuarjen e zjarrit, por jo edhe për shkaqet e zjarrit.

Për mos thirrjen në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.

Asgjë të re nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion

Ende nuk ka vendim nga Prokuroria Publike për hetimin e dytë i cili zhvillohet për zjarrin në spitalin modular, pavarësisht se ka kaluar dhjetë muaj që kur në gusht 2023 deklaruan se Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është duke zhvilluar hetim tjetër për këtë tragjedi. Ky rast sipas Prokurorisë është në fazën e para marrjes së vendimit.

Dokumentari i IRL-së, nxori në pah “të pa larat”

Dokumentari “Vrasje në Tetovë”, të cilin IRL e publikoi në gusht 2023 tregon për një sërë lëshimesh gjatë ndërtimit të spitalit modular që sollën deri tek shpërthimi i zjarrit, edhe pse autoritetet u përpoqën ta përshkruajnë atë si një aksident të shkaktuar nga një lidhje e shkurtër e kabllos vazhduese.

Lëshime u konstatuan edhe në specifikimin teknik, në ndërtim, por edhe më pas në hetim. Në vend se si ndërtim, spitali është evidentuar si pajisje urbane, për të cilën nuk ka nevojë të respektohet ligji për ndërtim.

Shumë protesta për drejtësi

Në lidhje me mos sjelljen e drejtësisë për zjarrin e modularit dhe pas dokumentarit të IRL-së, familjarët dhe qytetarët kanë organizuar disa protesta.

Në protesta u kërkua të hapet procesi gjyqësor për shkaqet e zjarrit, rishqyrtim dhe shqyrtim të vendimeve nga hetimi paraprak në Gjykatën e Tetovës.

Familjarët e viktimave janë shprehur se nëse rasti përfundon këtu, do të shkojnë edhe në Gjykatën e Strazburgut apo e njohur ndryshe si Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Çfarë ndodhi?

Me 8 shtator 2021 në spitalin modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 ra një Zjarri i tmerrshëm dhe që mori me vete 14 jetë të pacientëve, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.

Gjykata Themelore TetovëGjykatat e Apelit RMVGjykimi - Zjarri në Spitalin Modular TetovëProkuroria Themelore Publike (PTHP) RMVZjarri në Spitalin Modular Tetovë