U anulua gjykimi për “Llaskarcën”, seanca e radhës pas dy ditësh

Është anuluar seanca për gjykimin e aksidentit të autobusit të “Durmo Turs” i cili ndodhi në vitin 2019-të në Llaskarcë të Shkupit, ku humbën jetën 16 persona dhe mbi 30 të tjerë u lënduan. Nuk përmendet ndonjë arsye për shtyrjen e gjykimit, përveç që prolongimi është bërë pas marrëveshjes së avokatëve me gjykatësen, ndërsa seanca e radhës është caktuar më 8 qershor. Gjatë seancës së sotme, pritej të vazhdojnë me dëshmi ekspertët të cilët e kanë përgatitur superekspertizën e komunikacionit, njofton Portalb.mk.

Në seancën paraprake ka dëshmuar, Jakub Mamuti, njëri prej tre ekspertëve që e ka përgatitur superekspertizën.

Në seancat paraprake kanë dëshmuar ekspertët të cilët e kanë përgatitur superekspertizën makinerike.

Avokatët e pjesëtarëve të kompanisë “Durmo Turs”, me superekspertizën pretendojnë t’ia hedhin fajin vetëm shoferit të autobusit, duke shmangur përgjegjësinë për gjendjen e rregullt teknike të autobusit. Nga ana tjetër, avokati i shoferit të autobusit, pretendon që shoferi nuk ka faj, por ka kompania, pasi që autobusi nuk ka qenë në gjendje të rregullt teknike. Prokurori konteston përgatitjen profesionale të ekspertit, ndërkaq familjarët e viktimave, vlerësojnë se deklaratat e Zekirit nuk janë të qëndrueshme dhe se ka pasur ndërhyrje të vazhdueshme nga kolegët e tij, të cilët kanë qëndruar pranë tij.

Superekspertiza që Gjykata e ka porositur në dhjetor të vitit 2021 u refuzua nga Fakultetet e shtetit, me sqarimin se ekspertët e tyre tanimë kanë marrë pjesë në ekspertizë paraprake dhe se nuk janë kompetentë për të njëjtën.

Procesi gjyqësor ka filluar në shtator të vitit 2019-të. Gjykatëse e lëndës është Diana Gruevska Ilievska.

Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU.

Lënda Rasti i autobusit “Durmo Turs”
Comments (0)
Add Comment