Trump u ndaloi qasjen në Shtëpinë e Bardhë tre mediave për shkak të “përhapjes së lajmeve të rreme”, mes tyre CNN

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se ua ka ndaluar qasjen në Shtëpinë e Bardhë rrjeteve televizive CNN dhe MS NOW, si dhe portalit „Politico“, raportoi “The Guardian”.

Trump njoftoi në rrjetin e tij “Truth Social” se me efekt të menjëhershëm ua ndalon CNN, MS NOW dhe “Politico”-s qasjen në Shtëpinë e Bardhë për shkak të përhapjes së vazhdueshme të lajmeve të rreme.

“Me krenari njoftoj se, me efekt të menjëhershëm, ua ndaloj qasjen në Shtëpinë e Bardhë ‘Fake News CNN’, ‘MSNOW’ (që së fundmi e ndryshuan emrin nga MSNBC për shkak të shikueshmërisë së ulët dhe mungesës së kredibilitetit!) dhe ‘Politico’ (që morën në mënyrë të paligjshme dhe absurde 8 milionë dollarë për abonim – një rekord absolut – drejtpërdrejt nga qeveria amerikane nën udhëheqjen e ‘të pandershmit’ Joe Biden, vetëm për t’i mbajtur ‘gjallë’; për mua kjo duket si korrupsion!), dhe arsyeja është ‘raportimi’ i tyre i vazhdueshëm me LAJME TË RREME! Mediat nuk mund të vazhdojnë të shkruajnë GËNJESHTRA kur raportojnë për presidentin e SHBA-së, administratën Trump apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo do të vlejë edhe për media të tjera që përhapin lajme të rreme. Ju falënderoj për vëmendjen kushtuar kësaj çështjeje! Presidenti DONALD J. TRUMP“, shkroi presidenti amerikan në rrjetin social.

Ai theksoi gjithashtu se do të ndalohen edhe media të tjera “që përhapin informacione të rreme”.

Që prej rikthimit në detyrë, Trump ka vendosur kufizime edhe për qasjen e mediave të mëdha tradicionale në Shtëpinë e Bardhë. Mes tyre është edhe agjencia e lajmeve “Associated Press”, pasi agjencia vazhdoi të përdorte emërtimin Gjiri i Meksikës, në vend të Gjirit të Amerikës, në raportimet e saj.

Pentagoni gjithashtu tentoi të vendoste rregulla të reja për mediat, me të cilat do të kufizohej mundësia e gazetarëve për të mbledhur dhe publikuar informacione të ndjeshme. Mediat që refuzuan ta nënshkruanin dokumentin me rregullat e reja, ndërsa më vonë një gjykatës federal vendosi se kjo politikë ishte antikushtetuese.

Trump është përfshirë gjithashtu në disa beteja ligjore me media të mëdha, mes tyre “New York Times”, “Wall Street Journal”, “CNN”, “ABC News” dhe “BBC”.

Donald Tramp (Trump)Gazetarë - Gazetari - MediaShtëpia e Bardhë SHBA